Akuzat e Doshit, Meta firmos mocionin e opozitës, PD: Ja përse duhet të shkarkohet kreu i Kuvendit

Mar 4, 2015 | 20:07
SHPËRNDAJE

UPDATE-Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka firmosur mocionin e Partisë Demokratike për shkarkimin e tij. Pas mbërritjes së kërkesës së PD-së në Kryesinë e Kuvendit, Meta e ka firmosur atë duke bërë të mundur fillimin e procedurave ligjore. Mësohet se për kërkesën e PD-së, Meta ka njoftuar edhe grupet parlamentare.

Më herët, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend mocionin për shkarkim të kryetarit të këtij institucioni Ilir Meta. Në mocion renditen të gjitha arsyet përse demokratët mendojnë se Meta duhet të lërë postin që mban për ti hapur rrugë hetimeve.

Faksimile e mocionit te PD


Mocioni i plotë

Një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar dje se disponon prova se Kryetari i Kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pra, Kryetari i Kuvendit akuzohet se ka parapaguar vrajsen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Hetimi penal i plotë, i paanshëm, i pavarur dhe efikas i këtyre akuzave bën të domosdoshëm largimin nga detyra të Kryetarit të Kuvendit dhe vënien e tij në dispozicion të organeve të drejtësisë. Kryetari i Kuvendit, nuk ka as legjitimitetin dhe as moralin e duhur, që në emër të organit më të lartë vendimmarrës në vend, t’i kërkojë organit të prokurorisë hetimin  e cështjes. Nuk mund ta bëjë këtë për shkak se është në kushtet e një konflikti flagrant interesi dhe cdo përpjekje e tij e deritanishme në këtë drejtim, është vetëm një tentativë kriminale për t’i bërë presion organeve të drejtësisë duke shfrytëzuar pozicionin kushtetues, për të penguar hetimin e cështjes dhe zbardhjen e të vërtetës.

Kryetari i Kuvendit duhet të largohet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite. Kuvendi nuk mund të mbajë në krye të institucionit një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës, se ka paguar për të vrarë dy deputetë.

Detyra kushtetuese e Kryetarit të Kuvendit është mbrojtja e interesave të deputetëve dhe garantimi i sigurisë fizike të tyre. Ndërkohë që Ilir Meta, akuzohet nga deputetë të mazhorancës si porositës kriminal i vrasjes së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ky mision kriminal i pretenduar nuk ka asnjë lidhje me funksionin kushtetues të Kryetarit të Kuvendit. Deri në sqarimin ligjor nga organet kompetente të kësaj cështje, individët e pretenduar si porositës të vrasjes së deputetëve, nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Detyra e vetme e tyre është të vihen në dispozicion të organit të prokurorisë!

Kjo nuk është cështje e mazhorancës qeverisëse. Kjo është një cështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çeshtje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve. Asnjë qytetar i vendit, nuk mund ta njohë nga dje Ilir Metën si Kryetar të Kuvendit, sepse është nën akuzë si organizator i vrasjes së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Përsa më lart, në mbështetje të pikës 1 të nenit 75 të Kushtetuës, si dhe pikës 4 të nenit 114 të Rregullores së Kuvendit, ne deputet iniciues të kësaj procedure, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Kryetarit të Kuvendit. Vijimi i tij në këtë detyrë, jo vetëm thellon përmasat e këtij skandali, por bëhet një pengesë serioze për punën e pavarur të organeve të drejtësisë.

Duke patur parasysh ngjarjen e rëndë kërkojmë që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të shkarkojë menjëherë Ilir Metën nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është i vendosur që të mos pranojë për asnjë minut më shumë një Kryetar Kuvendi të akuzuar si porositës i vrasjes së dy deputetëve. Ilir Meta nga dje ka vetëm një detyrë – t’i dorëzohet organeve të drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura