PD: Ministrja Nikolla mban qëndrim fyes e tallës ndaj studentëve, vjen nga universitetet private

Mar 1, 2015 | 17:32
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike kritikon qëndrimin e mbajtur nga Ministria e Arsimit ndaj grevës së studentëve, duke e akuzuar këtë institucion si pjesë të dhunës së ushtruar mbrëmë ndaj studentëve grevistë.

Selia e Partise Demokratike

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se ndërsa opinioni publik priste që Ministria e Arsimit, të tregonte solidaritet me të rinjtë që kërkojnë të drejtën e tyre për arsim, siç do të bënte në fakt çdo ministri e arsimit në botë, qëndrimi i saj është krejt i kundërt, në favor të rrahjes e poshtërimit brutal të studentëve.

“Ministria e Arsimit mbajti një qëndrim racist, duke i stigmatizuar studentët grevistë, duke i ndarë ata në qytetarë të dorës së dytë, që nuk paskan të drejta si gjithë të tjerët. Partia Demokratike e konsideron të turpshëm këtë qëndrim, aq më tepër kur studentët po protestojnë pikërisht për një të drejtë që u është mohuar nga Ministria e Arsimit”,-thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Opozita i rikujtoi ministres së Arsimit Lindita Nikollës se vjen nga radhët e studentëve të universiteteve private, ndërsa shton se “është e neveritshme se si ajo sot, mban qëndrim fyes, tallës e poshtërues ndaj studentëve që kanë të njëjtin status si ajo në të shkuarën e saj”.

Ndërkaq, gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, forcat e policisë ndërhynë duke nxjerrë nga greva studentët pranë Fakultetit të Infermierisë.

Nga ky aksion i forcave të rendit mbetën të lënduar disa prej studentëve, ndërsa në një deklaratë për mediat nga Këshilli Studentori i Tiranës, u tha se nuk do të ketë pjesëmarrje në orët e mësimit dhe në provimet e radhës deri sa të zgjidhet problemi me tarifat e studentëve të ardhur nga universitetet private drejt atyre shtetërore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura