PD nuk ka nevojë për hapje apo bashkim pa moral, por për reformim të thellë

May 7, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

fitim-zekthi-150x150

FITIM ZEKTHI

Ndarja e qartë e Partisë Demokratike në dy pjesë tregon se ajo është në krizë të thellë, por vetë ndarja nuk është as shkaku dhe as arsyeja pse ajo është në krizë. Kjo do të thotë se dalja nga kriza e Partisë Demokratike nuk ka të bëjë dhe nuk mund të vijë thjesht nga kërkesa për bashkim apo bashkimi i dy pjesëve që janë të ndara.

Një organizim i gjallë shoqëror, qoftë ai shteti, familja, komuniteti, partia, organizata të ndryshme civile etj., bie në krizë jo kur humb një luftë, jo kur i ndodh një fatkeqësi natyrore, jo kur sulmohet nga jashtë, por kur kalbëzohet nga brenda. Arnold Toynbe, një historian dhe filozof i madh i politikës, thotë se shteti, qytetërimi, shoqëria apo organizata rrëzohet, bie në krizë kur “pakica krijuese”, elita drejtuese bëhet narciziste, sheh vetëm veten e saj, mendon vetëm për veten e saj, kujdeset vetëm për interesin e vetes së saj, zhytet në korrupsion, zdërhallet pas epsheve dhe orekseve të saj, ndjek vetëm përmbushjen e këtyre epsheve dhe të kënaqësive të saj. Me pakicë krijuese ai kuptonte drejtuesit politikë, vendimmarrësit e rëndësishëm, njerëzit që përvijojnë konturet kulturore apo diskursin, ata që vendosin cilat janë standardet morale, ata që kanë në dorë hartimin e ligjeve dhe të rregullave si edhe zbatimin e tyre etj.

Edhe Partia Demokratike nuk ka rënë në krizë sepse është ndarë, ajo është ndarë, është zvogëluar, është rrudhur sepse “pakica e saj krijuese”, elita e saj drejtuese është bërë narcisiste, sheh vetëm veten e saj, ka vetëm interesin e vetes dhe ndjek vetëm orekset dhe epshin e saj. Kjo gjë nuk ka ndodhur këto muaj apo këto javë. Kjo gjë ka nisur gradualisht prej kohësh dhe tashmë ka mbërritur në kulmin e saj. “Pakica krijuese” apo elita drejtuese e PD-së kohë pas kohe, ditë pas dite dhe javë pas jave ka heshtur, ka mbyllur sytë, është kujdesur vetëm se si të ruajë karrierën e saj, vetëm se si të ndjekë “kënaqësitë” e saj politike teksa partia zbriste nga një inkoherencë ideologjike në një tjetër, teksa partia sillej dhe mbante qëndrime krejtësisht apolitike dhe antipolitike, teksa partia rrethohej apo mbushej nga njerëz që nuk bartnin asnjë grimë vokacion politik të djathtë, teksa partia mbushej dhe rrethohej nga njerëz që nuk i lidhte asgjë me virtytin moral të djathtë, teksa partia e kthente qeverisjen në një entitet përfitimesh personale dhe më pas njerëzit e këtij entiteti partia i kthente në drejtues të saj etj. Shkurt të paktën që nga viti 2009 “pakica krijuese” ose elita drejtuese lejoi gradualisht kalbëzimin për shkak të narcizmit dhe egoizmit të vet për të mbërritur këtu ku jemi.

Tani, kur Partia Demokratike, e rrudhur, e kalbëzuar është ndarë, prej të paktën dytre muajsh vlojnë thirrjet, kërkesat, përgjërimet për ta bashkuar atë. Këto thirrje dhe përgjërime në të vërtetë bëhen vetëm për t’i treguar bazës se ata “pakica krijuese”, ata elita drejtuese janë të mirë, iu dhemb ndarja, iu dhimbset baza. Kjo është një hipokrizi tjetër dhe është edhe kjo pjesë e faktit që kjo elitë drejtuese është thjesht narcisiste, ndjek oreksin e saj dhe epshin e saj. Nëse ata do të donin Partinë Demokratike, ata nuk do të kërkonin bashkim. Bashkimi i këtyre dy pjesëve të ndara nuk është asgjë, nuk çon asgjëkund, mund të sjellë vetëm dominimin e kësaj elite apo sundimin e “partisë së bashkuar” nga kjo elitë për qëllime narcisiste dhe epshndjekëse të kësaj elite, por kurrë shërimin e krizës apo të kalbëzimit të Partisë Demokratike. PD edhe para ndarjes ishte në këtë krizë, por nuk e shfaqte sepse arrinte të mbronte në njëfarë mënyre interesin dhe narcizmin e elitës së saj.

Kjo elitë drejtuese qëllimisht nuk kërkon zgjidhjen e krizës së Partisë Demokratike, sepse ajo zgjidhje kërkon një reflektim të thellë, kërkon hapje dhe reformim serioz, kërkon pastrim të shkaqeve të kalbëzimit, kërkon gjak, oksigjen dhe inde të fuqishme të reja që ta mposhtin narcizmin dhe ndjekjen e orekseve të elitës drejtuese.

Lëvizja Foltorja, që pretendon se ka marrë me revolucion siç thotë vetë (dhe jo me ligj dhe rregull) godinën, zyrat dhe të drejtën e udhëheqjes së PD-së, pasi u end disa ditë në kërkesa për bashkim, pasi foli dhe trumbetoi disa ditë se po përpiqej për bashkim, tha se e përmbylli këtë fazë. Sipas Foltores, tashmë PD-ja u bashkua është më e fortë se kurrë, është kthyer opozita e vërtetë e vendit dhe po i kall tmerrin Kryeministrit Edi Rama. Sigurisht që kërkesat për bashkim të Foltores, si edhe mjaft të tjerëve që nuk janë në Foltore, ishin hipokrizi dhe bëheshin nga shtysa që thamë e “pakicës krijuese” narcisiste që ndjek oreksin dhe epshet e veta dhe nuk sheh arsyet e vërteta të krizës së PD-së. Lëvizja Foltorja shkoi edhe më larg, e thelloi edhe më këtë tendencë, këtë sjellje të “pakicave krijuese” narcisiste dhe epshndjekëse. Lëvizja Foltorja tha se partia u hap, se në parti u rikthyen shumë njerëz, shumë funksionarë të përjashtuar në këto vite, shumë figura politike që kanë pasur kontribut në këto 20-30 vitet e fundit, që tregojnë se PD dhe Berisha janë të hapur, nuk mbajnë mëri dhe pranojnë edhe kritikët apo kundërshtarët e tyre.

Kjo është një pikë edhe më e rëndë e krizës, kjo e çon mbrojtjen e interesit personal, mbrojtjen e oreksit dhe ndjekjen e epshit prej “elitës drejtuese” në një nivel edhe më të pashpresë.

Në Europën Perëndimore është zhvilluar një debat i thellë intelektual dhe filozofik, debat që zgjati mbi 40-50 vite dhe që jehoi në gjithë botën mbi natyrën e reformës dhe pikat, në të cilat ajo duhet të ecë. Një debat i tillë është bërë në njëfarë kuptimi prej shekujsh po i strukturuar, i nxitur edhe nga nevoja e madhe, ai është bërë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë debat u përfshinë dy filozofi, dy qasje, dy mendësi, dy botëkuptime.

Një organizatë në krizë është si një lumë që nuk ka ujë të rrjedhshëm, si një lumë me pak ujë, ku uji rri në vend dhe kësisoj lumi kthehet në kanal me ujë të ndenjur, të ndotur dhe me mikrobe. Të dyja anët e debatit e pranonin metaforën e lumit të kthyer në kanal dhe të nevojës gjigande për ujë të ri të pastër që ta bëjë rrjedhën të fortë dhe t’i japë jetë lumit. Konservatorët, të djathtët, ata që disa parime i quajnë të përhershme, të paprekshme, të pashkulshme, kërkojnë që uji i ri të hyjë në lumë, por lumi nuk duhet të ulë brigjet, lumi duhet të thellohet, duhet të gërryhet, duhet të hiqen sa të munden papastërtitë. Brigjet duhet të rrinë aty të forta në mënyrë që uji i ri të mos prekë kufijtë e parimeve, të mos shembë moralin dhe normat e traditës.

Për anën tjetër, që koha tregoi se ishte e majta, socialistja, komunistja etj., lumi nuk ka nevojë të thellohet, lumi duhet të ulë brigjet dhe uji të dalë përtej brigjeve. Uji, kur del brigjeve të ulura, ka dalë përtej kufijve, ka shkatërruar parimet dhe moralin dhe më e keqja ky ujë krijon pellgje gjithandej në anë të brigjeve. Këto pellgje gjithandej në anë të brigjeve janë pak a shumë pjesë e lumit tashmë, lumë i cili është tmerrësisht i cekët, por edhe pa kufij, pa brigje, pa moral dhe pa parime. Këto pellgje do të ndoten dhe do të bëhen ujë i ndenjur shumë shpejt dhe gjendja do të jetë më keq.

Ajo që bëri Foltorja, hapja me demek e Foltores, është saktësisht kjo qasje e uljes së brigjeve, kjo qasje e prishjes edhe më të kufijve të prishur, kjo qasje e krijimit të pellgjeve pranë brigjeve. PD-ja nuk mund të vitalizohet, nuk mund të reformohet për shkak se në të vijnë të gjithë kundërshtarët, të gjithë ata që kanë sharë dhe sulmuar njëri-tjetrin dhe kanë sharë dhe sulmuar edhe Berishën. Kjo nuk është hapje. PD-ja ka nevojë për ujë të ri të pastër që hyn në një shtrat të gërryer, të thelluar që ruan brigjet. Mbledhja e të gjithë atyre që kanë qenë në PD këto 31 vite dhe që kanë hyrë e dalë nga ajo për shkak të luftës për pushtet, që kanë sharë apo sulmuar, që janë sharë apo sulmuar nuk mund të jetë qëllim dhe nuk mund të tregojë hapje. Kjo është vetëm një përpjekje e “pakicës krijuese” për të ruajtur interesin e vet, për të ndjekur oreksin e vet dhe pa dyshim dëshmi e faktit pse jemi në këtë krizë. Kjo lloj hapjeje pa brigje që ruajnë moralin, që ruajnë koherencën, që ruajnë konsistencën, që ruajnë vlerat politike të së djathtës është në të vërtetë pellgëzim dhe moçalizim dhe nuk do të sjellë asgjë. Nuk mund të sjellë kurrë asgjë. E ka bërë e majta prej një shekullim kudo dhe ka shkaktuar kudo gjendje të këqija morale, politike dhe gjithfarësh. E djathta ekziston për të bërë bash të kundërtën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura