PD thirrje Qeverisë për vetingun e politikanëve: Nëse keni vullnet, e miratojmë në tetor

Sep 10, 2018 | 15:28
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Partia Demokratike është e bindur se nëse maxhoranca do të ketë vullnet për ta realizuar vetingun në politikë brenda javës së dytë të tetorit, ndryshimet kushtetuese do të miratohen në Kuvend.

rama-basha-21

Burime zyrtare pranë Partisë Demokratike, sqarojnë për “Panorama” se përmes një procedure të rregullt parlamentare, pa zvarritje nga maxhoranca, ligji duhet të miratohet në seancën e datës 18 tetor.

“Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë bërë një hap konkret për vetingun e politikës nëpërmjet pastrimit të politikës dhe institucioneve kushtetuese nga politikanët që kanë lidhje me krimin e organizuar apo që nuk justifikojnë ligjërisht pasurinë e tyre. Nëse do të ketë vullnet për të mos e vonuar vetingun, atëherë, deri më 18 tetor, ndryshimi i Kushtetutës për pastrimin e politikës do të bëhet realitet. Kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë Kuvendin për nismën më 13 shtator, e cila është seanca e parë pas depozitimit të nismës më 7 shtator. Amendamenti kushtetues futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit. Nisma shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të hapur për publikun mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin dy javë nga data e depozitimit, jo më vonë se 21 shtator. Mbledhja i paraqet seancës raportin e hartuar nga relatorët. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më vonë se tri javë nga paraqitja e raportit. Respektimi i këtyre afateve pa zvarritje do t’u japë mundësi shqiptarëve që brenda datës 18 tetor 2018 të shohin vullnetin e palëve për miratimin ose jo të vetingut në politikë”, konfirmojnë burime të PD për “Panorama”.

VULLNETI

Por, sipas demokratëve, maxhoranca nuk ka bërë asnjë koment dhe nuk po ndjek procedurë të rregullt për publikimin e ligjit në faqen e Kuvendit. PD sqaron për “Panorama”, se opsionet janë në tryezën e Ramës, koha do jetë një sfidë për të. “Amendamenti kushtetues i propozuar nga opozita është i njëjtë me atë të miratuar për gjyqtarët dhe prokurorët. Njësoj si për ta, nëse verifikohet se kanë lidhje me krimin apo nuk justifikojnë pasurinë, mandati i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë ndërpritet menjëherë. Deri tani nuk ka ndonjë sinjal domethënës nga maxhoranca.

Kuvendi, ndryshe nga sa vepron me çdo projektligj tjetër, ende nuk e ka publikuar në faqen e tij zyrtare propozimin e opozitës, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të njihen me të. Nga ana tjetër, Kryeministri dhe përfaqësues të maxhorancës nuk kanë bërë asnjë koment, që pas depozitimit të amendamentit nga opozita. A tregon heshtja e qeverisë pranim të vetingut siç e ka propozuar PD, mosdakordësi, përgatitje për ta vonuar apo për ta dështuar propozimin e opozitës për veting të politikës? Opsionet janë të gjitha mbi tryezën e Edi Ramës.

Koha është një sfidë tjetër për Kryeministrin, pasi Partia Demokratike dhe opozita kanë kërkuar miratimin e amendamentit kushtetues pa asnjë vonesë, duke e vlerësuar emergjencë kombëtare shkëputjen e lidhjes së krimit të organizuar me qeverisjen e vendit”, thuhet në reagimin e PD për “Panorama”.

Kreu i Partisë Demokratike e cilëson si detyrë për demokratët largimin nga skena politike të ligjvënësve të lidhur me krimin. Një ditë pasi shpjegoi arsyet përse është i nevojshëm vetingu në politikën shqiptare, Basha iu referua prokurorit të Antimafias italiane, Paulo Borsellino, i vrarë nga mafia në 1992, në Palermo, kur foli për lidhjet e politikës me krimin. “Është detyra jonë të largojmë politikanët e lidhur me krimin”, shkruan Basha duke cituar Borsellinon.

TRE HAPAT QË PARASHIKON PROCEDURA PARLAMENTARE

1. Kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë Kuvendin për nismën më 13 shtator, e cila është seanca e parë pas depozitimit të nismës më 7 shtator. Amendamenti kushtetues futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit.

2. Nisma shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të hapur për publikun mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin dy javë nga data e depozitimit, jo më vonë se 21 shtator. Mbledhja i paraqet seancës raportin e hartuar nga relatorët.

3. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më vonë se tri javë nga paraqitja e raportit. Respektimi i këtyre afateve pa zvarritje do t’u japë mundësi shqiptarëve që brenda datës 18 tetor 2018, të shohin vullnetin e palëve për miratimin ose jo të vetingut në politikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura