PD- PS “shkrijnë” të vegjlit, PR dhe PDIU pa grup parlamentar

Sep 10, 2015 | 8:44
SHPËRNDAJE

Nisja e sesionit të ri parlamentar është shoqëruar dhe me shkrirjen e dy grupeve parlamentare në Kuvend. Bëhet fjalë për grupin parlamentar të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe grupin e Partisë Republikane, të cilët nuk figurojnë më në listën zyrtare të faqes “onlinë” të Parlamentit.

Deputetët e PDIU
Deputetët e PDIU
Nga pesë që ishin në total, Kuvendi ka mbetur me 3 grupe parlamentare, socialistët, demokratët dhe grupi i LSI-së. Largimi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet nga koalicioni i opozitës ka bërë që Partia Demokratike t’i marrë mbrapsht deputetët që i kishte dhënë “hua” për të formuar numrin e nevojshëm për të krijuar një grup parlamentar. PDIU në sesionin e shkuar kishte në total 5 mandate të saj dhe dy deputetët të marrë “borxh” nga Partia Demokratike për të plotësuar numrin e nevojshëm.

Nga kalimi me maxhorancën e majtë, PDIU nuk ka arritur të tërheqë me vete një prej deputetëve të saj të qarkut të Vlorës, Dashamir Tahirin. PDIU ka ngelur vetëm me katër deputetë, Shpëtim Idrizin, Omer Mamon, Tahir Muhadinin dhe Aqif Rakipin.

Ndërsa dy deputetët e PD-së, Alban Zeneli dhe Gjovalin Bzhetaj, pritet të rikthehen në grupin e tyre. PDIU pritet që të afrojë deputeten e larguar nga grupi i PD-së, Mesila Doda, ndërkohë që do t’i duhen dhe dy deputetë nga PS-ja për të formuar zyrtarisht grupin e saj. Sesionit të ri nuk i ka rezistuar as grupi parlamentar i republikanëve të Fatmir Mediut.

Grupi i PR-së kishte në sesionin e shkuar 4 mandate të saj, ndërkohë që kishte marrë 3 deputetë hua nga demokratët. Me “shtegtimin” e dy deputetëve të PR-së, fillimisht Luan Duzha dhe me pas Ylli Shehu te Lëvizja Socialiste për Integrim, republikanët kanë mbetur vetëm me dy mandate.

Nga ish-grupi i PR-së ka mbetur vetëm kryetari Fatmir Mediu dhe deputeti i Durrësit, Agron Duka. Ndërkohë që pjesa tjetër e deputetëve ishin të Partisë Demokratike, përkatësisht Mhill Fufi, Bedri Hoxha, Mimoza Hajdarmataj. Nuk dihet nëse në këtë sesion PR-ja do të arrijë ta ringrejë grupin e saj, që në bazë republikane kanë vetëm dy deputetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura