PD bëhet gati për zgjedhje të parakohshme, zbardhet programi qeverisës

Jan 18, 2016 | 8:00
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike me nisjen e sotme të sesionit të ri parlamentar do të nisë edhe përgatitjet e strukturave për zgjedhje të parakohshme, duke ofruar për shqiptarët alternativën e saj qeverisëse.

Drejtuesit e 22 departamenteve në Partinë Demokratike kanë gati draftet me propozimet sektoriale që do të ofrojnë për shqiptarët në zgjedhje.

PArtia-Demokratike

Burime pranë selisë blu bëjnë me dije se pas një udhëzimi të kreut të PD-së, Lulzim Basha, drejtuesit e departamenteve prej disa muajsh kanë qenë duke punuar për propozime konkrete që opozita do të ofrojë për shqiptarët, duke përmbyllur në këtë mënyrë edhe fazën e parë të hartimit të programit.

Gazeta “Panorama” disponon propozimet konkrete që krerët e departamenteve do t’i paraqesin kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe që përbëjnë ofertën kryesore për shqiptarët në funksion të zhvillimit ekonomik, rritjes së punësimit, riorganizimit të sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e lehtësirave fiskale për biznesin.

PLATFORMA

Grupi i ekspertëve bashkë me drejtuesit politikë në secilin prej 22 departamenteve kanë përfunduar me hartimin e platformave respektive, ndërkohë që gjatë janarit këto materiale do të kalojnë edhe në “sitën” e ekspertëve të tjerë të fushës.

Ndërkohë, pas miratimit të brendshëm të propozimeve për çdo sektor, demokratët në muajin shkurt do të nisin konsultimin publik të programit me grupet e interesit me qëllim për të përfshirë në dokumentin final çdo shqetësim apo sugjerim të vlefshëm.

Në muajin mars, programet e departamenteve në varësi të sektorëve që mbulojnë do të ofrojnë edhe alternativat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme. Projektet e detajuara do të prezantohen si në rastin e prezantimit të platformës së taksave të Partisë Demokratike, një muaj më parë.

ZGJEDHJET

Kërkesën e fundit për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha, e shprehu tri ditë më parë, teksa Kryeministri Rama kërkoi që Reforma në Drejtësi, nëse nuk do të kishte konsensus politik, të kalonte përmes referendumit.

programiSipas kreut të opozitës, referendumi është i barasvlershëm me zgjedhjet e parakohshme, në një kohë kur edhe vetë qytetarët e kanë grisur kontratën e tyre me kreun e qeverisë. “Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, mundësia që qytetarët, të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale”, deklaroi Basha.

Në qendër të platformës qeverisëse që PD-ja do t’u ofrojë shqiptarëve janë taksat e ulëta. Demokratët kanë premtuar se nën qeverisjen e tyre do të rikthehet taksa e sheshtë, e cila do të jetë edhe më e ulëta në Ballkan në nivelin prej 9 përqindësh.

Një vëmendje e rëndësishme në programin qeverisës që do të prezantohet nga PD-ja ka edhe çështja e sigurisë në vend. Me propozime konkrete në këtë sektor, Departamenti për Rend dhe Siguri ka gati propozimet e tij, që, sipas demokratëve, do t’i bëjë shqiptarët më të sigurt dhe do të ulë ndjeshëm numrin e ngjarjeve kriminale.

Gjithashtu lufta kundër korrupsionit shihet si një prej betejave më të rëndësishme të reflektuar në propozimin e bërë në çdo departament, kjo edhe për shkak të denoncimeve të vazhdueshme të bëra nga deputetët e opozitës për tendera abuzivë të disa prej ministrave të qeverisë.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura