PDK nuk do të kandidojë në Skenderaj, e mbështet kandidatin e Familjes Jashari

Aug 22, 2017 | 13:55
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të garojë fare në zgjedhjet komunale në Skenderaj, pasi Bekim Jashari, pinjoll i familjes Jashari, ka bërë publike ambicien për ta drejtuar këtë qytet. Gazeta merr vesh se kreu i PDK’së ka takuar sot gjatë ditës Bekim Jasharin, djalin e Hamëz Jasharit, të cilit ia ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij.

kadri veseli familja jashari

Skenderaj është bastioni i PDK’së që prej se në Kosovën e pasluftës  janë organizuar zgjedhjet. Bërthama e këtij subjekti është pikërisht në këtë komunë, prandaj edhe me lehtësi kanë triumfuar atje.

Kjo komunë është udhëhequr nga kryetarë të PDK’së Ramadan Gashi për gati 8 vjet, e më vonë, pas pavarësisë, nga Sami Lushataku, i cili qeverisjen me këtë komunë e kishte lënë vetëm gjatë viteve sa ka qëndruar në burg.

Por, pas vendimit të Bekim Jasharit, djalit të Hamzë Jasharit i cili mban pozitë të lartë në Aeroportin e Prishtinës, PDK ka vendosur të mos dalë fare me kandidat atje.

Gazeta Express merr vesh se kreu i PDK’së Kadri Veseli ka takuar sot Bekim Jasharin të cilit ia ka konfirmuar mbështetjen e PDK’së.

Lajmi për kandidaturën e Bekimit ishte bërë publik mbrëmë në Facebook, nga dhëndri i Bekimit, Valon Loshaj, ndërkohë që ishte shpërndarë nga anëtarë të tjerë të familjes.

Sipas njoftimit Jashari e ka marrë këtë vendim për zhvillimin e qytetit me kërkesë të qytetarëve.

“Ditë të mira po e presin Komunën e Skenderajt, nën udhëheqjen e Bekim Hamëz Jasharit, i cili ka kapacitet intelektual, njerëzor dhe kombëtar’, thuhej në njoftim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura