Pedagogjia e një kryeministri

Mar 29, 2020 | 15:47
SHPËRNDAJE

tupja

Nga Edmond Tupja

Siç e dini ju, lexuese dhe lexues tënderuar të kësaj rubrike të përjavshme, por edhe siç na e shpjegon “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), pedagogjia është “shkenca që merret me edukimin e me arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve, si edhe me metodat që duhen përdorur pë këtë qëllim”. Nën dritën dhe me ndihmën e çmuar të këtij përkufizimi, do të përpiqem të zbërthej e të përmbledh sjelljen e para disa ditëve të kryeministrit Rama në rrugë, pra faqe botës, me një zonjë të moshuar që kishte dalë jashtë shtëpisë. Zotëria në fjalë po e qortonte zonjën në fjalë me një ton të ashpër, haptas agresiv, që lexohej qartë edhe në gjestet e vrullshme që ai bënte në drejtim të saj, sepse ajo po rrezikonte jetën duke u ekspozuar kështu ndaj koronaviruesit të pamëshirshëm. Sigurisht, që zotëria në fjalë, me autoritetin e tij si kryeministër, por edhe me shtatlartësinë e trupmadhësinë e tij fort të dukshme,po e shtangte dhe po e linte pa gojë zonjën shtatshkurtër e trupvogël, tashmë të tkurrur nga mosha e madhe, porsidomos nga befasimi i saj përballë një individi, të cilit statusi, posti dhe ofiqi përkatës i japin epërsinë dhe supremacinë e Babait të Kombit, që, edhe fizikisht, i shfaqet mjekërbardhë si Ismail Qemali i kohëve moderne të Rilindjes Socialiste të Republikës së Shqipërisë.

Nga sa vura re në ekranin e televizionit, zonja e vjetër, me kurriz të kthyer nga kamera, nuk m’u duk të reagonte ashpër ndaj fjalëve të kryeministritdhe e kuptoj shtangien e saj: Si mund të sillej në atë mënyrë një zotëri, i veshur e i mbathur më së miri, me dikë më të moshuar se ai dhe që,me gjasë, i drejtohej asaj me “ti”? Mos vallë kishte vdekur e ishte varrosur përfundimisht respekti i më të rinjve për më të vjetrit? Mos vallë kur plaket njeriu duhet konsideruar si çilimi apo si i rrjedhur nga trutë e ulok nga shpirti? Gjithmonë nga sa vura re në ekranin e televizorit, nuk m’u duk se kryeministri i lasadopak kohë zonjës së vjetër që t’u përgjigjej, qoftë me “po” ose me “jo”, fjalëve të tij! Pra, nuk kishim të bënim me një dialog, por me një monolog ose, siç e ka jo rrallëherëzakon kryeministri, me një dialogtë monologuar teatralisht të përkryer.

Nga ana tjetër, ajo çka më befasoi jashtë mase, ishte fakti i paimagjinueshëm që kryeministri nuk ruante distancën mbi një metër që detyrimisht duhej ta ndante nga zonja e vjetër, pa harruar faktin se ai, kryeministri, pra, nuk mbante as maskën e as dorezat që duhej të kishe vënë po aq detyrimisht, gjë që më solli ndër mend e në majë të gjuhës fjalën e urtë, por qesëndisëse “Bëj si them unë, por jo si bëj unë!”.

E çuditshme kjo pedagogji që ka zgjedhur kryeministri në marrëdhëniet e tij me më të vjetrit për t’u mësuar atyre si të përballojnëpandeminë e koronavirusit! Oh, sigurisht, ai ka një përvojë pedagogjike, sado e shkurtër pastë qenë ajo, me që dikur ka qenë pedagog në Institutin e dikurshëm të Arteve, veçse arti më themelor në çdo marrëdhënie mësues-nxënës dhe jo vetëm të tillë, është arti i të komunikuarit, i dialogut, i bindjes jo përmes dhunës gojore apo gjestuale, por nëpërmjet mirësjelljesdhe respektit të ndërsjellë. Nëse në gjithë postet e rëndësishme që ka pasur (si kryetar bashkie apo kryetar partie) para se të lartohej madhërishëm në postin e lakmueshëm të kryeministrit, Edi Rama është sjellë me vartësit e tij si u soll para disa ditësh me zonjën e vjetër e të vetmuar në njërën prej rrugëve të kryeqytetit, atëherë mjerë vartësit apo thjesht bashkëfolësit e tij!

Deri para këtij incidenti domethënës, e kisha dëgjuar shpesh kryeministrin t’u drejtohej shqiptareve dhe shqiptarëve nëpërmjet skype-it që nga bunkeri i tij në Surrel, por kur e pashë në këmbë duke iu hakërruar zonjës së vjetër, m’u kujtua – o ironi e fatit! – shprehja “gju më gju me popullin”, që diktatori Hoxha e përdorte herë pas here në “takimet” e tij me popullin dhe për popullin (ha, ha, ha!). Prandaj, kryeministri i popullit shqiptar, i popullit tim, do të bënte mirë të gjente mënyrën më të drejtpërdrejtë për t’i kërkuar ndjesë zonjës së vjetër, së cilës mund t’i ketë shkaktuar një dhimbje shpirtërore të thellë sjellja e tij e vrazhdë, aspak e denjë për një bir nëne, një baba, një ish-pedagog, një ish-kryebashkiak, një kryetar partie në pushtet dhe aktualisht kryeministër, pra,Baba i Kombit,

Sidoqoftë, sipas mendimit tim, nëse kryeministri Rama do të vendoste t’i kërkonte ndjesë zonjës në fjalë, veçanërisht nëse ajo është pensioniste pa njeri dhe, për fat të keq, pra, nuk do të ketë leje të dalë javën që vjen nga shtëpia qoftë për të blerë edhe bukë e ujë apo për të hedhur mbeturinat shtëpiake, atëherë unë do të lumturohesha jashtëzakonisht, duke qenë edhe vetë pensionist, sikur ai, pra kryeministri Rama, t’i shkonte në shtëpi, sigurisht me maskë e me doreza, për t’i shpënë, qoftë edhe një herë të vetme, pensionin dhe diçka tjetër të domosdoshme që ajo të ushqehej qoftë edhe për disa ditë; pastaj, le t’i kërkonte ndjesë sinqerisht duke iu drejtuar me “ju” dhe duke i uruar shëndet e jetë të gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura