PD: Meta pas paraqitjes në prokurori me vrap në zyrën e Tahirit, pse?

Mar 6, 2015 | 13:26
SHPËRNDAJE

Kreu i grupit kuvendor të PD, Edi Paloka, tha se sa kohë që është veshur me pushtetin e kryekuvendarit, Ilir Meta përbën pengesë serioze për një hetim objektiv e të painfluencuar të çështjes “Doshi”. “Që ky hetim të jetë i plotë dhe i besueshëm ka vetëm një rrugëdalje. Ilir Meta duhet të japë dorëheqjen nga posti që mban e ti hapë rrugën drejtësisë”, tha sot Paloka në një deklaratë për mediat. Sipas selisë blu Meta prej 4 ditësh publikisht i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, i thelloi dyshimet ndaj tij sot kur menjëherë pasi u pyet në Prokurori, “e mbajti frymën në zyrën e Ministrit të Brendshëm, para se Tahiri të nisej vetë në Prokurori për t’u pyetur”.

Edi Paloka

“I akuzuari për organizimin e dy vrasjeve, i doli përpara të akuzuarit tjetër, Tahirit, si fshehës i ngjarjes, pak përpara se ky i fundit të shkonte për të dëshmuar.

Ilir Meta dhe Saimir Tahiri janë personazhet kyç në këtë histori, njëri i akuzuar si porositës i vrasjeve, e tjetri si negociator mes palëve dhe vrasësit të dyshuar, dhe sigurisht kanë nevojë të konsultohen për skenarin e tyre.

Ata kanë bashkëpunuar ngushtë deri më tani në të gjitha përpjekjet e bëra për manipulim e rrjedhje informacioni në media, me qëllim krijimin e alibisë dhe çorientimin e opinionit publik, që të mos merret vesh e vërteta”, tha Paloka në një dalje për mediat pas paraqitjes së Metës në Prokurori.

PD pyet se pse menjëhere pas marrjes në pyetje në Prokurori, Ilir Meta e mbajti vrapin në zyrën e Ministrit të Brendshëm?

“Cili është plani i tyre, çfarë alibie po gatuajnë në errësirë kumbarët në pushtet?”, pyet PD 

Për Partinë Demokratike asnjë intrigë dhe skemë mafioze nuk e ndihmon dot Ilir Metën, i cili sot nuk pranohet nga asnjë qytetar i vendit si Kryetar Kuvendi.

“Mbarë populli e sheh atë nën akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në 25 vite politike. Asnjë alibi, manipulim e skenar mafioz, nuk do ta shpëtojnë dot nga përballja me të vërtetën”, thotë PD në deklaratën e saj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura