PD tregon çfarë ‘fshihet’ pas shkarkimit të Voltana Ademit: Edi Rama i ka hapur luftë…

Jun 9, 2021 | 12:21
SHPËRNDAJE

jorida tabaku

Partia Demokratike e konsideron shkarkimin e Voltana Ademit nga kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, tentativë të kryeministrit Edi Rama, “per uzurpimin” e kësaj shoqate.

Sipas PD-së, me këtë përpjekje “antiligjore dhe antidemokratike”, synohet “tërheqja nga padia në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet moniste lokale”.

Në një reagim për mediat, Jorida Tabaku, tha se Edi Rama “po jep çdo ditë provat e një kryeministri autokrat, i cili shkel çdo ligj, në funksion të pushtetit të tij dhe kundër opozitës”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Vjedhja e zgjedhjeve të 25 Prillit do të përkeqësojë akoma më shumë gjendjen e demokracisë dhe të të drejtave të qytetarëve në vend. Për fat të keq, Edi Rama po jep çdo ditë provat e një kryeministri autokrat, i cili shkel çdo ligj, në funksion të pushtetit të tij dhe kundër opozitës.

Me një akt të paprecedentë, antikushtetues, antiligjor, të fallsifikuar, Edi Rama i ka hapur luftë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e drejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e vetmja kryebashkiake legjitime në vend. Kjo shoqatë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimeve të paligjshme lokale të 2 viteve më parë, duke vënë në rrezik një tjetër pushtet të vjedhur prej Edi Ramës.

Vendimi i mercenarëve të Ramës për të ashtuquajturin shkarkim të Voltana Ademit si drejtuese e shoqatës nuk ka asnjë bazë ligjore. Është një vendim partiak, por pa pasoja ligjore. Personat që kanë marrë vendimin, nuk janë anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe nuk kanë asnjë të drejtë mbi të.

Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një shoqatë mund të mblidhet për të shkarkuar kryetarin e një shoqate tjetër.

Të dhënat publike tregojnë se të 60 mercenarët e Ramës në bashkitë e vendit janë të deklaruar si anëtarë në shoqatën e krijuar nga Edi Rama që në vitin 2010 dhe që sot drejtohet nga Erion Veliaj. Rrjedhimisht, ata mund të mblidhen të shkarkojnë nga kryetar të shoqatës së tyre Erion Veliaj, por nuk mund të vendosin për të larguar Voltana Ademin, për arsyen e vetme se është në opozitë me Edi Ramën dhe ka çuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet moniste lokale të 2 viteve më parë.

Edi Rama sot mund të ketë çdo pushtet, por ai kurrë nuk do të mundë të ketë pushtet mbi opozitën. Zëri ynë do të vazhdojë të jetë akoma më i fortë kundër regjimit të dalë nga vjedhja e zgjedhjeve në aleancë të hapur mes qeverisë, krimit të organizuar dhe oligarkëve.

Tentativa e dështuar për të uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë vjen pasi Edi Rama ka uzurpuar çdo instituticion tjetër tjetër në vend. Kjo është një përpjekje tërësisht anti-demokratike dhe autoritariste nga një kryeministër që nuk i intereson demokracia, funksionimi i institucioneve dhe liria e tyre. Synimi i Ramës është zhbërja e lirive të qytetarëve dhe pasurimi i tij personal.

Është koha që çdo qytetar t’i bëjë rezistencë ketij regjimi të rrezikshëm, duke mos lëshuar asgjë nga të drejtat e tij. Zëri i qytetarëve dhe zëri i opozitës janë shpresa e vetme reale për ndryshim dhe për t’i dhënë fund uzurpimit të të gjitha pushteve nga autokrati Edi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura