PD: Rama dekoron vrasësit e diktatorit Hoxha

Nov 29, 2015 | 12:57
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka reaguar pas lajmit të publikuar nga mediat mbi dekoratat nga Qeveria të funksionarëve të PPSH-së.

“Dekorimi nga Edi Rama i xhelatëve më të urryer të regjimit komunist, i hetuesve, prokurorëve e gjykatësve që kanë vrarë pa gjyq, kanë dënuar me vdekje, kanë internuar, torturuar e dhunuar mijëra qytetarë gjatë diktaturës, është një akt i pashembullt armiqësie, është një dënim i dytë që i bëhet familjeve të viktimave dhe gjithë shoqërisë që ka vuajtur për 45 vjet privimin e çdo të drejte dhe lirie, që ka vuajtur deri në krizën e urisë, nga pushteti i Enver Hoxhës”,- tha Edi Paloka në një deklaratë shtypi.

Edi Paloka
Edi Paloka

“Ky vendim monstruoz është marrër nga qeveria me rastin e 70 vjetorit të çlirimit, dhe është mbajtur i fshehtë për një vit”,- vijoi më tej Paloka.

“Edi Rama me dekorimet që ka dhënë, del qartazi se nuk ndryshon aspak nga hetuesi i At Zef Pllumit, nga hetuesit, prokurorët e gardianët e zinj, që kanë ushtruar tortura çnjerëzore ndaj atyre që nuk mendonin njësoj me regjimin, apo që besonin në Zot.
Ky akt i rëndë i dekorimit të xhelatëve, është zyrtarisht glorifikimi që Edi Rama po i bën diktatorit Hoxha, një projekt që ai e nisi me festimet me portretin e tij, e që tani po e dekreton me medalje qeveritare gjithë xhelatëve që kanë vrarë e kanë prerë në emër të Enverit”,- deklaroi Paloka duke kujtuar protestën e opozitës pas disa ditësh.

“Me 8 dhjetor nis përballja pa kthim. Asnjë regjim, nuk ka fituar dot mbi popullin. Dhe ky i sotmi, regjimi i krimbur në korrupsion e krim, që glorifikon diktaturën, i ka ditët e numëruara”,- përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura