PD përshëndet ngritjen e SPAK, akuza kryeministrit: Po bën ligjin ‘Rama Kap ÇA T’KAPËSH’

Nov 25, 2019 | 14:26
SHPËRNDAJE

Duke vleresuar ngrirjen e SPAK, si një shans real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë, PD ka leshuar akuza per kryeministrin Rama, duke deklaruar se qe ne diten e ngritjes “SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me radhë”.

bardhi

Ne nje deklarate per mediat nga selia blu, sekretari i pergjithshem i PD-se, Gazment Bardhi theksoi se “Megjithëse qeveria bëri gjithçka për ta vonuar ngritjen e SPAK-ut me 3 vjet, Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e tij dhe të Byrosë Kombëtare të hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture”.

Sipas Bardhit, Rama sot, me një shfaqje qesharake propagandistike njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë

“Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias. Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia. E reja e vetme e ligjit “Rama Kap Ça t’Kapësh” është marrja e kompetencave të SPAK-ut dhe BKH-së, duke ia dhënë ato një grupi nën kontrollin e Kryeministrit”- tha ai.

PJESE NGA DEKLARATA E BARDHIT 

Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e njohur gjerësisht si SPAK, është mekanizmi i duhur kushtetues për të përmbushur një nga kërkesat kyçe të shqiptarëve dhe të partnerëve të huaj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së të fortëve, promovuesve të tyre në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar.

Pas vendimit të sotëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Partia Demokratike përshendet ngritjen e SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.

Megjithëse qeveria bëri gjithçka për ta vonuar ngritjen e SPAK-ut me 3 vjet, Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e tij dhe të Byrosë Kombëtare të hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture.

Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

***

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të ringjallur një plan të vjetër, të paligjshëm dhe të dështuar, nga një njëri që i kanë shteruar idetë dhe kërkon që dështimin e tij ta shesë për sukses.

Shqiptarët e dinë mirë që shfaqjet propagandistike dhe krekosjet e kota nuk do ta rikthejnë sigurinë e vërtetë në rrugët tona, fjalët boshe të një Kryeministri të lidhur me krimin nuk do ta ringjallin ekonominë dhe as nuk do të sjellin lekë për xhepat e boshatisura të shqiptarëve nga korrupsioni dhe keqqeverisja e tij.

Rikthimi i modelit të shtetit policor, i rrëzuar më parë si antikushtetues, është tentativë e qartë për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAK dhe BKH, në ditën e ngritjes së tyre, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mes zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.

Ligji është një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar zyrtarisht shtetin policor.

Edi Rama e di mirë se SPAK-u dhe BKH-ja e pavarur është rrezik për të dhe bandën e tij!

Edi Rama nuk mund ta luftojë krimin, pavarësisht spektaklit me të cilin jep premtimet. Ai ka dhënë prova se ka marrë në mbrojtje të gjithë bashkëpunëtorët e tij të kapur në flagrancë me krimin, që nga Elvis Rroshi, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafa, Vangjush Dako, Mark Frroku, Agim Kajamaku. Ai kishte të gjithë shtetin nën kontroll, në dispozicion për t’i hetuar, por bëri të kundërtën, i mori në mbrojtje, fshehu urdhërarrestin ndërkombëtar për kriminelët që futi në parlament, duke u dhënë atyre imunitet, pengoi për 3 vjet hetimin për vjedhjen e zgjedhjeve me dosjet 184 dhe 339.

Kuadri ligjor në Shqipëri për të luftuar krimin e organizuar është i plotë dhe madje shumë i fortë.

Qytetarët presin ngritjen e SPAK dhe BKH për ta zbatuar atë. Qytetarët nuk presin që SPAK-un dhe BKH-në, e ngritur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ta zëvendësojë Edi Rama, Sandër Lleshaj apo Ardi Veliu.

Nën drejtimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Fatmir Xhafës dhe Sandër Lleshit, Policia e Shtetit është provuar që mbron dhe nuk lufton krimin e organizuar, është provuar që mbron dhe nuk lufton trafikun e drogës, sepse në krye të KÇK është vetë Kryeministri. Ai është kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur vota, ai është kapur me klientët e tij duke vjedhur tendera dhe e koncesione.

E keqja është në krye të Qeverisë mafioze të Shqipërisë. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur me nisma propagandistike, që Rama shpall me bujë sa herë Shqipërisë i mbyllet dera e Europës!

Shqipërisë i duhet një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, që mbështet dhe nuk pengon drejtësinë dhe që ka vullnet të vërtetë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura