PD: Rama të bëjë transparencën për 5 milionët

Jun 13, 2013 | 12:20
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike i kërkoi dje kryetarit të Partisë Socialiste të bëjë transparencën e plotë të deklaratës së tij të pasurisë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, pasi adresoi disa pyetje, i kërkoi Edi Ramës të tregojë se sa të ardhura ka përfituar nga shitja e librit të tij “Kurban”. “Kanë kaluar pesë ditë dhe akoma nuk e kemi dëgjuar të vërtetën nga Edi Rama mbi arsyet për thyerjen e ligjit për deklarimin e të ardhurave. Dhe me çdo ditë heshtje që kalon, ngrihen pyetje edhe më serioze mbi mashtrimin e Ramës. Edi Rama akoma nuk u është përgjigjur pyetjeve elementare mbi deklarimin e të ardhurave nga dje. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Dhe akoma pas pesë ditësh Edi Rama refuzon të përgjigjet”, tha Vorpsi. Sipas saj, mbeten ende pa përgjigje shumë pyetje për të cilat Rama është i detyruar të përgjigjet. “Pse ka një diferencë midis 9.3 milionë lekëve që deklaron Rama nga ‘Kurbani’ dhe 4.3 milionë lekëve që deklarohen që ka paguar botuesi? Nga kanë ardhur 5 milionë lekë të ardhura të pashpjegueshme që deklaron Rama? A ka kontraktuar shpërndarës të tjerë për librin Rama? A ka fituar të ardhura të tjera duke shpërndarë ‘Kurbanin’ vetë? Në të dy rastet Rama ka përgjegjësinë për të qartësuar të ardhurat – dhe të sigurohet që ka paguar taksat për këto të ardhura. A e ka bërë këtë? Kur më në fund Rama plotësoi deklarimin e të ardhurave më 7 qershor, a e ka plotësuar diferencën e obligimeve tatimore? Dhe a i ka paguar këto taksa apo jo?”, tha zëdhënësja e Partisë Demokratike. Sipas saj, në fillim kjo u duk si një problem i thjeshtë harrese nga Rama për të plotësuar deklarimin dhe hedhja e fajit te të tjerët – siç bën gjithmonë”. “Tani pyetjet janë bërë më shqetësuese. Qytetarët meritojnë përgjigje. Është koha që Rama t’i japë fund fshehjes nga qytetarët të skemës së tij të evazionit dhe të ballafaqohet me qytetarët”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura