PD zbardh raportin e Europol dhe jep lajmin e keq për negociatat. Lidhet me Tahirin dhe…

Dec 9, 2017 | 13:13
SHPËRNDAJE

“Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë”.

alibeaj

Keshtu ka​ deklaruar sot deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, gjate nje deklarate te bere nga selia blu, teksa zbardhi detaje nga raporti i fundit i Europol.

Deklarata e plote 

Më 6 Dhjetor, ditën kur Edi Rama fajësoi opozitën se po i nxinte faqen vendit me akuzat për drogën, EUROPOL konfirmoi se Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit në Bashkimin Europian.

EUROPOL eshte agjensia ligjzbatuese që mbështet 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.  Raporti i tij thotë se:

1.     Tregu i drogës në Bashkimin Europian është 24 miliardë euro,

2.     Se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut që kontrollohet nga organizitatat kriminale,

3.     Se Shqipëria është burim kryesor i trafikut të kanabisit dhe

4.     Dhe se pastrimi i parave nga tregtia e drogës është rritur.

Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës.

Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë një nga vendet e Ballkanit jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe një vend që negocionte për anëtarësim në Bashkimin Europian! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria në 4 vjet të Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish.

Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave.

Vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ato po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat, nëse në Shqipëri nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nese nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin.

Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë.​

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura