PD, formulari që shmang të inkriminuarit nga listat. Kandidatët do tregojnë nëse kanë qenë të dënuar

Mar 26, 2015 | 1:00
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka nisur fazën e dytë të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit, ku do të përfshihet parandalimi i përfshirjes së emrave me precedentë penalë.

Në këtë fazë vetë kandidatët do të deklarojnë në një formular të posaçëm gjendjen gjyqësore. Pas kësaj, në PD do të ngrihet komisioni i integritetit, i cili do të verifikojë të dhënat. Raporti që do të hartohet nga komisioni, do t’i përcillet Kryesisë së PD-së, ku do të votohet emri që do të konkurrojë për bashkinë përkatëse më 21 qershor.


FORMULARI

Në një nga pikat e formularit që u është dhënë kandidatëve për garën e bashkive kërkohet deklarimi i gjendjes gjyqësore. Kandidatët do të duhet të saktësojnë nëse janë “të padënuar”, në “proces gjyqësor” apo nëse “kanë qenë të dënuar më parë”. Kjo për t’i paraprirë procesit të ndalimit të kandidimit të personave që kanë pasur precedentë penalë, duke nisur në këtë mënyrë procesin e dekriminalizimit.

Kryetari i PDsë, Lulzim Basha, është shprehur pak ditë më parë se në selinë blu do të ngrihet “komisioni i integritetit, që do të ketë si detyrë ekskluzive kalimin në sitë të çdo kandidature për anëtarë të këshillit apo kandidatë për pushtetin vendor, për të parandaluar me sa mundemi në kuadër të legjislacionit aktual depërtimin e çdo personi me rekorde të tmerrshme kriminale”.

Po ashtu, kandidatët do të duhet të plotësojnë në formular të dhënat me arsimin e tyre, si dhe aktivitetin publik. Një tjetër pikë e kërkuar për t’u plotësuar është dhe lidhja e kandidatit me zonën ku do të shpallet garues. Kjo pasi shumë nga emrat banojnë në një tjetër qytet nga ai ku janë shpallur kandidatë.

URDHRI
Formulari që do të plotësohet prej kandidatëve të PD-së është i mbështetur në urdhrin e datës 18 shkurt të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. “Pretendent për kandidat mund të jetë çdo person që: 1)plotëson kushtet ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor; 2)ka formim të mirë qytetar; 3) ka një aktivitet të mëparshëm në dobi të publikut; 4) ka njohje të mirë të komuniteteve brenda njësisë vendore ku kandidon; 5) ka demonstruar mbështetje dhe promovim të ideve e të aksionit politik të djathtë, si dhe 6) zotëron aftësi dhe mbështetje për të qenë fitues”, thuhet në urdhrin e Bashës.

Këto pika janë pasqyruar dhe në formularin e posaçëm. Degët e PD-së kanë pasur afat deri më 15 mars për të paraqitur kandidaturat e propozuara nga baza. Pas paraqitjes së emrave, selia blu ka vendosur të nisë fazën e dytë të plotësimit të dosjes. “Pas shqyrtimit të profileve dhe verifikimeve të mëtejshme, si dhe pas konsultimeve me forcat politike që mbështetin koalicionin zgjedhor të drejtuar nga PDSH, Kryesia qendrore miraton kandidatët për kryetar për çdo njësi vendore”, thuhet në urdhrin e Bashës.

BRAHIM SHIMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura