PDIU pretendon dy deputetë në Vlorë, Idrizi: Jemi parti e madhe 

May 2, 2016 | 11:32
SHPËRNDAJE

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbledhur strukturat e saj në qytetin e Vlorës për procesin e zgjedhjeve brenda partisë, që do zhvillohet në 21 maj, si edhe për anëtarësimet e reja.7e3cbf56-7842-476a-a990-5384a05b753c

Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deputetët Aqif Rakipi, Mesila Doda dhe Tahir Muhedini, njëkohësisht President Nderi i PDIU-së.

“Kujtojmë rrugëtimin tonë dhe ne shohim se nuk na ka dhuruar njeri asnjë gjë, i marrim vet të gjitha me forcë dhe me imponimin tonë politikë, sepse ne kemi drejtësinë me vete. Për çdo njeri që thotë, “kur do të zgjidhet çështja çame?” Unë po i them këtu sot se, çështja çame është shumë afër, është aq afër sa punojmë ne përditë, është aq afër sa ne marrim fuqi përditë, është aq afër sa ju na jepni fuqi për t’u imponuar në politikën shqiptare, për t’u imponuar kujtdo që nuk mendon si ne”, u shpreh Idrizi.

Kreu i PDIU-së bëri apel që nisma e PDIU-së për heqjen e dekoratave të miratohet sa më parë në Parlament.

“Ka njerëz sot që janë pjesë e gjyqësorit, pjesë e prokurorisë apo administratës shqiptare dhe ne kemi propozuar që çdo funksion publik të bëhet pjesë e dekriminalizmit. Pas kësaj ne kemi marrë një nisëm tjetër ligjore, për heqjen e dekoratave të kriminelëve të të gjithë shqiptarëve. Sepse ne nuk mund ta pranojmë që krimineli Enver Hoxha, të jetë sot heroi i popullit”, shtoi Idrizi.

Ndërsa deputeti Aqif Rakipi duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare deklaroi se PDIU në qarkun e Vlorës do të marrë dy deputetë.

Ndërkohë deputetja Mesila Doda tha se që në vitin 2012-të i ka dërguar një letër ish-kryeministrit Sali Berisha për bashkimin ekonomik, monetar dhe kulturor me të gjitha trevat shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura