PD akuza Ramës: Shkele afatin për transparencën për stadiumin, po fsheh aferat

May 24, 2016 | 12:09
SHPËRNDAJE
Partia Demokratike duke i kujtuar kryeministrit Rama se shkeli afatin për të bërë transparencë lidhur me projektin e stadiumit të ri, e akuzoi atë se me heshjen po fsheh aferat korruptive.
paloka
Në një deklaratë për media nenkryetari i PD-së, Edi Paloka kujtoi se me datë 3 maj, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike iu drejtua me shkresë zyrtare.
“Kerova informacion dhe vënien në dispozicion të praktikës zyrtare që ka ndjekur:
1. Projekti i Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), 2. Kontratën e partneritetit publik-privat,
3. Procesverbalin e mbledhjes së shoqërisë anonime ku del qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit e shtetit, 4. Procedurat që janë ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese,
5. Dokumentacionin  e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT për miratimin e këtij projekti”- tha ai.
Sipas tij, referuar ligjit Edi Rama është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 15 ditësh.
“Afati ka skaduar, dhe Edi Rama nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Në vend që të zbatojë ligjin e të përgjigjet Edi Rama ka vendosur të thyejë ligjin e të heshtë. Të heshtë e të mos bëjë transparencë për asnjë nga vendimet e ndërtimit të Kullës dhe qendrës tregtare mbi stadium. Eshtë kjo arsyeja pse ai fshihet. Eshtë kjo arsyeja pse ai dëboi me truproja përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gazetarët, edhe pse shpalli gjoja një dëgjesë publike”- tha Paloka.
Sipas tij, Rama e di se sa më shumë të dalin në dritë dokumentet e këtij pakti, aq më shumë zbulohen para publikut përmasat e këtij skandali financiar. Prandaj i fsheh këto dokumente edhe duke shkelur ligjin.
“Po i kujtoj sot se e ka detyrim ligjor të përgjigjet e të vërë në dispozicion praktikën që ka ndjekur. Jam sot këtu për të bërë publike, letrën e dytë, ripërsëritjen e kërkesës për informacion. Partia Demokratike nuk do ta përligjë kurrë këtë projekt korruptiv dhe çdo hap që hidhet në drejtim të realizimit të tij do të trajtohet në kuadrin e ligjit anti-mafia sa i përket personave përgjegjës dhe pasurive të krijuara apo investuara”- tha ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura