PD reagon për paketën “Anti-KÇK”, Alibeaj: Le ta nisë zbatimin me goditjen e mikut të Taulant Ballës

Feb 3, 2020 | 15:20
SHPËRNDAJE

enkelejd alibeaj

Partia Demokratike kërkon që qeveria ta nisë zbatimin e ligjit anti KÇK me pasurinë e mikut të deputetit te PS, Taulant Balla.

Ish deputeti Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat ka nxjerrë emrin e Edmond Begos, për të cilin thotë se ka “marrë në mënyrë të paligjshme mbi 14 milionë euro tendera publikë”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

Edi Rama paralajmëroi me bujë se sot do të niste goditja e madhe kundër krimit të organizuar, duke goditur pasuritë e paligjshme të tij. Asgjë nuk ka për të bërë përtej propagandës, sepse pushteti i Edi Ramës varet nga krimi i organizuar, nga trafikantët e dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nga vrasësit dhe kriminelët më të rrezikshëm të vendit, që blejnë dhe sigurojnë vota për pushtetin e tij.

Në qeverinë e Edi Ramës krimi u bë pjesë e politikës. Kriminelët u bënë deputetë, u bënë kryebashkiakë. Në rastet kur ata nuk hynë në politikë drejtpërsëdrejti, kriminelët krijuan lidhjet me pushtetin e Edi Ramës dhe u bënë biznesmenë të fuqishëm, duke marrë fonde publike nga tenderat korruptive të qeverisë së tij.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe pasurive të tij të paligjshme është emergjencë kombëtare, por kjo e Edi Ramës është vetëm propagandë dhe tallje me shqiptarët, në përpjekje për të të mbuluar bashkëqeverisjen e tij me krimin.

Nëse nuk do të ishte kështu, trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego nuk do të kishte marrë nga qeveria e korruptuar e Edi Ramës tendera, leje dhe licenca.

Që kur lidhi miqësi me Taulant Ballën, numrin 2 të Partisë Socialite, Edmond Bego ka marrë 14 milionë euro para publike, në shkelje të ligjit të prokurimit publik, i cili përjashton nga pjesëmarrja në tender personat e dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

Le ta nisë zbatimin e ligjit anti KÇK me goditjen e trafikantëve të dënuar të drogës dhe pasurive të tyre të paligjshme, si Edmond Bego i Taulant Ballës, për të cilin, bashkë me Erion Veliajn, ndryshuan rrjedhën e lumit të Lanës, duke i hapur rrugën pastrimit të 60 milionë eurove.

Miku trafikant i Taulant Ballës është vetëm një shembull se Edi Rama, i kapur në flagrancë me krimin e organizuar, po bën makiazh me ligje fasadë për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes së tij me krimin dhe pasurimin e krimit me paratë e shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura