PD voton kundër huasë 35 milionë euro nga Berzh: Greqia falimentoi nga borxhet

Jan 29, 2016 | 8:13
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka votuar për herë të parë në Kuvend kundër një marrëveshjeje huaje 35 milionë euro ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Dje gjate seances
Dje gjate seances

Me 75 vota pro dhe 22 kundër, demokratët kërkuan rrëzimin e projektit të qeverisë për ofrimin e shërbimeve publike me në qendër qytetarin, duke dhënë në këtë mënyrë edhe një kambanë alarmi për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, kërkoi një vëmendje të dy institucioneve ekonomike për të frenuar dhënien e borxheve ndaj qeverisë. “Me këtë votim ne shpresojmë t’i kemi rënë një kambane alarmi, jo për këtë qeveri, as për këtë maxhorancë, por për qytetarët shqiptarë.

Një kambanë, që shpresojmë ta dëgjojnë edhe Banka Botërore, edhe FMN-ja. Kjo qeveri vazhdon të marrë borxh në mënyrë të frikshme dhe s’ka kryer asnjë investim dhe duke mos krijuar asnjë mundësi që këto borxhe që merren të gjenerojnë të ardhura”, tha Paloka. Sipas tij, dhënia e borxheve nga Banka Botërore dhe FMN nuk janë tregues se pozitat e qeverisë janë të forta, pasi për shkak të borxheve u zhyt në krizë edhe Greqia.

“Dua t’ju kujtoi që edhe Greqia fqinje mori fund pa fund nga BB-ja dhe FMNja dhe sot ka falimentuar. Ne do t’i biem kësaj kambane alarmi për ata që janë të interesuar”, sqaroi Paloka. Ndërkohë që shumë më i ashpër nga foltorja e Kuvendit ka qenë deputeti Sherefedin Shehu. Sipas deputetit demokrat, mbështetja ekonomike e BB-së ka ndihmuar keqqeverisjen në vendin tonë.

“Fatkeqësisht, me apo pa dashje, pjesë e këtyre koncesioneve, pjesë e kësaj keqqeverisjeje është bërë edhe Banka Botërore. BB dhe FMN u mashtruan një herë me borxhin. BB i ka dhënë 500 milionë kredi Edi Ramës pa asnjë kusht, pasi ai i gënjeu edhe u tha që na kanë lënë borxhe. Ne kërkojmë që BB të mbështesë zhvillimin e vendit”, tha Shehu. Sipas deputetit demokrat, Banka Botërore nuk duhet të bëjë karshillëk me shqiptarët duke dhënë para borxh për koncesione korruptive.

“Të ofrojë projekte për rrugë, ujësjellës, sektorin e energjisë, të ofrojë objekte për shëndetësinë dhe arsimin. Me kusht që të prishet kontrata për check-up, kontratat e tjera në proces. BB të mos bëjë karshillëk, të mos mbështesë këtë koncesione të dyshimta. BB pagoi detyrimet e prapambetura, por ajo shikon që u rrit borxhi publik. BB dhe FMN dhanë kredi, por kreditë e këqija në sistemin bankar janë rritur”, tha Shehu.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura