Pavlefshmëri për 9 qarqe/ Nga Kukësi në Vlorë, ekspertët e PD dorëzojnë të dielën “librin e zi” në KAS

May 8, 2021 | 14:48
SHPËRNDAJE

PD-godina-847x477

MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike pritet të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.

Dosja me provat ku bazohet ky ankimim do të dorëzohet të dielën nga ekspertët ligjorë të PD-së. PD-ja nuk ka pretendime për manipulim të votës për vetëm tri qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë.

Ndërsa e kundërta ndodh për 9 qarqet e tjera: Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë.

Kërkesa e PD-së nuk bën fjalë për hapje të kutive apo rinumërim të votave, po shpallje të pavlefshme të rezultatit për këto qarqe, pasi sipas tyre, provohet se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejtë dhe vullneti është deformuar.

Sipas fakteve dhe provave që kandidatët e PD-së, numëruesit dhe vëzhguesit kanë mbledhur në terren mbi parregullsitë, maxhoranca ka përdorur asetet e shtetit për të manipuluar rezultatin e 25 prillit.

Ndër provat që PD-ja do të paraqesë para KAS janë punësimet e fundit në administratë në tre muajt e fundit, dyfishimi i ndihmës ekonomike apo përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje, si dhe fakte të tjera si dhënia e dëmshpërblimeve për tërmetin e 26 nëntorit javën e fundit para zgjedhjeve.

Ankimimi i PD-së në KAS do të bëjë automatikisht që KQZ-ja të shtyjë me të paktën 20 ditë shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar shpallje të pavlefshme të procesit të votimit vetëm për qarkun e Gjirokastrës, qark në të cilin nuk arriti të sigurojë asnjë mandat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rezultatin paraprak për 25 prillit i jep Partisë Socialiste 74 mandate, PD-së 59 mandate, LSI-së 4 mandate dhe PSD-së 3 mandate.

Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve të 25 prillit, kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim me juristët e PD-së të drejtuar nga Eduart Halimi dhe këshilltarët në PD.

Kur ende nuk kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave në kuti, ekipi ligjor pranë PD-së i kërkoi KQZ-së një numër të madh dokumentesh, videosh dhe kryqëzim të dhënash.

Ndërsa hapi tjetër që ndërmori selia blu përmes grupit të punës ishte porositja e strukturës së PD-së që të dorëzonin çdo material filmik dhe të çdo formati të mundshëm të veprimeve të paligjshme zgjedhore gjatë fushatës, gjatë ditës së votimit dhe në procesin e numërimit.

Grupi i punës që nisi me juristët u përforcua në PD edhe nga IT-ja dhe profesionist të fushave të ndryshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura