PD çon në Kushtetuese ligjin për ‘CEZ’: Rama dhe Meta përgjegjës

Sep 24, 2015 | 20:06
SHPËRNDAJE

UDPATE/ Partia Demokratike deklaron se do të dergojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin që sipas saj ndalon hetimin e aferës 600 milionë euro me “CEZ”.

Eduard Halimi ne sot ne konferencen per mediet
Eduard Halimi sot ne konferencen per mediat

Pas dëshmive të fundit të publikuara në media lidhur me procesin gjyqësor mes Qeverisë dhe DIA-s në gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, deputeti i PD-së, Eduard Halimi, tha se opozita do t’i drejtohet Kushtetueses lidhur me marrëveshjen për “zgjidhjen me mirëkuptim të ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S.”.

“Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milion euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milion euro me Kastriot Ismailajn, dua tiu informoj se në fillim të javës së ardhshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S.””,-tha Halimi. 

Në një deklaratë për mediat të mbajtur mbrëmjen e së enjtes nga selia e PD-së, Halimi bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta për afera korruptive me CEZ që sipas tij kapin shifrat e miliona eurove.

“Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ”,-tha Ai. 

Deputeti i PD-së paralajmëroi për një tjetër nismë që do të merret nga opozita në fillim të javës së ardhshme. “Po ashtu, dua tiu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga prokuroria e vendit. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre.”,-deklaroi Halimi.

Përfaqësuesi i opozitës u shpreh se vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar “për të kontrolluar dhe hetuar të gjithë aferën nga Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte një drejtësi në këtë skandal qindra milion euro”.

Halimi foli edhe për videon e transmetuar nga televizioni “News24” ku pretendohet se dëshmitari kyç në këtë çështje kërcënohej për nxjerrjen e të dhënave të procesit gjyqësor.

“Vetëm pak orë më parë, përmes një videoje që u transmetua nga televizioni Neës 24, ne pamë se si një dëshmitar kyç, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje, edhe pse nën mbrojtjen e policisë, është tërësisht vulnerabël, i sulmueshëm, dhe ndaj tij bëhet shantazh. Kërcënohet pikërisht dëshmitari, i cili nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe Ilir Metën”,-deklaroi deputeti i Partisë Demokratike. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura