Pejiç: Kualifikova Kukësin, tani largohem

Jul 25, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Katër sezone radhazi në Shqipëri, dy tituj kampionë me Skënderbeun, një supersezon me Kukësin, ku në 35 ndeshje shënoi 31 gola dhe një paraqitje perfekte në Ligën e Europës. Pero Pejiç i jep fund aventurës në Shqipëri dhe me Kukësin gjithashtu pas një sezoni shumë të mirë.

pejic
Sulmuesi kroat bëri gjithçka mirë në takimin e së enjtes ndaj Mlladost, dy gola dhe një prej më të mirëve në fushë. Por, Pejiç nuk do të qëndrojë më me skuadrën verilindore për ndeshjet e turit të tretë të Ligës së Europës ndaj Legia Varshavës.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Pejiç tregon se do të largohet sot ose nesër drejt Iranit për t’iu bashkuar skuadrës së tij të re, Esteghlal. “Po ju tregoj një sekret. Përpara ndeshjes ndaj Mlladost në Malin e Zi u premtova drejtuesve: ‘Unë do kualifikoj Kukësin për turin e tretë dhe pastaj do iki'”, thotë ndër të tjera Pejiç në intervistën e tij. Një ofertë 230 mijë euro në sezon nuk refuzohet kollaj. Irani e joshi.

Si ndiheni pas kualifikimit të Kukësit në turin e tretë dhe a do të qëndrojë Pejiç edhe për ndeshjet ndaj Legias së Varshavës?
Jam shumë i kënaqur për fitoren dhe për përmbysjen e madhe. Sigurisht, edhe për golat e mi që shënova. E them këtë sepse ky takim ishte ndeshja ime e fundit me Kukësin, pasi tani do të largohem. Jam shumë i lumtur që ne arritëm të fitonim dhe ekipi të kualifikohej për në fazën e tretë. Tani skuadra do të ketë përballë Legian e Varshavës që është një klub i madh. Megjithatë, synimi primar për të kaluar në turin e tretë u arrit. Shpresoj që të Kukësi të shkojë sa më larg.

Kur do të niseni drejt Iranit?
Sot ose nesër unë do të udhëtoj drejt Iranit dhe atje më presin që të zhvilloj vizitat mjekësore tek Esteghlali dhe të firmosë zyrtarisht kontratën. Unë falënderoj shumë klubin e Kukësit dhe presidentin Safet Gjici. Tani unë do shkoj aty të luaj për një apo dy vite dhe më pas si dihet nëse kthehem sërish në Shqipëri ose jo. Kështu e ka jeta dhe futbolli.

Me presidentin Gjici çfarë keni diskutuar?
Me presidentin u ula dhe folëm përpara ndeshjes së të enjtes dhe ai më tha: “Të kalojmë një herë këtë tur dhe pastaj je i lirë”. Kështu që unë kam shumë respekt për të, pasi është treguar shumë korrekt me mua. Po ju tregoj edhe një sekret. Një ditë përpara ndeshjes me Mlladost, unë isha i bindur në aftësitë e mia dhe të ekipit dhe u bëra një premtim drejtuesve: “Unë do kualifikoj Kukësin për turin e tretë dhe pastaj do iki”. Kështu që unë dhe ekipi e mbajtëm fjalën dhe premtimi im u arrit.

Si e vlerësoni sezonin që kaluat te Kukësi?
Për këtë periudhë që unë kam kaluar te Kukësi jam super i kënaqur, pasi ky është sezoni më i mirë i imi në Shqipëri. Kam shënuar shumë gola dhe skuadra ka ecur mjaft mirë, sidomos tani në Kupat e Europës ku ne deri më tani kemi kaluar dy ture. Për këtë sezon, unë falënderoj klubin, presidentin Gjici, stafin drejtues në ekip, shokët e mi, të gjithë lojtarët dhe tifozët tanë që na kanë mbështetur në çdo moment.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura