Pavarësia e Kombëtares së Kosovës dhe varësia e asaj të Shqipërisë

Jun 8, 2018 | 17:49
SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI/ 

besnik-dizdari-470x264

Dita e 29 majit 2018, për historianët nga Shqipëria e Kosova, do të mbahet në mend si data e Pavarësisë së Kombëtares së Kosovës në futboll. Duke fituar 3-0 me Shqipërinë, duke shënuar tri gola, njëri më i bukur dhe më tekniko-taktik se tjetri, duke u gëzuar aq fort sa herë që tundej rrjeta e portës së Shqipërisë, lojtarët e Kombëtares së Kosovës, Ujkani, Vojvoda, Rrahamani, Ismaili, Aliti, Shala, Halimi, Avdijaj, Rashica, Zeneli, Muriqi, Krasniqi, Taipi, B.Berisha, Zhegrova, Perdedaj, Nuhiu – “përfaqësues” të klubeve Cremonese, Lugano, Dinamo Zagreb, Hajduk, Lyngby, Grasshoppers, Brondby, Schalke 04, Werder Bremen apo Sheffield – me pasionin e tyre treguan se e duan fort Kosovën e tyre. Dhe se nëpërmjet sportit e futbollit duan t’i japin gjithnjë e më fort identitet Republikës së tyre të Kosovës.

Siç e kam thënë para pak kohësh, ky është shpërthimi i Kosovës së futbollit, paksa edhe për inat të disa shqiptarëve megalomanë, të cilët në injorancën e tyre kujtojnë se janë eprorë ndaj futbollit të Kosovës. Ndonëse historia na tregon se kurrë Shqipëria nuk e ka pasur, bie fjala, futbollin e saj siç e ka pasur Jugosllavia eurofutbollistike në Kampionatin e saj. Në të cilin për disa vjet me radhë pat shpërthyer edhe Prishtina e Kosovës, me gati 100 për qind lojtarë shqiptarë, duke sfiduar edhe një Partizan e Crvena Zvezdë të Beogradit, një Hajduk të Splitit apo një Dinamon të Zagrebit! E, edhe pse Kosova shpërthen, “Kosovofobistët” e Shqipërisë prapë vazhdojnë në të tyren, nga padija apo vetëmburrja. Por mbi të gjitha, me në krye FSHF-në, së cilës i shërbejnë me kryeulë, ngaqë së bashku nuk janë të zotë të mbështeten te talentet e brenda Shqipërisë, për shpërthimin e të cilëve duhet fort punë – çka ata, me sa duket, nuk kanë bazament për ta bërë.

Për fat, ende nuk e dimë saktësisht se sa është tronditur Federata Shqiptare e Futbollit, e cila, për çudi, paska nevojë të mbrohet prej një servilizmi, që aty-këtu madje, vjen edhe prej medias, sidomos asaj televizive. Në historinë e gazetarisë shqiptare nuk mbahet vend si kjo e kohës së sotme, kur edhe pse futbolli i brendshëm shqiptar ndodhet në një krizë të paparë, prej ekranit të vogël nuk vjen thuajse asnjë kritikë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Ta do mendja se kjo ndodh edhe ngaqë politikën “televizive” të futbollit sot nuk e vendosin gazetarët, por në të shumtën, specialistë të futbollit, të cilët janë fort të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. A nuk e patë se si për humbjen 0-3 me Kosovën, iu sulën thuajse me egërsi vetëm një njeriu: trajnerit Christian Panucci? Dhe, natyrisht, asnjë kritikë për Federatën!

Ndërkaq, vetvetiu unë, “pa pikë modestie”, po përsëris për mohues të shumtë se e gjitha çka kam shkruar këto vite për futbollin e Kosovës, politikisht “korrekt”, sidomos edhe në faqet e kësaj “Panorame”, më është realizuar.

Qysh në fillim të viteve ’90 kam propozuar në shtypin shqiptar, që lojtarë shqiptarë të Kosovës, të luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë, përderisa ajo nuk e kishte një Kombëtare të sajën. Dhe, hap mbas hapi, kjo u realizua. I kam shkruar dhe botuar letër presidentit të UEFA-s, Michel Platini, për pranimin e Kosovës në UEFA. E ai nuk më është përgjigjur, por mbas do kohe Kosova është pranuar. Kam shkruar se statuti i FIFA-s, nuk lejon që një klub i një shteti të luajë në kampionatin e një shteti tjetër. Ndonëse disa “të mahnitshëm” kërkonin me vetësiguri që Prishtina të luajë në Kampionatin e Shqipërisë. Kam thënë përmes shkrimeve të botuar, absolutisht i pari, edhe në faqet e kësaj gazete, se Kosova do të ketë Kombëtaren e saj. Më kanë quajtur kundëratdhetar! E, tash Kosova e ka Kombëtaren e saj. Kam shkruar edhe në këtë gazetë pra, se Kosova do të marrë pjesë në Kampionate Europiane e Botërore. Dhe ajo po merr pjesë. Kësisoj, e shihni që, ëndrrat naive të të paditurve a shërbestarëve të nënshtruar të FSHFsë, nuk u realizuan. Kujtoj se edhe këtu në “Panorama” kam shkruar se nuk duhen “grabitur” përmes kampeve të fushimit futbollistët shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe që duhej shkrirë sektori megaloman i “zbulimit të talenteve në Europë” (kupto të talenteve të Kosovës). Guxoni e shkoni prapë! Mandej, i kam mbrojtur me shkrime lojtarët shqiptaro-zviceranë kur “analistë të ndritur” televizivë – të cilët natyrisht nuk kanë të bëjnë aspak me gazetarinë – këmbë mbi këmbë i quanin “tradhtarë”.

Dhe kështu pra, ja tek mbërriti dita e 29 majit 2018 dhe me në krye një trajner zviceran me emrin Bernard Challandes, mbërriti Kosova–Shqipëria 3-0!

Kjo është Pavarësia e Kombëtares së Kosovës dhe për një çast të duket se këtu historia merr fund.

E vërteta është se pak më parë kishte ndodhur që për herë të parë në histori, Kombëtarja e parë e Kosovës të fitonte dy ndeshje rresht: 1-0 me Madagaskarin dhe një tjetër 2-0 me Burkina Faso. Mandej, ndodhi që Kosova nën 19 u kualifikua për Elite Raund në ndeshjet e Kampionatit Europian mbasi mundi Izraelin e Lituaninë 2-1 e 3-0, prej ku shkoi e fitoi madje 2-0 edhe me Sllovakinë. Dhe prej këtu, thuajse rrufeshëm shfaqet Kosova nën 21 në grupin e 5 të Kampionatit Europian ku fiton 3 ndeshje dhe barazon 0-0 me Gjermaninë – kampione në fuqi. Kur në këto dy Kombëtare moshash për KE, Shqipëria e vitit 2017 fitoi vetëm 1 ndeshje dhe humbi plot 4!

E ka thënë fort mirë një nga talentet më të shquar të 18-vjeçarëve europianë, Edon Zhegrova i Genk të Belgjikës, i cili me golin e tij për antologjinë e futbollit, vulosi 3-0 ndaj Shqipërisë: “Jam krenar që përfaqësoj vendin tim, që është Kosova”.

Përsëris edhe këtu se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka përse të ndjejë asnjë “inferioritet” ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Janë dy Federata të pavarura të dy shteteve po të pavarura – anëtare me të drejta të barabarta të UEFA-s e të FIFA-s.

Kësisoj, 3-0 i Kombëtares së Kosovës ndaj Kombëtares së Shqipërisë është një lloj lufte e bukur sportive për “pavarësi” të plotë të saj prej Kombëtares së Shqipërisë. Kështu, sepse ajo ishte një ndeshje simbol që iu dha fund të gjithave. I dha fund varësisë së futbollit të Kosovës ndaj futbollit të Shqipërisë. I dha fund tutelës së lojtarëve kosovarë me banim jashtë Kosovës prej etjes së Tiranës për rrëmbime të pafund të tyre. Dhe i dha fund çdo shprese të Shqipërisë – një “nënë” siç e përcaktuan artificialisht mosnjohësit e historisë Shqipëri/Kosovë – për të marrë e për të lëshuar asisoj prej “gjirit” të saj lojtarë të Kosovës, me të cilët ka kryer punë. Kosova e ndeshjes së Zurichu-t shpërtheu deri në një pasion që i çuditi të gjithë. U pa e gjitha kjo edhe përmes shfaqjes së gëzimit të saj unik mbas çdo goli të shënuar, mbas mbarimit të lojës, në përqafimet që nuk reshtnin. U pa paksa, pra, edhe kur talenti i madh 18-vjeçar, Zhegrova, guxoi madje deri dhe të interpretonte plot art episode spektakolare si të ishte në një shfaqje të plotë dëfryese.

E pra, çfarë ndodhi kësisoj?

Në një vështrim nuk ndodhi asgjë e veçantë. Ndodhi thjesht që një skuadër futbolli, në këtë rast, Kombëtarja e Republikës së Kosovës, të kishte dëshirë për të luajtur dhe për të fituar. Dhe fitoi. Bëri atë që çdo skuadër kërkon ta bëjë ndaj një skuadre tjetër, edhe në sportin e futbollit. Dhe këtë, Kosova e bëri më së miri. E bëri me një futboll teknik, plot harmoni e stil, duke sulmuar për 90 minuta pa ia nda dhe duke shënuar gola që nuk mund të harrohen. Dhe e gjitha kjo përballë një Shqipërie krejt të fjetur, të çoroditur, të kalamendun, të topitur, pa stil loje, pa bosht. Madje, me vetë-kënaqësi eprore krejt naive, e mëkuar tash sa kohë prej tutelës “shqiptare” të Tiranës.

Me këtë ndeshje të Zurich-ut, përfundimisht, gjërat u ndanë. Ose për të qenë më të drejtë, u vunë në vend. Kështu, pra, tash e mbrapa Kosova do të ketë Kombëtaren e vet të pavarur, pa pasur aspak punë me paternalizmin e Shqipërisë të ashtuquajtur “nënë”.

Dhe çka është më e rëndësishmja: kjo do të thotë se qysh sot për ndërtimin e Kombëtareve të saj, Shqipëria duhet t’i kthehet lojtarëve të saj, lojtarëve të Kampionatit Kombëtar të saj, natyrisht, pa injoruar lojtarët shqiptarë që ndodhen jashtë. Ndonëse të këtillë nuk po shohim askund. Në fund të fundit, Shqipëria duhet të gëzohet fort për këtë humbje të rëndë që ia “blatoi” Kosova. Sepse prej saj mori këtë mësim të madh, mësimin e varësisë së Kombëtareve të saj për te futbolli i Kampionatit Kombëtar të saj.

Shpërthimi i këtoditshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare, siç e treguam më sipër, i vë vulën hapjes së një faqeje të re edhe për ecurinë e ekipeve Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, e cila, tash e mbrapa, për fatin e saj të mirë, do t’i duhet të mbështetet te talentet e tokës së saj. Kjo është varësia e Kombëtares së Shqipërisë te futbolli i tokës së saj. Natyrisht, do të jetë shumë e vështirë. Arsyeja dihet: ka rënë Kampionati Kombëtar i Shqipërisë që me organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit ka shkaktuar përjashtimin prej këtij Kampionati vatrat qytetare më prodhimtare të talenteve: Shkodër e Kavajë, Elbasan, Berat e Dinamo!

Fatkeqësia është se e gjitha kjo mbështillet prej një heshtjeje të frikshme, ndonëse ndodhemi para një drame po të frikshme për të ardhmen e futbollit në Shqipëri. Dhe FSHF-ja që hesht më shumë se askush tjetër. Është “e pavarur”, natyrisht. Po, a vërtet është kaq e pavarur, sa ata që i blatojnë Himnin e Flamurin Kombëtar, që janë shteti, qeveria e kryepërgjegjësja Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, në të cilën ka ardhur koha të pyesim se kush punon aty për sportet, të heshtin kësisoj?

Si një parabolë, më tepër e politikës, po më pëlqen ta mbyll me një kujtesë disi të largët. Kur më 1956 vatra e talenteve të futbollit qytetar shqiptar, Vllaznia e Shkodrës, ra në Kategorinë e Dytë, pat ndodhur që – doemos për synimet e saj politike – Radio Beogradi përmes valëve të asaj të Titogradit të komentonte në mënyrë kritike se si qeveria shqiptare e kishte katandisur futbollin e Shkodrës, prej të cilit dikur kishte mësuar edhe Mali i Zi!

Një histori që përsëritet pa mëshirë?…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura