PD e akuzoi për grabitjen e furgonit me drogë, Tahiri e përgënjeshtron: Ja ku fshihet

Nov 25, 2015 | 19:05
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas akuzave që kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, bëri sot ndaj ministrit të Brendshëm se mban të fshehur grabitjen brenda komisariatit të Vlorës të një furgoni me 800 kilogramë kanabis, ka reaguar edhe Saimir Tahiri duke përgënjeshtruar opozitën.

Saimir Tahiri
Saimir Tahiri

Në një status të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Tahiri thotë se u akuzuan se nën urdhrat e tij është vjedhur droga që para disa ditësh u kap nga policia, ndërsa “Pas deklaratës së PD, media u ftua të dëshmonte vetë së gjithçka ishte gënjeshtër”.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri publikoi edhe videon ku shihet furgoni me drogë që ruhet nga policia.

Ministri i Brendshëm deklaron se shpifjet e opozitës nuk i shërbejnë askujt. Ai thotë se këto akuza janë “tallja me e keqe qe opozita mund ti beje vetes. Per ne, nje motiv me shume per te vijuar punen”,-thekson ai.

Më herët, Alibeaj tha se ministri Tahiri ka nxjerrë drogën nga komisariati për ta trafikuar.

alibeaj“Sipas informacineve që vijnë nga oficerë të papërfshirë, që kanë bërë të mundur kapjen e kësaj sasie dhe bllokimin e furgonit në komisariat, droga lidhet me kushërinjtë e ministrit, me habilajt e targës AA003GB. Urdhëri nga lart ka qënë i prerë. Akush të mos flasë, kush hap gojën pushohet nga puna. Skandali u zbulua pasi guardia di financa kapi pastaj në Itali, këtë sasi droge”- tha Alibeaj.

Sipas tij, Tahiri mësohet se ka bërë disa lëvizje në Policinë e Vlorës për të kopsitur përfundimisht çështjen, për ta mbuluar atë.

“Eshtë larguar nga detyra shefi i kufirit të Vlorës për tu zëvendësuar nga një besnik fanatik i Saimirit, dhe me lidhje të forta me habilajt. Ja pra deri ku ka mbërritur shteti i Edi Ramës. Shtet kriminal, me një ministër që nxjerr drogën nga komisariati për ta trafikuar, dhe me oficerë në pika kyçe që emërohen nga bandat dhe trafikantët”- tha Alibeaj, duke e mbyllur deklaratën me thirrjen drejtuar shqiptarëve për pjesëmarrje në protestën e 8 dhjetorit, kundër qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura