PD: Tahiri të dorëhiqet, në dijeni për kërkesën e Belgjikës për Frrokun

Mar 31, 2015 | 12:01
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pas zbulimit të skandalit se shefi i Interpol Tirana ka mbajtur të fshehtë kërkesën e Belgjikës për arrestimin e deputetit Mark Frroku.

Deputeti Edmond Spaho

“Numëruesi i parë në zgjedhjet e 23 qershorit, tregoi sot se është gati të bëjë gjithçka për të marrë në mbrojtje shefat e tij, Saimir Tahiri dhe Edi Rama, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për një prej skandaleve më të mëdha të policisë, që është fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Frroku.

Por kjo është një përpjekje e dëshpëruar. Gjithkush e di, çdo qytetar i vendit e di mirë, se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm, ka pasur dijeni Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve.

Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin…I pari që duhet të japë dorëheqjen sot, është Saimir Tahiri”, tha deputeti Edmond Spaho në një deklaratë për mediat.

Spaho tha se ky skandal i padëgjuar më parë ka dëmtuar Policinë, Shtetin, demokracinë dhe imazhin e vendit tonë.

PD ka ka kërkuar transparencë të plotë të ngjarjes.

“Vetëm një transparencë e plotë, dhe një llogaridhënie e plotë, dhe një përgjegjësi e plotë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, është përgjigja e duhur ndaj kësaj situate të paprecedent”, tha Spaho.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura