Pedagogu i Akademisë së Sigurisë mori 4000 euro me premtimin ndaj efektivit se do fitonte gradën nënkomisar, SPAK mbyll hetimet. I çon në gjyq

May 27, 2022 | 15:56
SHPËRNDAJE

SPAK ka çuar në gjyq pedagogun e Akademisë së Sigurisë Qetësor Gurra, pasi u akuzua se kishte marrë 4000 euro ryshfet nga inspektori i sigurisë rrugore Dritan Lelaj, për t’i dhënë gradën e pamerituar të nënkomisarit Dritan Lelajt.

SPAK-Gjykata

Sipas SPAK, nga analiza një nga një dhe në unitet e të dhënave të përfituar nga rezultatet e përgjimeve telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celular të të pandehurve, të dhënat e përfituara nga praktikat e administruar në Akademinë e Sigurisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, akteve të tjera shkresore dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale, apo deklarimet e të pandehurve, “është provuar tej dyshimit te arsyeshëm bazuar në prova se i pandehuri Dritan Lelaj ka ofruar përfitim e parregullt monetar të pandehurit Qetësor Gurra, i cili nga ana tjetër e ka pranuar këtë ofertë për përfitim të parregullt me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarë të tjerë publike të Akademisë së Sigurise dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të favorizuar të pandehurin Dritan Lelaj në rezultatin fitues në provimin e fitimit të gradës “Nënkomisar” për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2021-2022, të zhvilluar në datën 27.10.2021″.

NJOFTIMI I SPAK

“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.277 të vitit 2021”

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 27.05.2022 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 277/2021 në ngarkim të pandehurve:

Dritan Lelaj, me masë sigurimi “Arrest në burg”, akuzohet se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 245/1 pika 2 dhe 186/1 i Kodit Penal.

Qetësor Gurra, me masë sigurimi “Arrest në burg”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 pika 4 i Kodit Penal.

Silvana Miho, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Nga analiza një nga një dhe në unitet e të dhënave të përfituar nga rezultatet e përgjimeve telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celular të të pandehurve, të dhënat e përfituara nga praktikat e administruar në Akademinë e Sigurisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, akteve të tjera shkresore dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale, apo deklarimet e të pandehurve, është provuar tej dyshimit te arsyeshëm bazuar në prova se i pandehuri Dritan Lelaj ka ofruar përfitim e parregullt monetar të pandehurit Qetësor Gurra, i cili nga ana tjetër e ka pranuar këtë ofertë për përfitim të parregullt me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarë të tjerë publike të Akademisë së Sigurise dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të favorizuar të pandehurin Dritan Lelaj në rezultatin fitues në provimin e fitimit të gradës “Nënkomisar” për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2021-2022, të zhvilluar në datën 27.10.2021.

Gjithashtu, rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lelaj gjatë procesit të provimit/ankimit ka përdorur një dokument në të cilin janë paraqitur rrethana të rreme që nuk përputhen me të vertetën, dokument ky i lëshuar nga e pandehura Silvana Miho, si personi që ka patur për detyrë ta lëshojë dokumentin.

Ndërsa për shtetasin nën hetim Agim Lelaj, bazuar në nenin 328/1 gërma b) te Kodit të Procedurës Penale është kërkuar pushimi i akuzës/hetimeve për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga 245/1 pika 2 i Kodit Penal, me arsyetimin se veprimet e kryera nga ai nuk mund të kualifikohen si veprime të kundërligjshme që përbëjnë anën objektive të veprës penale të parashikuar nga neni 245/1 pika 2 e K.Penal.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura