Pazaret e drogës/ Emigranti u zu në pritë nga 8 persona, ja ç’ndodhi natën e atentatit

Dec 22, 2017 | 13:38
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në aksin nacional Korçë-Ersekë, ku një person u qëllua me armë zjarri nga disa persona, të cilët i kishin zënë pritë në rrugë, Policia ka arritur të identifikojë dy nga autorët dhe të gjejë armën e përdorur prej tyre.

foto ilustruese, Policia e Korçës
foto ilustruese, Policia e Korçës

Sipas të dhënave të Policisë, janë shpallur në kërkim M.D, 39 vjeç, dhe S.D, 59 vjeç, të dy banues në Korçë, pasi në afërsi të një lokali në rrugën Korçë-Ersekë, për motive të dobëta kanë plagosur me armë zjarri, në pjesën e këmbës shtetasin Mina Zoja, 39 vjeç.

Ky i fundit, i cili rezulton që ka pak kohë që është kthyer nga Gjermania, pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin e Korçës është dërguar për ndihmë të specializuar në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër, Policia ka bërë me dije se është sekuestruar mjeti të cilin kanë përdorur për t’u larguar nga vendin i ngjarjes. Automjeti është gjetur i fshehur në një zonë në unazën e qytetit dhe ishte lënë atje nga dy autorët, të cilët pasi e kishin braktisur janë larguar në drejtim të paditur.

Blutë e Juglindjes janë duke punuar për identifikimin e kapjen e personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në plagosjen e emigrantit. 39-vjeçari Zoja mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së martës rreth orës 18:05, ndërsa, sipas të dhënave të para, 8 persona i kanë zënë rrugën.

“Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal dhe po punojnë për kapjen e shtetasve: M.D, 39 vjeç, dhe S.D, 59 vjeç, të dy banues në Korçë. Pasi më datë 19.12.2017, tek një lokal në aksin rrugor Korçë- Ersekë, për motive të dobëta kanë plagosur me armë zjarri, në pjesën e këmbës shtetasin M.Z, 39 vjeç, banues në Korçë, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin e Korçës është dërguar për ndihmë të specializuar në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Po punohet për identifikimin e kapjen e personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje”, bëhet e ditur nga ana e Policisë. Zoja rezulton se është person me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike pasi është dënuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Gjermani për këtë gjë.

Mësohet se i plagosuri sapo ishte kthyer nga Gjermania, ku jetonte prej vitesh, ndërkohë që ende nuk dihet motivi i ngjarjes pasi edhe vetë i dëmtuari ka qenë i rezervuar në dhënien e informacioneve dhe bashkëpunimin me Policinë.

Nga ana tjetër, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që çështja i ka kaluar Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim si edhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura