Pëllumbi: Blushi kërkesa ultimative ndaj Ramës, si u evitua ndarja e PS

Dec 1, 2015 | 10:59
SHPËRNDAJE

Profesor i socialistëve, Servet Pëllumbi, në librin e tij “Pluralizmi i dytë”, ka sqaruar përplasjet mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi në Asamblenë e Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 21 qershorit.

pellumbiPëllumbi në librin e tij e ka quajtur si përplasje konceptesh debatin mes Ramës dhe Blushit për zgjedhjen në parti. “Sipas Blushit, fituesi në popull qenka humbës në parti dhe, prandaj, E. Rama i dredhon demokracisë në parti, duke shkelur rëndë statutin. Realisht pritej përplasje midis ‘palëve’ që reduktohej me ‘përplasjen Rama-Blushi’, pra midis “autoritaristëve” (grupi Rama) dhe ‘demokratikëve’ (grupi ende i pashpallur i Blushit).

Ky ishte drejtimi që mori fillimisht mbledhja e Asamblesë dhe pritej nga disa në PS, e sidomos jashtë saj, deri dhe një ndarje e re në PS.

Në të vërtetë një mundësi e tillë u evitua dhe përmes debateve ku në fund u arrit që të miratoheshin me unanimitet të shtatë projektvendimet e paraqitura për reformimin e partisë dhe kapërcimin e ngërçit të krijuar në lidhje me demokracinë e brendshme në PS”, shkruan profesori në librin e tij.

SERVET PËLLUMBI

PËRPLASJE KONCEPTESH NË ASAMBLENË E PS-SË

Fitorja e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015 nga ASHEja, e sidomos disa nga treguesit që dëshmonin për një rënie të votave për Partinë Socialiste në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, u bënë nxitje për drejtuesit e PS-së që të thërrisnin mbledhjen e Asamblesë, të lënë disi në harresë që prej dy vjetësh. Çështje qendrore të mbledhjes së 18 korrikut 2015 ishin dy:

1. Reforma në parti dhe zgjedhjet e reja në PS;

2. Miratimi i një platforme kombëtare për anëtarësime të reja në parti me objektiv që në 25-vjetorin e PS-së (12 qershor 2016), ajo të ketë 150 mijë anëtarë. Ndërkaq, që në fillimin e mbledhjes së Asamblesë së PSsë, u vunë përballë njëri-tjetrit dy konceptime të ndryshme për reformimin:

1. Koncepti i shpalosur nga E. Rama dhe i konkretizuar përmes shtatë projektvendimeve të paraqitura për miratim dhe

2. “Koncepti Blushi”, që i nisur nga “demokracia statutore” synonte devijimin e prioriteteve për t’u marrë vetëm me “çështjen e zgjedhjes së kryetarit” që, sipas tij, qenka shndërruar në monark, kurse PS në të vetmen parti në botë, në të cilën kryetari nuk zgjidhet!”.

Të dyja konceptimet me natyrë parimore: i pari, i nisur nga parimi i nevojës së një analize kritike të funksionimit të demokracisë partiake për të parë përpara dhe reformuar partinë në përputhje me ndarjen e re administrative, dhe për ta përgatitur për zgjedhjet politike të 2017-ës; i dyti, i nisur nga kërkesa ultimative që të mos bëhet asnjë hap më tej pa zgjedhur kryetarin, se votat për kryeministër nuk mund të zëvendësojnë votat partiake! Sipas Blushit, fituesi në popull qenka humbës në parti dhe, prandaj, E. Rama i dredhon demokracisë në parti, duke shkelur rëndë statutin. Realisht pritej përplasje midis “palëve” që reduktohej me “përplasjen Rama-Blushi”, pra, midis “autoritaristëve” (grupi Rama) dhe “demokratikëve”(grupi ende i pashpallur i Blushit).

Ky ishte drejtimi që mori fillimisht mbledhja e Asamblesë dhe pritej nga disa në PS, e sidomos jashtë saj, deri dhe një ndarje e re në PS. Në të vërtetë, një mundësi e tillë u evitua dhe përmes debateve ku në fund u arrit që të miratoheshin me unanimitet të shtatë projektvendimet e paraqitura për reformimin e partisë dhe kapërcimin e ngërçit të krijuar në lidhje me demokracinë e brendshme në PS.

Në diskutimin tim të improvizuar, theksova nevojën e konvergjencës së këndvështrimeve për tipin e partisë që duhet të synojmë të arrijmë në procesin e reformimit, që është i domosdoshëm të bëhet, i diktuar jo vetëm nga defektet në funksionimin e PS-së (si në bazën e saj, ashtu dhe të forumeve në qendër), por dhe nga nevoja për të menaxhuar mirë dy fitoret elektorale të 2013-ës dhe 2015- ës, që i dhanë shumë pushtet PS-së. Në të kundërt, ai mund të shndërrohet në bumerang për zgjedhjet politike të 2017-ës.

Në thelb unë iu referova edhe debateve në shkallë botërore që kërkojnë ndryshimin e statutit të partive tradicionale si ndërmjetëse midis shtetit dhe popullit, sepse njerëzit po ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar. Duke iu referuar tipit të partisë që na duhet në të ardhmen, theksova tre momente që i quaj thelbësore.

Së pari, se PS duhet të jetë një parti e majtë masive, me anëtarësi “pjesëmarrëse e jo të lëshuar”, gjë që përligj platformën e pranimeve që u miratua nga Asambleja e PS-së më 18 korrik 2015;

së dyti, se PS duhet të jetë njëherësh një parti moderne që di të shndërrohet në lëvizje përmes rrjeteve sociale për çështje të rëndësishme të vendit, për çka nuk kanë munguar kërkimet e përvojave modernizuese nga ana e lidershipit të partisë;

së treti, se PS pa dyshim duhet të jetë një parti me rregulla, me program e statut, por që këto duhet të jenë dinamike e jo të ngurtësuara. Ndërkaq, zgjedhjet e parashikuara në një nga projektvendimet, mbledhja e kongresit në janarin e vitit të ardhshëm, mund dhe duhet të kapërcejnë edhe ngërçet organizative të tilla si zgjedhja e kryetarit, apo sklerozimi i forumeve etj.

Veçse për të gjitha këto kërkohet transparencë e sinqeritet dhe jo “lojë me dy porta”. Është e papranueshme që formalisht të vazhdojmë të përdorim emrin Parti Socialiste, kurse në të vërtetë të nënkuptojmë diçka tjetër, të servirim pa asnjë miratim institucional partiak në vend të ngjyrës e të flamurit rozë të PSsë ngjyrën dhe flamurin lejla të “Rilindjes”! Në një rast të tillë anëtarësisë së PS-së i lind e drejta të revoltohet, sepse është e pafalshme të thuhet se në Shqipëri “asgjë nuk duhet të jetë rozë!”.

Argumentimi i tre momenteve të mësipërme, shoqëruar edhe me kritika konkrete (që i kam bërë në proces edhe në intervista e shkrime të mëparshme), u duartrokitën në Asamble dhe më vjen mirë që ndikuan pozitivisht dhe iu bë jehonë e gjerë në media. Për konkretizim po riprodhoj një pjesë nga ajo që shkroi deputeti Erion Braçe.

“Dje fituesi ishte profesor Servet Pëllumbi. I qetë, i kthjellët, analizues, kritik por frymëzues! Ndërhyri në një moment kur një tjetër aty po kërkonte me çdo kusht përplasje dhe thyerje; ndryshoi tërësisht cilësinë e debatit.

E orientoi drejt së ardhmes, asaj që u intereson socialistëve. Ideja e profesorit për “partitë masive”, mbështetur fort në strukturën tradicionale në territor, shtuar dhe modernizimin në komunikim për t’u shndërruar shpejt në “lëvizje” politike, por më shumë sociale, përfshirëse në beteja po të tilla në popull, ishte e duhura, aktuale dhe moderne se i shndërron tezat me “zgjedhje kryetari” në të vjetra, shumë të vjetra, në pak minuta” (Gazeta DITA, 20.07.2015). E solla këtë pasazh të bërë publik nga Erion Braçe, jo për ndonjë “vetëlavdërim”, por vetëm si dëshmi të faktit që ideja komplekse e reformimit të PS-së ishte e dëshiruar nga të gjithë anëtaret e Asamblesë, por e pa mbështetur si duhet mbi argumente bindëse. Le të shpresojmë se në mbledhjen e Asamblesë së PS-së u bë një hap në drejtimin e duhur dhe u arrit kohezioni i nevojshëm për sipërmarrje të tilla komplekse me vështrim nga e ardhmja.

Po kështu le të shpresojmë që të bëhen realitet nismat dhe vendimet e miratuara nga Asambleja e PSsë pa pyetur për vapën e korrikut dhe që kjo të ndikojë pozitivisht në reformimin e krejt sistemit politik pluralist në Shqipëri duke i hapur udhën një “pluralizmi të dytë”, i kuptuar si një kod sjelljeje politike, si ndreqje apo korrigjim i demokracisë pluraliste që njeh për pasuri, diversitetin.

Përfundime: Bota vazhdon të jetë ende shumë ideologjike, prandaj të kërkosh diçka “krejt ndryshe”, bie fjala nxjerrjen nga skena të partive tradicionale me ideologjitë përkatëse, do të dukej si një kuturisje për të dalë jashtë realitetit.

Në raste të tilla realizmi është qasja më e preferuar. E megjithatë, edhe “kataklizmat” e tilla duhen dhe u rritet vlera, sidomos kur realitetet ngurtësohen dhe kundërshtitë e vjetra ideologjike marrin llojlloj trajtash të së resë e novatores, por që në të vërtetë nuk janë aspak të tilla.

Në një situatë të ngjashme duhen krijuar doemos skema pozitive ndryshimesh brenda strukturave që duan të ruajnë status quo-në. Ndërkaq, vlerat gjithnjë mbeten një element i rëndësishëm për çdo lloj ekuilibri të ri politik.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura