PD: Rama, producent i dobët shfaqjesh televizive. S’ka degë palme që mbulon dështimin e tij

Apr 28, 2015 | 19:27
SHPËRNDAJE

Në një kundërpërgjigje të deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimin e projektit “Kantieri i Rilindjes Urabe”, PD e quan Ramën “një producent i dobët shfaqjesh televizive”, e ndërsa arritjet që u pasqyruan përmes dokumentarëve, PD thotë se “nuk ka degë palme që mbulon dështimin e tij monumental si një kryeministër”.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Florion Mima, ngre pyetjen: Cilin shqiptar kanë ndihmuar milionat e bëra rrush e kumbulla për trille dekorative e pasurim klanesh?

Florion Mima 

E ndërsa e ka vetë një përgjigje: Milionat që ai po shpenzon për fushatë elektorale, me fasada qytetesh, nuk kanë ndihmuar askënd, përpos klientelës që po pasurohet me këto tendera. Fasadat, sidomos ato që lyhen vetëm nga faqet e shesheve, nuk sjellin zhvillim. Në të kundërt, përse 16 mijë qytetarë të vendit, sipas raportimeve të mediave serioze, kanë lënë vendin vetëm në 3 muaj, në një eksod të dëshpëruar pa fund e pa krye, vetëm për t’i ikur skamjes?”,- theksoi Mima.

“Si mund të kesh guximin t’u shesësh qytetarëve një Shqipëri që nuk ekziston, kur në vend ka mbërthyer kriza e urisë? Shfaqja e sotme me siguri do të marrë çmimin si provokimi më i madh i bërë në këto 25 vite. Ndërsa vetë producenti, Edi Rama, do ta marrë më 21 qershor vlerësimin e publikut, të qytetarëve, të popullit që po e shtyp dhe e sundon me arrogancë e arbitraritet prej 2 vitesh”,- përfundoi deklaratën për mediat Florion Mima.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura