PD: Kokëdhima si deputet ka përfituar 150 herë nga fondet publike, kërkesë Metës për ndërprerjen e mandatit

Feb 27, 2015 | 18:03
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike akuzon deputetin Koço Kokëdhima se vetëm në 6 muaj, ka shkelur 150 herë Kushtetutën. Sipas PD-së, Koço Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private.

Deputeti i PD-se, Gent Strazimiri

Duke cituar neni 70 i Kushtetutës, deputeti i PD-së Gent Strazimiri, deklaroi se thuhet qartësisht se detyron deputetin Koço Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionerit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën, ndërsa pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.

“Ai jo vetëm nuk hoqi dorë nga aksionet dhe nga përfitimet e të ardhurave nga Buxheti i Shtetit, por në nëntor të vitit 2013, pra 3 muaj pasi ishte bërë deputet, i rriti aksionet e tij në kompani, duke u bërë aksioner i vetëm me 100 për qind. Koço Kokëdhima ia ka dalë disa herë ti shpëtojë ndëshkimit të ligjit, dhe ai është një shkelës i përsëritur, me ndërtimin e sarajeve 20 metra larg detit, e me disa ndërtime të tjera në Tiranë”,-deklaroi Strazimiri.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të trajtojë me shpejtësi kërkesën saj për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, për mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima.

“Me miqësinë që ka me Edi Ramën, ai mund të vazhdojë të jetë beu i Jugut, por deputet nuk është më. E ka humbur mandatin. Dhe një këshillë falas: Sugjeroju “juristëve” të tu, të lexojnë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin “Beqja”, gjithashtu mik i Ramës, shkelës vetëm në një rast i ligjit, dmth të paktën 149 herë më pak se ti”,-deklaroi deputeti i PD-së. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura