PD publikon foton e policisë italiane: Artur Bushi, kandidati i PS-së në Krujë i dënuar për trafik droge

Apr 14, 2015 | 10:46
SHPËRNDAJE

Pasi akuzoi kreun e qeverisë për zgjedhje të ‘Mr. Kokainës’ për bashkinë e Krujës, PD-ja ka faktuar sot akuzat e veta, duke publikuar foton e policisë italiane dhe lajmin në median fqinje.

Foto e njoftimit te policise Italiane, ne rreth Artur Bushi

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka publikuar sot gazetën italiane që shkruan lajmin e arrestimit të Artur Bushit, deputet i PS-së dhe së fundi i zgjedhuri i PS-së për bashkinë e Krujës.

Në një deklaratë për media, Paloka akuzoi Ramën se po vijon me zgjedhje të personave të inkriminuar, që pasi i bëri deputet po synon t’ua paraqesë shqiptarëve si alternativë në zgjedhjet vendore.

“Edi Rama mbahet se e njeh mirë italishten dhe e viziton shpesh vendin fqinj. Ka qënë edhe në zonën e Varezes në Lombardi. Ja çfarë shkruan një gazete atje në 12 qershor të vitit 2010, rreth ndalimit të një bande që trafikonte drogë nga Holanda në Itali. Arresohet Artur Bushi, detto “Turi”, shkruan media italiane. “Une vera e propria banda”, thotë Varese news. Media prej disa kohësh ka publikuar të dhëna për këtë ngjarje të arrestimit për drogë të deputetit të Edi Ramës, Artur Bushi. Ja ku është gazeta italiane. Kryeministri ynë italishtfolës, që e përzgjodhi detto “Turi”, për ta futur në parlament, tani ka vendosur ta kandidojë atë për kryetar të Bashkisë së Krujës”- tha Paloka.

Lajmi ne gazeten italiane

Ai tregoi nje tabele në ekran. “Aty është fotoja e kandidatit të Edi Ramës për Krujën. Kjo nuk është një tabelë e nxënësve të dalluar, por është shpallje e policisë italiane për bandën e drogës. Me kandidimin e Bushit, Edi Rama ka vendosur zyrtarisht të dalë kundër dekriminalizimit. Jo vetëm e përzgjodhi dhe i hapi dyert e parlamentit, por tani kryeministri po e thellon inkriminimin duke bërë një pakt tjetër me trafikantin, duke u përpjekur për ti dhënë më shumë pushtet, duke sfiduar hapur qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë”- tha ai.

Sipas tij, Rama nuk do tia dalë dot, kundër të gjithëve, kundër qytetarëve të vendit, kundër partnerëve ndërkombëtarë, kundër opozitës, kundër nevojës së kohës.

“Dekriminalizimin do ta bëjnë mbarë shqiptarët me 21 qershor, duke refuzuar skemën kriminale, etërit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta”- përfundoi Paloka.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura