Pëllumbat e Akademisë në oborrin e qeverisë

Aug 1, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

markuMARK MARKU

Historianin Pëllumb Xhufi e njoh prej kohësh prej shkrimeve të tij dhe e respektoj pikërisht për faktin se është i sinqertë. Falë këtij tipari edhe lexuesi më i pavëmendshëm kur lexon shkrimet e tij historike e kupton se historiani Pëllumb Xhufi adhuron nolistët dhe urren zogistët, urren nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore dhe se adhuron partizanët shqiptarë. Kur e lexon historinë e shkruar nga historianë si Pëllumb Xhufi e ndien se autori është shndërruar nga historian, në një luftëtar që vazhdon betejat e humbura apo të fituara më parë nga paraardhësit e vet ideologjikë.

E dija pra këtë dhe e kam parë me një farë simpatie teksa shkatërronte me penën e historianit kundërshtarët që Noli nuk i kishte shkatërruar dot me armë, tek vriste me penë shumë më tepër gjermanë, italianë apo kolaboracionistë se ç’kanë vrarë partizanët shqiptarë me pushkë. Por, nuk e dija se me të njëjtin zell ai një ditë mund t’u sulej edhe kolegëve të tij siç ndodh me shkrimin “Reforma që çliron universitetet nga nomeklatura”.

Shkrimi i tij nuk do të përbënte ndonjë problem nëse do të ishte thjesht një deklaratë urrejtjeje ndaj profesoratit që kundërshton projektligjin për arsimin e lartë apo ndaj ndonjë kolegu të veçantë si Prof. Artan Fuga, të cilit ai kishte tentuar t’i bënte një biografi të deformuar, të denjë për një shef kuadri ziliqar të kohës së Partisë së Punës. Madje nuk përbën problem as po ta shikosh si një deklaratë servilizmi apo si kërkesë për ndonjë post drejtuar Kryeministrit Rama. Problem përbën fakti se ai kërkon ta manipulojë debatin për projektligjin, pra aktualitetin, dhe t’i përshkruajë aktorët e përfshirë në të nëpërmjet të njëjtave teknika manipuluese që i kanë shërbyer deri tani për të manipuluar historinë nën dirigjimin e pushtetit.

Profesorët që morën pjesë në takimin e me Presidentin e Republikës z.Nishani, që prej momentit që është shpallur projektligji janë përfshirë publikisht në një proces që vetë institucionet shtetërore e kanë iniciuar, madje kanë qenë të ftuar për ta bërë një gjë të tillë. Kanë analizuar projektligjin dhe e kanë parë atë si një projektligj që nuk e reformon sistemin universitar, përkundrazi rrezikon degradimin e mëtejshëm të tij. Qëndrimi i tyre ka qenë publikisht i shprehur nëpërmjet departamenteve, këshillave të fakulteteve, senatit të Universitetit të Tiranës dhe forumeve universitare si Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, Lëvizjes për Universitetin dhe forumeve të ndryshme të studentëve.

Një grup prej 210 profesorësh u kanë drejtuar një memorandum institucioneve shtetërore dhe opinionit publik për problemet që paraqiste projektligji. Kritikat dhe sugjerimet kanë qenë të shumta, por në thelb ky projektligj është parë si problematik për këto arsye:
1. Shkel autonominë universitare përmes kompetencave që i jep bordit të administrimit në raport me senatin, autonomi kjo e garantuar në kushtetutë;
2. E vendos kërkimin shkencor dhe përmbajtjen e mësimdhënies nën kontrollin shtetëror përmes katër agjencive shtetërore që projekton ky projektligj;
3. Shkatërron parimin kushtetues të barazisë së qytetarëve në arsim, pasi në këtë projektligj shteti heq dorë nga financimi i dy viteve të nivelit master që do të përballohen nga studentët gjë që do të thotë rritje drastike e tarifave të studimit;
4. Krijon një institucion arsimor hibrid si Institucionet Publike të Pavarura, institucion që nuk ekziston në asnjë vend të Europës. Ky institucion është parë si një projekt i klaneve të biznesit të lidhura me qeverinë, si një instrument i tyre për të shtënë në dorë edhe universitetet private edhe universitetet publike.

Këto probleme të rënda të projektligjit që kanë ekzistuar në të gjitha variantet që ka paraqitur qeveria në universitete, profesorët dhe institucionet e zgjedhura universitare i kanë kritikuar në të gjitha variantet dhe nuk e kuptoj pse zoti Xhufi gënjen kur thotë se hartuesit e projektligjit i kanë marrë parasysh vërejtjet e studentëve dhe profesoratit. Nuk e kuptoj pse ai kërkon të ndajë profesorët në të majtë dhe të djathtë, kur reagimi i tyre ka qenë unanim dhe jashtë çdo nuance ideologjike apo partiake. Nuk e kuptoj pse ai disa prej nesh që kemi qenë më aktivët në kundërshtimin ndaj projektligjit i quan si hartues të projektligjit të 2007-s, kur është pikërisht Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ai që ka udhëhequr rezistencën universitare dhe publike ndaj atij projektligji që kërkonte që institucionet e zgjedhura universitare t’i zëvendësonte me borde administrimi dhe vetëm pas kësaj rezistence qeveria e Berishës u tërhoq nga projekti. Po të paktën u tërhoq. Aktivë po aq sa sot edhe atëherë kemi qenë të njëjtët.

Atëherë askush nga intelektualët e majtë nuk e sulmoi Artan Fugën përkundrazi, dhe unë nuk e vrava mendjen se mos “të djathtët e mi” ma merrnin si akt tradhtie, pasi mes profesionit dhe bindjeve politike më dukej më e arsyeshme të zgjidhja profesionin. Ai si intelektual, si deputet dhe si një nga krerët kryesorë të LSI-së në 2007-n mund ta kishte thënë një fjalë, shkruar një shkrim apo shprehur një shqetësim gjë që nuk e bëri.
Nuk do të merresha me shkrimin e Xhufit nëse shkrimi si pjesë e sulmit ndaj kundërshtarëve të projektligjit të mos ishte në vazhdën e sulmeve të orkestruara nga qeveria apo operatorët privatë ndaj kolegëve të mi që kanë pasur kurajë të shprehen publikisht dhe pa kurrfarë droje për atë çfarë mendojnë. Në thelb ky sulm tregon pikërisht hipokrizinë e qeverisë për konsultimin e projektligjit me grupet e interesit.

Hipokrizi e dyfishtë: nga njëra anë na ka ftuar për diskutim, nga tjetra anë nuk marrin parasysh asgjë nga ajo që i ofrohet si kritikë, vërejtje apo sugjerime. Nga njëra anë thonë shprehuni, nga ana tjetër sulm ndaj atyre që shprehen kundër. Sulmi ka qenë i ulët dhe në të janë përfshirë zyrtarë të MASH-it që kanë si të vetmin aktivitet intelektual shkrimin e pankartave elektorale apo shkarravitjen e mureve, çirakë sahanlëpirës të pronarëve të universiteteve private, deri te Kryeministri Rama në Parlament, i cili me një fjalor që vetëm Enver Hoxha e përdorte kundër “intelektualëve mikroborgjezë”, e fyeu publikisht profesoratin shqiptar pa bërë diferencë mes profesorëve të korruptuar dhe të pakorruptuar, mes profesorëve që si vetë Kryeministri kanë një diplomë të mjerë në shkollën e realizmit socialist dhe atyre që prej vitesh janë diplomuar, doktoruar në universitetet më të mira perëndimore, apo universitetet shqiptare me shpenzimet e tyre, me mbështetjen e fondacioneve dhe qeverive të huaja, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk ka paguar asnjë kacidhe për shkollimin e tyre. Vijnë këtu, transmetojnë përvojën dhe dijen e tyre për studentët dhe shtetin shqiptar, reformojnë departamentet dhe kurrikulat, trajtohen keq nga ana ekonomike dhe fyhen banalisht nga një kryeministër që profesorët i njeh vetëm siç ishin ai dhe kolegë të tij në vitin ‘90.

Përveç hipokrizisë, sulmet e ndërmarra ndaj profesorëve që shprehen lirisht tregojnë frymën që transmeton ligji dhe pasojat që ai do të ketë në jetën universitare. Diskursi i sotshëm i Kryeministrit, zyrtarëve dhe intelektualëve qeveritarë tregojnë qartë se nesër Kryeministri do të gjykojë se cila temë diplome vlen apo jo siç e ka bërë më se njëherë nga foltorja e Parlamentit, se cili mendim apo kërkim shkencor vlen apo jo, se cili profesor na duhet e cili jo dhe se çfarë duhet të flasin ata që na duhen. Po hyjmë në një epokë parademokratike ku e drejta dhe e vërteta përcaktohet nga pushteti, pra në feudalizmin që e ka aq inat zoti Xhufi dhe për të cilën do ia vlente ta thoshte ndonjë fjalë. Ndryshe do të na bënte të mendonim se ai i urren feudalët, por jo feudalët socialistë. Ndryshe s’do na ngelte gjë tjetër veç të brohorisnim në kor: fluturon, fluturon… pëllumbi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura