PD: Qeveria nën akuzë pas dëshmisë së ish shefit të anti-drogës

Sep 3, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka reaguar sot pas një interviste të ish shefit të anti-drogës në Fier, Dritan Zagani lidhur me trafikun e kokainës në Jug të vendit.

Deputeti i PD, Flamur Noka
Deputeti i PD, Flamur Noka

Ish ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha në një konferencë për shtyp se pas dëshmive të ish policit tani qeveria dhe ministria janë nën akuzë për lidhje me trafikantët.

“Sot, krerët e lartë të Policisë dhe qeveria janë nën akuzë për favorizim të trafikut të drogës, për lejimin e rrugëve të transportit të saj, për dhënie imuniteti ndaj grupeve të strukturuara kriminale. Akuza vjen nga një oficer i lartë policie, i cili shpjegon mekanizmin kriminal, si ishin të organizuara bandat e trafikut të drogës në Vlorë pas vitit 2013, lidhjet e tyre me krerët më të lartë të policisë dhe qeverisë në Tiranë. Oficeri që ka hetuar për shumë kohë këto grupe kriminale, deklaron se informacionet që dërgonte tek eprorët, shiteshin tek trafikantët dhe aksionet dekonspiroheshin”, deklaroi Noka.

Sipas tij “lidhjet e krimit kanë shkuar deri aty, sa oficeri  dhe burimi i tij i informacionit, janë kërcënuar nga trafikantët. Tradhëtia e policisë në misionin e saj shkon deri aty sa dhe bandat e drogës kishin siguruar edhe të dhënat personale të oficerit dhe bashkëpunëtorit të tij në terren. Akuzat e oficerit  që ka hetuar rrjetin kriminal të drogës në Vlorë, janë tronditëse dhe kanë shokuar mbarë opinionin publik. Deri në këtë moment që flasim, nuk ka asnjë reagim nga krerët e policisë dhe nga Ministri i Brendshëm. Pushteti i bandave, mbrojtja e tyre, imuniteti dhe pakrekshmëria, tradhëtia që i është bërë policisë dhe oficerëve që kanë hetuar trafikun e drogës, është sot çështja më e mprehtë publike, është kauza e gjithë vendit. Krerët e Policisë janë nën akuzë, qeveria dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuzë. Heshtja e tyre vërteton implikimin e drejtpërdrejtë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura