Pavarësia, po bëhet efektive 104 vjet mbas shpalljes së saj?

Jun 22, 2016 | 12:15
SHPËRNDAJE

leke tasiLEKË TASI

Pavarësia kërkon dhe politikanë të pavarur, përndryshe mbetet vartësi. Parësore për politikanin është pavarësia personale dhe dytësore të harmonizojë veprimet e tij me ato të udhëheqësit. Kjo bëhet sot më aktuale se kurrë. Nuk ka besë në politikë, ka vetëm akordim (jo rakordësim…), bashkëpunim dhe herë-herë përplasje.

Këtu qëndron ndershmëria ndaj interesave kombëtare. Në fakt, jo aq ndershmëri, por koherencë me pjesën që përfaqëson deputeti. Përderisa politika bazohet në grupe interesi e vepron me parti (= pjesë të shoqërisë), pabarazia është e deklaruar, çdo entuziazëm është hipokrizi, i vetmi pohim që lejohet është jam më i mirë se rivali për të mbrojtur interesat e përgjithshme dhe pastaj pajtim të pozitave me anë dialogu.

Aktorëve politikë u kërkohet së paku besueshmëri në zotimin e tyre të shpallur, dhe çdo ndryshim eventual të këtij, ta argumentojnë bindshëm. Kjo transparencë u jep të drejtën dhe madje detyrën t’ia kthejnë fjalën edhe shefit që kanë mbi kokë, kur ai shkel gabim, ose nuk respekton ligjin. Botëkuptimi i njëjtë dhe ligji i lidh politikanët e një pale, kurse në raste konflikti mes të dyjave ka dhe dorëheqje.

Kjo është struktura e një vendi të pavarur, ku diskutimi i shtruar, dialogu i fortë dhe e fundit kriza qeveritare, e qetë, e pranuar reciprokisht prodhojnë një jetë normale. Pa britma dhe alarme kur s’ka punë për to. Për çfarë tjetër duhet shefi, nëse nuk është aq i fortë në argumentim sa të bindë kolegët; nëse jo, ai duhet t’ia lërë qeverisjen një tjetri që e ka atë zotësi.

Nëse ai vetëm dikton, dhe madje bën shantazh, kjo është shenjë vartësie dhe ai duhet dëbuar, posi në lashtësi që çonin në mërgim edhe një triumfator e politikan gjenial si Themistokliu (që në fakt intrigonte tepër, dhe e keqkuptonin me gjithë meritat e tij jashtë diskutimi).

Sjellja e tepruar autoritare tregon jo autoritet por vartësi, këtë e tregon eksperienca e jonë 100-vjeçare me shumë shembuj, nja katër o pesë rresht, pra thuajse pa ndërprerje… Meqë erdhi fjala, ja dhe e kundërta, përjashtimi që vërteton rregullin. Në Korçën e 1917-s, Themistokliu ynë, Gërmenji, e mërgoi veten mu në fushimin e armikut (si Atil Reguli romak dikur), me vetëdije të rrezikut dhe atje dha jetën që Shqipëria të zinte rrënjë. Por ai kishte përreth burra të aftë e të ndershëm, që me pikëllim në zemër vazhduan punën e tij pa u tundur ( dhe nuk u gëzuan që u zhduk një rival).

Ata bënin punë, por i largoheshin pushtetit, ofiqeve, ndihmonin me të gjitha fuqitë, por i shmangeshin pozitës. Ndaj, jo vetëm u treguan të pavarur, por vunë në vartësi Francën! Duke treguar unitet, dhe me fuqinë e gjakut të kreut të tyre, ia morën dorën Francës nga kyçi dhe e detyruan ( noblesse oblige) të firmoste orën e fundit e me një taktikë rokamboleske mik pas mikut deri në Versajë integritetin territorial të Shqipërisë.

Pavarësia e politikanëve sjell edhe fundin e partive me disiplinë leniniste ose naziste, d.m.th. sjell shpëtimin e Shqipërisë. Është tepër e vështirë të shndërrosh një traditë fisnore dhe izolimi në një Shqipëri të tipit Korçë e 1917, kur edhe konfliktet bëheshin me argumente e me apel përgjegjshmërisë qytetare; përkundrazi, sot po kemi një afrim të Korçës me modelin rrëmujor predominues.

Një pjesë e madhe e jona, mbasi zotohen me një parti, e ndien bashkërreshtimin me kreun si çështje nderi, pra detyrim moral. “I kam dhënë besën” thonë dhe s’luajnë nga vendi. Kjo është më e keqja! E keqe, sepse kreu duhet druajtur, nuk qe ai ideja që ti ke pëlqyer; gjatë këtij shekulli ai vendosej përherë nga i huaji, falë lëshimeve që i bëheshin fshehtas dhe që ne i dinim shumë a pak, por u përshtateshim.

Pra, pavarësinë e kthenim vetë në vartësi dhe falë popullaritetit të tij në një krahinë, ose trimave të mbledhur rreth tij me mjetet e të huajit fort të stërvitur me psikologjinë tonë dhe me të blerët që agjitonin në favor, qeverisja shndërrohej shpejt në autokrate dhe “e lavdishme”, që do të thotë e varur për turpin e shumë politikanëve, që në fillimet e çdo regjimi i afrohen kreut, ndofta me qëllime të mira, dhe nuk shqiten dot më andej. Rezultatet i shohim sot.

Duhet kundërshtuar kreu, qysh me gafën e parë! Diskutimi që në fillim e në vazhdim, kërkim llogarie, disiplina poshtë! Sa vuajtje dhe gjak do të ishte kursyer! Kryesorja është që jo të gjithë kanë vetinë e të qenit klasë e mesme, d.m.th. aftësinë për të krijuar një jetë të rehatshme për familjen, që ashtu ta ndiejnë natyrshëm neverinë për jetën parazitare afër pushtetarit, për lëvizjen kokës në shenjë “po”-je.

Objektivisht, në Shqipëri zhvillimi i pakët ekonomik u ka dhënë historikisht prestigj posteve zyrtare; të kesh një vend pranë kreut, veturën te dera, daljen në ballkon krahë tij, kanë qenë gjërat më të lakmuara për shumicën. Braktiseshin edhe gjëra të dashura, madje dhe siguria e kokës, për hir të tyre. Vetëm hyrja në skenë masivisht e klasës së mesme i shmang komedi të tilla dhe ky është shpëtimi i dytë dhe më i bazuar i vendit.

Të dalësh në mëngjes nga shtëpia dhe të kërkosh në gazetë sa kanë lëvizur titujt e bursës, kjo i ha brumët politikës, ia heq huliganët kreut të gatshëm për çfarëdo shkrepje të tij. Konkretisht, klasa e mesme, sot në formim e sipër, falë diasporës dhe hapjes me botën, ua hap derën e politikës vetëm specialistëve që janë shkolluar për të dhe kanë vizion origjinal për të projektuar e realizuar progresin.

Ata si të sigurt në vete janë gjakftohtë nuk shajnë, diskutojnë me zë normal dhe ky është shpëtimi i tretë i Shqipërisë dhe njëherazi zhgënjim definitiv i të huajit që komandonte kreun e radhës, dhe që kupton tani se duhet të gjejë një rrugë tjetër për të fituar pikë te ne, brenda arsyes së fqinjësisë në barazi.

Ky ndryshim shpresojmë të ndodhë, sepse për çudi këtë radhë janë vetë të huajt, por të një lloji tjetër (jo më ata të devizës “lëre këtë vend edhe ca…”), që ngulin këmbë me politikanët të çdo drejtimi, që të ndodhë ndryshimi, d.m.th. që të lirohen nga psikoza e porosisë nga lart. Kush është i prerë për politikë (d.m.th. i ka aftësitë krijuese, ide) nuk ka nevojë as të bërtasë për post, as të shqetësohet nga mënjanimi i përkohshëm prej postit.

Aftësitë e tij do t’i gjejnë një vend diku, madje ngjitje në rang, kundërshtimet me argumente që e karakterizojnë vijueshëm, janë vlera që çmohen në “bursën” politike o sociale dhe po u vjen radha të kërkohen; kusht i favorshëm për këtë do të jetë doemos bursa e mirëfilltë, ajo financiare, e cila po të dojë bashkësia ndërkombëtare do të krijohet me pasojë ekonominë e kontrollueshme, pra me fundin e vjedhjeve të ligjësuara.

Kështu, edhe fjala që ka qarkulluar se Fuqitë e mëdha na kanë lënë për një afat 100- vjeçar në dorën e fqinjit verior të krijuar nga LPB, mund të vërtetohet ekzakt e jo e vonuar, sepse formimi i krahinës autonome të Korçës mbush 100 vjet në dhjetor të vitit që jemi. Festohet a nuk festohet me madhështi, pak rëndësi ka.

Ia lëmë Vlorës atë nder, mjaft që të njihet dhe të funksionojë modeli i asaj që ndodhi mbas ngritjes së dytë të flamurit në ballkonin e prefekturës së Korçës. Të kemi normalitetin më në fund, këtë mrekulli që çdo emër mund të meritojë, përveç mrekullisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura