PD, protestë të enjten për largimin e Metës

Mar 6, 2015 | 7:28
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka vendosur të zhvillojë të enjten protestë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Vendimi është marrë dje në një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe kryetarëve të degëve të PD-së.

Gjate mbledhjes se kryesise se PD

Burimet thanë se në mbledhje është kërkuar mbajtja e protestës në Tiranë për të nxitur dekriminalizimin deri në largimin e Ilir Metës nga detyra, pas akuzave që janë bërë ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi.

Ndërsa mësohet se protesta e datës 12 nuk do të jetë e fundit. Burimet thanë se në mbledhjen e Grupit është vendosur që protestat në Tiranë të vijojnë deri në dorëheqjen e Metës. Gjithashtu mësohet se protesta do të bëhet dhe kundër pasigurisë së krijuar në vend, kriminalizimit, tritolit dhe atentateve, që sipas PD kanë cenuar sigurinë e jetës. Ndërsa kryefjalë do të mbetet dekriminalizimi, që për PD-në duhet të nisë nga largimi i Metës nga Parlamenti. Kjo pasi ai është i akuzuar për organizimin e vrasjes së dy deputetëve.

Po ashtu, mësohet se Grupi Parlamentar ka vendosur që protesta të jetë dhe kundër varfërisë dhe papunësisë. “Protesta do të jetë dhe zëri i qytetarëve kundër varfërisë, papunësisë e padrejtësive të përditshme të qeverisë, sidomos me faturimin abuziv të energjisë që po krijon drama sociale”, mësohet të jetë shprehur kryetari i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve të PD-së.

Ndërsa është kërkuar që degët e PD-së të nisin punën për organizimin e protestës, që do të mbahet në datën 12 në kryeqytet. Ndërkohë që burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së janë shprehur se protesta e së enjtes nuk do të jetë e fundit, pasi PD do të vijojë të kërkojë largimin e Metës deri në dorëheqjen e tij, për t’i lënë Prokurorisë mundësinë e zbardhjes së të vërtetës mbi akuzat e ngritura prej Tom Doshit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura