Pedagogët pa rroga, rektori Koni: Pasojë e paaftësisë, po ushtrohet trysni ndaj stafit akademik

Feb 11, 2018 | 11:10
SHPËRNDAJE

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka reaguar pas vonimit të pagesave për pedagogët.

Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, Koni ka bërë një deklaratë ne lidhje me këtë situatë.

Ai shkruan se është shumë i shqetësuar për këtë gjendje që është krijuar, dhe shton se po u bëhet presion pedagogëve me bukën e gojës.

Rektori i UT-së, Mynyr Koni
Rektori i UT-së, Mynyr Koni

Reagim i Mynyr Konit

“Të nderuar kolegë dhe punonjës të Universitetit të Tiranës!

Jam shumë i shqetësuar në lidhje me mospagesën për punën tuaj të kryer për muajin Janar 2018. Ky është një veprim i paprecedentë nga autoritetet përgjegjëse të ngarkuar me ligj, Bordi i Administrimit dhe Administratori i Universitetit.

Në pritje të daljes të një akti nënligjor, kjo ka bërë të mundur që të bllokohet transferta e pakushtëzuar për Institucionet e Arsimit të Lartë publik.

Në këto kushte, Bordi i Administrimt duhet të kishte çelur fondin për pagat nga të ardhurat e institucionit. Kështu që në Universitetin e Tiranës, të ardhurat e trashëguara nga viti 2017 janë të mjaftueshme për çeljen e fondeve të pagave për personelin e Universitetit të Tiranës. Bordi i Administrimit të UT si dhe Administratori i UT nuk kanë vepruar në çeljen e fondit të pagave nga të ardhurat, të paktën për muajin Janar. Kjo ka bërë të mundur që punonjësit e UT të mos kenë marë pagat.

Ky veprim i BA dhe Administratorit vjen si pasojë e paaftësisë apo mosveprimi i tyre ka të bëjë me trysninë ndaj stafit akademik dhe joakademikt të UT, ashtu siç po veprohet prej një periudhe afro 8-mujore ku një pjesë e stafit të Rektoratit të UT nuk kanë marë pagat.

Në emër të gjithë punonjësve të UT, i bëj thirrje Bordit të Administrimit dhe Administratorit të çelin fondin e pagave të muajit Janar nga të ardhurat dhe të bëhet pagesa e punonjësve brenda ditës së hënë, datë 12.02.2018”, thuhet në reagimin e Konit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura