Pazaret për postin e Presidentit të Kosovës

Dec 15, 2019 | 8:31
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, në letër, përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës. Por historia dydekadëshe dëshmon se pozita e kreut të shtetit përbën simbolin e pazareve politike për qëllime partikulare të subjekteve politike a të liderëve partiakë, shkruan sot Koha Ditore.

presidenca-600x360

Mendësi pazari për këtë institucion ka demonstruar edhe opozita e deritashme, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Vota për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjen Demokratike (LDK) është përkthyer si vullnet i kosovarëve për ta ndryshuar mendësinë e deritashme politike.

Një marrëveshje koalicioni mes këtyre dy partive është vënë në pikëpyetje, pikërisht në kohën kur është qitur në rend dite ndarja e pushtetit, dhe pjesë e këtij pazari është bërë edhe institucioni i Presidentit, shkruan sot Koha Ditore.

Është LDK-ja ajo që e do këtë post, ani se Kosova nuk ka hyrë në orarin kushtetues kur duhet ta bëjë zgjedhjen e Presidentit. Kjo për shkakun se Hashim Thaçit i përfundon mandati tek në vitin 2021.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, që shihet si njeri i cili do që ta pasojë Thaçin në majë të pushtetit, ka insistuar se marrëveshja duhet të përfshijë të gjitha pozitat me të cilat koalicioni potencial do të sfidohet gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.

Ndërkaq lideri i LVV-së, Albin Kurti, fillimisht ka këmbëngulur që në tryezë të negociohen vetëm “karriget e zbrazëta” dhe jo posti i Presidentit. Megjithëkëtë, burime të gazetës kanë thënë se kjo parti është në gjendje të lëshojë pe, në rast se i ofrohet asaj një ministri më shumë nga LDK-ja, ndryshe nga marrëveshja parimore për t’i ndarë proporcionalisht dikasteret qeveritare.

Ngërçi në të cilin janë futur negociatat mes këtyre partive nuk ka kaluar. Përderisa LDK-ja është përcaktuar të mos lëvizë nga qëndrimi, LVV-ja, që ka marrë më së shumti vota më 6 tetor, ka shprehur gatishmërinë të shkohet në zgjedhje të reja, në rast se negociatat për koalicion dështojnë./KD/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura