PDIU dhe shoqatat e tjera të Çamërisë pelegrinazh në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, Idrizi: Dëshmi e tragjedisë njerëzorë që pësuan të afërmit tanë

Jun 25, 2022 | 22:28
SHPËRNDAJE

I kthyer tashmë në traditë, këtë të shtunë PDIU, Shoqata Patriotike “Çamëria” dhe Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, organizuan pelegrinazhin në Varrezat e Kllogjerit, bashkia Konispol, në kuadër të 78-vjetorit të genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

Shqiptarë të Çamërisë por edhe qytetarë të tjerë  të ardhur që nga Kosova ishin të pranishëm në Varrezat e Kllogjerit, në vendin ku humbën jetën më shumë se 2900 çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre. Merrte pjesë kryetari i PDIU, dhe deputeti Shpëtim  Idrizi, deputetja Mesila Doda dhe deputeti Nustret Avdullaj.

Në hyrje të varrezave monumentale është vendosur vitin e kaluar pllaka memoriale identifikuese ku shkruhet: Varrezat Monumentale “ Trëndafilat e Çamërisë” Kllogjer, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë Në vitet 1944-1945 ata humbën jetën  nga etja, uria dhe sëmundjet pas masakrave që Napolon Zerva kreu në krahinën e  Çamërisë.

Varreza monumentale u ndërtua në  vitet 2012-2013 në një hapësirë  prej 12.000 m2. Nga të pranishmit në ceremoni u vendosën lule e kurora me lule tek memoriali i varreve çame.

“Besoj se të jesh në varrezat e Kllogjerit është pikërisht vendi për të kuptuar përmasat e tragjedisë mbi shqiptarët e Çamërisë. Është vendi ku ne përjetojmë edhe një herë tjetër të gjithë atë tragjedi njerëzore që është ushtruar mbi ne shqiptarët e Çamërisë. Është vendi ku ne përjetojmë atë testament të madh të vuajtjeve dhe të prerëve të jetëve njerëzore që janë njerëzit dhe familjarët tanë”, tha kreu i PDIU Shpëtim Idrizi në fjalën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura