Pavarësia dhe shqiptarët e Amerikës

Nov 28, 2015 | 16:19
SHPËRNDAJE
Uran Butka
Uran Butka

URAN BUTKA

Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali erdhi si rezultat i lëvizjeve të mëdha kulturore, politike dhe luftarake shqiptare, më së afërti qysh nga Komiteti i fshehtë i Manastirit, 1905, dhe krijimi i çetave të para të lirisë, 1905, Kongresi i Alfabetit në Manastir, 1908, Kongresi arsimor i Elbasanit, 1909, kryengritjet e fuqishme antiosmane dhe çlirimtare në vitet 1910-1912 në Kosovë, Malësinë e Madhe dhe gjithë hapësirën shqiptare, paralelisht e pazgjidhmërisht edhe me lëvizjet atdhetare në Amerikë, që kulmuan me shoqatën “Besa-Besën”, 1907, themelimin e Kishës shqiptare në Boston, 1908, daljen e gazetës “Dielli”, 1909, dhe themelimin e Shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, 1912.

E them qysh në krye se këtë herë nuk vij si politikan, por si një pjesëz e kulturës kombëtare, që është shenja e kushti i parë i identitetit dhe mbijetesës sonë kombëtare. Si shkrimtar, unë e ndiej dhe e çmoj lidhjen e gravitetin shpirtëror e mendor, flakën e pashuar të zjarrit të shqiptarizmit dhe sakrificën e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Amerikës për atdheun dhe kombin.

Si historian, e vlerësoj kontributin e tyre në luftën për liri, pavarësi e demokraci, që kulmon me shpalljen e Pavarësisë, formimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe integritetit territorial nga copëtimi i huaj, që kulmon me Konferencën e Paqes në Paris, ku i kishte dërguar delegatët e saj “Vatra”. Po ashtu, në luftën kundër komunizmit dhe diktaturës çnjerë- zore gjysmëshekullore staliniste dhe rrëzimin e saj, si edhe në mbështetje të proceseve demokratike, që kulmuan në vitet ’90 dhe në vazhdim.

Aspekti tjetër i rëndësishëm i kontributit historik të shqiptarëve të Amerikës është ushqimi dhe ndikimi i lobit shqiptar të Amerikës te politika amerikane në favor të çështjes shqiptare. Lidhja dhe bashkëpunimi i pashkëputur me SHBA, mikun dhe aleatin tonë të madh, është siguruar, jo aq nga shqiptarët në Shqipëri, sesa nga shqiptarët e Amerikës, veçanërisht të “Vatrës”, në një përpjekje titanike nëpër shekuj.

Mjafton të përmendim personalitetet e shquara: Nolin, Konicën, Kirkën, Frashërin, Pecin, Tromar- ën, Omarin, Çekrezin, Panaritin, Dakon, Floqin, Qiriaqët, Përmetin, Kallajxhiun, Pipën e të tjerë, deri te zotërinjtë e nderuar Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Nikolla Pano, Sami Repishti, Elez Biberaj, Harri Bajraktari, Rrustem Gecaj, Frans Grishaj e të tjerë. Presidenti Uilson i informuar historikisht prej Nolit, Mit’hat Frashërit e të tjerë u bë mbrojtës i madh i kombit tonë. Natyrisht edhe nga Shqipëria janë bërë përpjekje, fjala vjen im gjysh, Sali Butka, në vitin 1920 botonte në librin “Ndjenja për Atdhenë” edhe poezinë “Rroftë Amerika”. Madje kjo u kthye edhe në këngë dhe u përhap kudo.

Ne duhet t’i jemi mirënjohës për jetë SHBA, presidentit Klinton dhe NATO-s, që kryesuan luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga kolonizatorët serbë, të cilët kryen masakra dhe shpërngulje biblike ndaj shqiptarëve të Kosovës, të njëjta si ato të terroristëve të sotëm të ISIS-it. Shqiptarët e Amerikës, veçanërisht ishkongresmeni dhe kryetari i Ligës shqiptaroamerikane, z. Jozef Diguardi, kontributi i të cilit ende nuk është vlerësuar sa duhet, ishin të parët që ndihmësuan në luftën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, që është fitorja më e madhe e kombit tonë, pas pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912. Si publicist, çmoj, së pari, “Zërin e Amerikës”, një zë i fuqishëm, që vinte e vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe ngjallte e ngjall mbështetje, shpresë e veprim drejt përparimit në kohët më të vështira të historisë sonë dramatike.

Sot Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Çamëri kanë nevojë për fjalën dhe ndihmën e shqiptarëve të Amerikës. Jetojmë në një kohë të vështirë, të krizave të brendshme morale, ekonomike e politike, por edhe të rreziqeve të mëdha, që vijnë nga konfliktet rajonale e botërore, veçanërisht nga terrorizmi. Shqipëria e Kosova, si dy shtete shqiptare, krahas arritjeve si vende të lira e demokratike, dëshmojnë njëherësh edhe probleme të mëdha, që kërkojnë zgjidhje. Ato luftojnë me vetveten për të mposhtur të keqen e trashëguar nga e shkuara, jo vetëm komuniste, por edhe e tranzicionit të zgjatur e të dhimbshëm, për shkak të mendësive e politikave konfliktuale, korrupsionit të lartë, mungesës së një shteti ligjor, por edhe të një qytetarie dhe tradite demokratike të munguar.

Përpjekja për t’u integruar në Bashkimin Europian, pavarësisht nga pengimet dhe mangësitë, si dhe orientimi euro-atlantik, ku busull ka qenë dhe mbetet SHBA, është drejtimi i duhur, ashtu si edhe lufta kundër terrorizmit, që kërcënon jetën dhe paqen e njerëzimit.

Por në politikat e sotme duhet forcuar fryma kombëtare e demokratike, si edhe reformat e thella në të gjitha fushat, sidomos ato ekonomike dhe të sundimit të ligjit. Kjo kërkon një klasë politike të re, jo si ajo me mendësi komuniste, apo e inkriminuar, që dominon në Shqipëri e Kosovë, kërkon një gjeneratë intelektuale kombëtare dhe profesioniste, si ajo që shkollohet në SHBA dhe vendet perëndimore, kërkon një reagim aktiv qytetar dhe institucional ndaj politikave të mbrapshta, të brendshme e të jashtme, sidomos ndaj atyre antishqiptare serbe dhe greke.

Mendoj, gjithashtu, se ruajtja e harmonisë fetare, një aset i çmuar dhe model për të gjithë botën e qytetëruar, është një imperativ dhe shëmbëlltyrë, sidomos në këto kohë të trazuara. Së fundi, “Vatra” e gjithë shqiptarëve duhet të ngrihet në një nivel tjetër, që t’u përgjigjet zhvillimeve kombëtare, ashtu si në kohën e Nolit, Konicës e Kirkës, për të përballuar sfidat e kohës së sotme dhe të së ardhmes shqiptare. Unë kam besim tek e ardhmja e shqiptarëve, tek inteligjencia, karakteri, përkatësia europiane dhe sidomos fryma kombëtare, që do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët shpirtërisht mes vedi, por edhe në një shtet të vetëm kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura