Del video, Basha krah Metës në SHBA. Kreu i PD e përkufizon si…

Jul 26, 2016 | 17:50
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta janë së bashku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u hap konventa e Hilari Klinton për zgjedhjet presidenciale.

Në një video të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, në më shumë se një rast, Basha e Meta janë filmuar bashkë gjatë takimeve me personalitete të huaja.

Njërin prej këtyre takimeve të shkurtra ata e zhvilluan me kryetarin e Parlamentit të Suedisë Urban Ahlin.

Siç dëgjohet edhe në video, Basha e përkufizon Metën si njeri shumë konstruktiv.

Meta dhe Basha, gjate takimeve ne SHBA
Meta dhe Basha, gjate takimeve ne SHBA

Ndërsa Meta i drejtohet homologut të tij suedez duke i thënë “social demokratët suedezë më kanë trajnuar sesi të luftoj për konsensus”.

Meta i referohet zhvillimeve të javës së kaluar kur Parlamenti votoi me 140 vota pro ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

Në një moment tjetër Basha ishte me Majkon dhe pranë tyre eurodeputeti Knut Flanckerstein.
“Reforma kishte 0 armiq, ndërsa konsensusi kishte disa por u zgjidh”, thotë Basha.

Ceremonia e hapjes së Konventës së Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton pritet të marrë emërimin si kandidatja demokrate për Presidente e SHBA-ve ka bërë bashkë kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe kreun e LSI-së, njëherësh kryeparlamentarin Ilir Meta.

Basha, Majko,Xhacka
Basha, Majko,Xhacka

***

Me herët Basha ishte i pranishëm në Forumin e Liderëve Botërorë me ftesë të Institutit Kombëtar Amerikan NDI.

basha2

“Basha u takua me liderë nga vende të ndryshme të Europës, pjesëmarrës në këtë forum. Kreu i demokrateve u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane, Antonio López-Istúriz. Sekretari i Përgjithshëm i PPE-së vlerësoi rolin dhe kontributin e zotit Basha dhe Partisë Demokratike në realizimin e amendamenteve kushtetuese bazuar në standardet më të mira europiane”- njofton PD.

Sipas njoftimit, Lopez vlerësoi lidershipin e Bashes në procesin e hartimit dhe miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi si dhe ligjin e dekriminalizimit dhe rikonfirmoi gjithë mbështetjen e PPE-së për Partinë Demokratike në rrugën e saj të rikthimit në pushtet dhe krijimit të alternativës që do tu japë shpresë dhe zhvillim shqiptarëve dhe garantojë ecjen e sigurt drejt integrimit europian.

basha1

Ndërsa në takimin me eurodeputetin Knut Fleckenstein, Basha i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij të vyer për Reformën në Drejtësi.

Duke vleresuar lart rolin e tij dhe të Eurodeputetit Eduard Kukan në mbështetje të konsensusit Basha u shpreh se ndihma e tyre ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme në kushtet kur ndonëse Reforma në Drejtesi nuk kishte prej fillimit asnjë kundërshti, konsensusi politik kishte armiq të egër të cilët bënë gjithçka për të përjashtuar opozitën.

Basha u takua edhe me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Madeleine Albright, kontributi i së cilës është i pazëvendësueshëm për çlirimin e Kosovës si dhe me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, me ish –presidenten Atifete  Jahjaga me eurodeputeten Tanja Fajon si dhe me ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura