“PD së Alibeajt i mungon përfaqësimi, nuk e shfaqin dot forcën”/ Andoni në “Panorama TV” analizon situatën para zgjedhjeve: Berisha ka supërmacinë, por del i humbur se…

Mar 31, 2023 | 21:11
SHPËRNDAJE

Analisti Ben Andoni ka komentuar situatën në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në një intervistë për “Panorama TV”, Andoni tha se nuk është surprizë ajo që po ndodh me largimin e kandidatëve të PD-së së Enkelejd Alibeajt.

Sipas tij, këtij grupimi i mungon përfaqësimi dhe fryma. Andoni deklaroi se grupimi i Alibeajt nuk e ka të mundur që të shfaqë realisht forcën e saj.

Për situatën në PD, Andoni tha se fajtor janë të dy grupimet, si ai i Berishës, ashtu dhe ai i Alibeajt.

Andoni: Duket se është pasqyrimi i asaj që po ndodh tek grupi i Alibeajt, tek aftësia për të gjeneruar PD-në. Cilësisht tregohet se u mungon përfaqësimi, fryma dhe aksionet. Ajo që është më e dhimbshme për njerëzit e PD-së, është që kjo pjesë e PD-së është e pamundur t’i përfaqësojë ata. Duket që rrjedhja është e madhe. Edhe mbledhja e Kryesisë së tyre ishte me debate. Pamundësinë e tyre për të shfaqur realisht forcën. Është një lloj karshillëku që kushdo mund të fitojë nga kjo pjesë që ka mbetur e PD-së. Duket që vetë zgjidhja me Alibeajn nuk po funksionon siç e mendonin.

Pyetje: Sa do e kryejnë funksionin në zgjedhjet e 14 majit?

Andoni: Nuk do i kryejë ndonjë funksion të madh, do marrë vota nga PD-ja, do mbajë gjallë logon legale të PD-së. Vetëm për kaq është aksioni. Pjesa e PD e Berishës që ngrihet mbi Rithemelimin, përpjekjen më të madhe e ka t’i thyejë përfundimisht kundërshtarët. Po ja del qëllimit, edhe para shumë kohësh ata kanë pasur supermaci. Kjo nuk është e ardhmja e PD-së. E them me dhimbje se një pjesë e publikut që nuk do të përballet me këtë lloj qeverisje, e gjen veten të papërfaqësuar prej opozitës. Ky është shqetësimi më i madh.

Pyetje: A po e dëmton Alibeaj Partinë Demokratike?

Andoni: Logoja e PD është historike, s’mund ta mohojmë. Por mënyra si po veprojnë të dy krahët, është e dhimbshme. Të dy partitë ta shmangin gjykatën, s’kishte asnjë problem. Vetëm të kishin bërë një ndryshim të vogël të PD-së. Të tregonin forcën se çfarë përfaqësojnë. Më vjen keq që PD-ja drejtohet më shumë nga pozicione të majta. Kjo është e dukshme tek Belind Këlliçi që po mban peshën më të madhe, Tiranën. Artikulimet e Belindit janë të majta, që tek transporti falas. Publiku ka nevojë për rikthimin e të djathtës, sepse e djathta gjithmonë kanë synimin për të vendosur rregullin.

Ndërkohë nga ana tjetër, e majta ka rrëshqitur totalisht djathtas. Me PPP-të, që janë model i djathtë. PD duhete të përgjigjet me një politikë patjetër të djathtë. Futja nën strehën e PL-së i penalizon më shumë se është parti e majtë. Është pragmatizëm i një politikani shumë të zgjuar, Ilir Meta. Kjo rruga e parë përmes këshillave bashkiakë dhe forcimi në pushtetin lokal, i hap udhë sfidës së zgjedhjeve pas dy vitesh. PD nuk mund të rrijë në çadrën e PL-së. Këtë situatë, këtu duket politika e mirë, duhet ta parashikonin kohë më përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura