“Pazari” i Pogradecit, kandidatja e LSI humbi, por Veliaj e merr drejtore në bashki

Mar 14, 2016 | 8:16
SHPËRNDAJE

Diana Mile, ish-kandidatja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në Bashkinë e Pogradecit, është bërë pjesë e stafit drejtues në Bashkinë e Tiranës. Pasi ka përfunduar konkursin e Departamentit të Administratës Publike, Mile është emëruar Drejtoreshë e Mjedisit në bashkinë e kryeqytetit, ku në fokus do të ketë projektet për gjelbërimin dhe mjedisin.

Diana Mile me Ramen dhe Meten
Diana Mile me Ramen dhe Meten

Pas një polemike të gjatë për shkaqet e humbjes së saj në qershor 2015, ku LSI-ja akuzoi socialistët se nuk e mbështetën për fitoren e Bashkisë së Pogradecit, Mile bëhet pjesë e koalicionit në qeverisjen vendore në bashkinë më të madhe të vendit. Diana Mile ishte kandidatja e LSI-së për Bashkinë e Pogradecit nën siglën e koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, në profesion arkitekte dhe pedagoge e degës së Arkitekturës në Universitetin e Tiranës.

Humbja e saj në një zonë të majtë krijoi jo pak probleme brenda të dy aleatëve kryesorë të koalicionit qeverisës. LSI-ja akuzoi Partinë Socialiste për mosaktivizim të strukturave të saj për të fituar bashkinë nga një kandidate e kësaj partie, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, akuzoi për shitje të votave nga vetë socialistët.

veliaj“Jemi të duruar të presim me qetësi, natyrisht me shumë vëmendje, rezultatin që do të shpallet, por ndërkaq më pas ne do të bëjmë analizat e detajuara për të nxjerrë përgjegjësitë tona, përgjegjësitë e të gjithë aktorëve në garë, por dua të theksoj që, pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në Bashkinë e Pogradecit, i cili ia kalon edhe atij që njihet në mentalitetin apo në psikologjinë popullore, pazarit të Roskovecit”, u shpreh Luan Rama një javë pas daljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, me termin “pazar” nënkupton çdo gjë që ka sjellë rezultatin negativ në Bashkinë e Pogradecit, do të kalojnë në analizë nga ana e partisë çdo votë e hedhur nga qytetarët pogradecarë në kutitë e votimit.

Vetë Mile, në një intervistë për gazetën “Panorama”, akuzoi ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, se bashkëpunoi me kandidatin e PD-së për humbjen e saj. “Në asnjë moment ish-kryetari i bashkisë s’ka qenë pro përzgjedhjes së kandidaturës dhe fushatës sime, duke e ditur që s’do të isha asnjëherë pjesë e tavolinave të tij, ashtu si nuk kam qenë as në të kaluarën. Me daturën time, zotërisë do t’i hapeshin dosjet e betonizimit të përgatitura me aq shumë ‘dashuri’ me pasardhësin e tij”, është shprehur Mile.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura