Pavarësi nga Perandoria Osmane, kërkesa zyrtare e vitit 1828 që nga Berati

Nov 25, 2015 | 13:53
SHPËRNDAJE

Qysh në mars të vitit 1822, kur shteti osman shpalli mobilizimin ushtarak në trevat shqiptare, krerët shqiptarë u larguan nga fronti osmano-grek (1822). Kësaj thirrjeje nuk iu përgjigj edhe Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit), i cili deri në fillim të vitit 1829 do të shfaqet si personaliteti kryesor në rajonin e Toskërisë, rreth të cilit do të zhvilloheshin të gjitha projektet politike shqiptare.

28nentor1912_panorame

Roli i tij duket se ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe, siç do ta shohim në artikullin e mëposhtëm nga historiani Dritan Egro, Ismail bej Vlora, së bashku me parinë shqiptare, kanë kërkuar zyrtarisht qysh në vitin 1828, nga qyteti i Beratit, pavarësi nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti shqiptar, që si bërthamë territoriale do të kishin sidomos territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha, por që tani trashëgoheshin nga krerët myslimanë shqiptarë, që më së shumti kishin qenë në shërbim të tij. Eliminimi fizik i Ismail bej Vlorës (janar 1829), më pas Masakra e Manastirit (gusht 1830), dhe, së fundi, rënia përfundimtare e Pashallëkut të Shkodrës (1831) janë hapa konkretë që treguan se shteti osman do të vepronte ashpër kundrejt çdo kërkese për shkëputje që do të vinte sidomos nga drejtues lokalë myslimanë.

Por, nga ana tjetër, Ismail bej Vlora ka meritën se i dha çështjes shqiptare një dimension krejt të ri, mirëfilli nacionalist. Që nga ky moment çështja shqiptare do të ishte një çështjeje e re ballkanike për Perandorinë, zgjidhja e së cilës do të ishte problematike për të, gjatë gjithë shek. XIX.

Megjithëse krerët myslimanë shqiptarë bënë përpjekje të mëdha për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, deri në prag të Kongresit të Berlinit (1878), ajo fatkeqësisht mbeti një çështje e brendshme midis shqiptarëve dhe shtetit osman. Lëvizjet nacionaliste ballkanike dhe tokat shqiptare, tentativat greko-serbe për të shkëputur trojet tona etj., janë të tjera dokumentime serioze nga historian Dritan Egro, që mund t’i lexoni në vijim….

FILLIMET E ÇËSHTJES SHQIPTARE

Të gjitha paradigmat e ngritura në shek. XX mbi lindjen dhe ecurinë e nacionalizmit ballkanik kanë ngulitur fort një qasje, e cila: 1. në rrafsh empirik, lëvizjet nacionaliste i trajton si vepër mirëfilli të popujve të krishterë të Ballkanit. Kjo qasje, në fakt, i ka hapur rrugë paradigmës, sipas së cilës, shqiptarët duke qenë në shumicë myslimanë, u vonuan në zgjimin e tyre kombëtar dhe, për pasojë, u shkëputën të fundit në Ballkan nga Perandoria Osmane. 2. në rrafsh teorik, lëvizjet nacionale i ka konceptuar sipas skemës: zgjim kulturor, b. veprim politik, c. formim i shtetit kombëtar.

Asnjë prej këtyre qasjeve paradigmatike nuk e ka marrë parasysh faktin se cili ka qenë qëndrimi politik i krerëve myslimanë në Ballkan ndaj zhvillimeve të reja politike. Madje, kjo kastë drejtuese e Ballkanit është paraqitur dhe gjykuar vetëm si një ndajshtesë e reagimit që qeveritarët e Stambollit mbajtën ndaj fenomenit të nacionalizmit në Ballkan. Historianët perëndimorë që janë marrë me nacionalizmin ballkanik nuk e kanë marrë në konsideratë dokumentacionin historik dhe atë kronikal osman dhe rus, që dëshmojnë se gjysma e dytë e shek. XVIII shënon një periudhë me zhvillime të vrullshme në Ballkan, njohja e të cilave na çon jo vetëm në të dhëna të reja empirike, por edhe në qasje të reja metodologjike jo vetëm për sa i përket nacionalizmit ballkanik dhe etapave pararendëse të tij, por edhe për sa u përket raporteve fetare dhe çështjeve nacionale në perspektivën gjithëperandorake osmane.

Krijimi i bërthamës shtetërore greke në zemër të territoreve të një shteti mysliman (1830) do të shërbente si precedent që do ta ndiqnin edhe popullsitë e tjera të krishtera, të cilat, qoftë me dhimbje, por edhe duke shkaktuar dhimbje, do të dilnin nga sfera myslimane dhe do të hynin në sferën e krishterë të ndikimit politik dhe kulturor. Duke filluar nga dekadat e fundit të shek. XVIII, interesat e myslimanëve shqiptarë dhe shtetit osman filluan të diferencoheshin. Vendin e interesave thellësisht të përbashkëta fetare dhe perandorake, tani po e zinin qëndrimet e kundërta lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane dhe tokave të banuara nga shqiptarët.

Ndërsa turqit osmanë mbanin mbi supe peshën e fatit të perandorisë, shqiptarët filluan të mendonin për të ardhmen e tyre. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shfaqet kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Në dekadat e para të shek. XIX, kur i gjithë Ballkani ortodoks po shtronte jo vetëm diplomatikisht, por edhe me armë zgjidhjen e çështjes kombëtare, krahasuar me fqinjët, në rastin shqiptar kemi një specifikë që ka të bëjë me faktin që elita shqiptare e kohës ishte myslimane; pra, fuqia politike, ushtarake dhe ekonomike ishte në duart e elitës myslimane.

Raportet franceze të kohës dëshmojnë se, me rastin e varrimit të trupit pa kokë të Ali Pashës, krerët shqiptarë treguan se ruanin respekt të thellë për prijësin e tyre, te vrasja e tij panë në një farë mënyre të ardhmen e tyre të zymtë; kjo vrasje thelloi hendekun mes tyre dhe shtetit osman. Ndaj “revolucioni do të ndodhë patjetër dhe jo shumë vonë”. Qysh në mars të vitit 1822, kur shteti osman shpalli mobilizimin ushtarak në trevat shqiptare, krerët shqiptarë u larguan nga fronti osmano-grek (1822). Kësaj thirrjeje nuk iu përgjigj edhe Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit), i cili deri në fillim të vitit 1829 do të shfaqet si personaliteti kryesor në rajonin e Toskërisë, rreth të cilit do të zhvilloheshin të gjitha projektet politike shqiptare. Në këtë kohë krerët shqiptarë ishin të interesuar veçanërisht për faktin se deri ku në veri do të shtrihej kryengritja greke dhe në ç’masë ajo mund të kërcënonte tokat shqiptare.

Nga burime greke mësojmë se në vitin 1827, vëllai i kryetarit të parë të shtetit grek, Kapodistrias, kishte hyrë në bisedime me Ismail bej Vlorën, për të negociuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Po këto burime bëjnë me dije se në bisedimet e zhvilluara ishte arritur marrëveshje mes palëve për paprekshmërinë territoriale të njëri-tjetrit. Në këto kushte, krerët shqiptarë mendonin veç dy gjëra: 1.të ruanin trupat shqiptare përballë ndonjë zhvillimi të papritur që do të kishte lidhje me kërcënimin e tokave shqiptare, 2. të mos komprometoheshin para syve të Fuqive të Mëdha, sikur interesat e shqiptarëve ishin të njëjta me ato të Perandorisë Osmane.

Sipas zv.konsullit britanik në Prevezë, në këtë kohë krerët shqiptarë insistonin të njihnin politikat afatgjata të Fuqive të Mëdha lidhur me çështjen greke. Ndërkohë që mosparaqitja, apo edhe më keq, tërheqja e trupave shqiptare nga fronti grek, sipas burimeve osmane, rezulton të jetë një nga shkaqet kryesore të suksesit ushtarak grek në terren. Në këtë kontekst historik lindi çështja shqiptare. Parë nga Stambolli, thelbi i saj në këtë moment kishte të bënte me rivendosjen e nënshtrimit të krerëve myslimanë shqiptarë ndaj sulltanit. Si rrugën më të mirë për këtë Stambolli shihte shfuqizimin e krerëve shqiptarë, duke u marrë atyre postet dhe ofiqet. Nga ana tjetër, krerët shqiptarë të Toskërisë synonin të paktën të mbanin në duart e tyre administrimin e vendit, të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi që mund të vinte nga fqinjët.

Në korrik 1828, në një letër drejtuar Ismail bej Vlorës, Iljas Poda i propozoi atij një krushqi të dyfishtë të fëmijëve të tyre (martesën e djalit të Iljaz Podës me vajzën e Ismail bej Vlorës dhe martesa e djalit të Ismail bej Vlorës me vajzën e Iljaz Podës.) si instrument garantues i një aleancë politike mes dy familjeve në fjalë. Ky dokument dëshmon qartë që elita myslimane shqiptare në këtë kohë po projektonte krijimin e një hapësire politike me emrin Shqipëri, pra të një entiteti mirë- filli politik që do të zotërohej plotësisht prej saj. Nga ana tjetër, ai shënon edhe lindjen e mekanizmit të parë politik për drejtimin e bërthamës fillestare të një shteti potencial shqiptar. Në vjeshtën e vitit 1828, kur u bë e qartë se çështja greke po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare, paria shqiptare e Toskërisë, nën kryesimin e Ismail bej Vlorës dhe Iljas Podës u mblodh në Berat (6-8 nëntor 1828) për të diskutuar se si duhej vepruar me zhvillimet në frontin grek. Sipas raporteve osmane që vinin nga njerëzit e saj brenda kuvendit, në Berat u diskutua për kthimin e të drejtave që paria shqiptare kishte gëzuar tradicionalisht nën sundimin osman.

Krerët shqiptarë të Toskërisë synonin që këtij objektivi t’ia arrinin para se Stambolli të zgjidhte mosmarrëveshjet me Fuqitë e Mëdha për çështjen greke, pasi më pas ajo do t’i kishte duart e lira që t’i shkulte me rrënjë aspiratat shqiptare. Një ditë pasi kuvendi mbylli punimet, valiu i Rumelisë, Reshit Mehmet Pasha, urdhëroi krerët shqiptarë të paraqiteshin nën komandën e tij. Si kundërpërgjigje, përmes një letre Ismail bej Vlora ftoi sërish në Berat për një takim disa krerë shqiptarë (Sulejman bej Konicën, Tahir aga Abazin dhe

Veli aga Grebenenë etj.) që më parë ishin treguar të bindur ndaj urdhrave të sulltanit. Kjo mbledhje e dytë po në Berat, sipas të gjitha gjasave, është mbajtur brenda dhjetorit 1828. Në këtë letër, Ismail bej Vlora i fton krerët shqiptarë të mos silleshin si nëpunës të shtetit osman, por si pjesë e parisë së Shqipërisë, e cila kishte fuqinë dhe detyrimin të merrte vendime për të ardhmen e saj: “…Mos u nxitoni për t’i shkatërruar dhe asgjësuar komitët [grekë], pasi sikurse e dimë të gjithë, ajo që po ndodh me punët e grekëve do të na ndodhë edhe neve. Që punët e popullit shqiptar të rregullohen ashtu siç duhet dhe të merren nën kontroll të plotë, jam marrë vesh me [Iljaz] Podën,….

Ngaqë edhe ju jeni pjesë e parisë së Shqipërisë, hapini mirë sytë për të mbrojtur atdheun tonë”. Përmes kësaj letre mësojmë se vetëm brenda pak javësh mendimi politik i Ismail bej Vlorës rezulton të ketë pësuar një ndryshim cilësor. Nga kërkesa për mbajtjen e frenave të vetëqeverisjes, tashmë u kalua sërish në kërkesën për shkëputje nga shteti osman dhe për krijimin e një bërthame shtetërore shqiptare në Ballkan. Shqipëria e Ismail bej Vlorës, për nga hapësira, nuk ishte sa ajo e Bushatllinjve apo e Ali Pashë Tepelenës.

Tashmë paria shqiptare e dalë nga ombrella e Ali Pashës kishte nën sundim kryesisht trekëndëshin Berat-Delvinë-Janinë. Ndonëse në këtë moment jo të gjithë krerët shqiptarë ishin në një mendje për sa i përket qëndrimit politik që duhet të mbanin lidhur me çështjen shqiptare, në këtë dokument citohen mbiemrat e shumë personaliteteve të kohës (Vlora, Delvina, Konica etj.), të cilat më pas do të jenë mbiemrat e familjeve të mëdha shqiptare, pjesëtarë të së cilave morën përsipër përmbushjen e misionit kombëtar dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Pra, qysh në vitin 1828, nga qyteti i Beratit, shqiptarët kërkuan zyrtarisht pavarësi nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti shqiptar që si bërthamë territoriale do të kishin sidomos territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha, por që tani trashëgoheshin nga krerët myslimanë shqiptarë që më së shumti kishin qenë në shërbim të tij.

Eliminimi fizik i Ismail bej Vlorës (janar 1829), më pas Masakra e Manastirit (gusht 1830), dhe, së fundi, rënia përfundimtare e Pashallëkut të Shkodrës (1831) janë hapa konkretë që treguan se shteti osman do të vepronte ashpër kundrejt çdo kërkese për shkëputje që do të vinte sidomos nga drejtues lokalë myslimanë. Por, nga ana tjetër, Ismail bej Vlora ka meritën se i dha çështjes shqiptare një dimension krejt të ri, mirëfilli nacionalist. Që nga ky moment çështja shqiptare do të ishte një çështjeje e re ballkanike për Perandorinë, zgjidhja e së cilës do të ishte problematike për të, gjatë gjithë shek. XIX.

Megjithëse krerët myslimanë shqiptarë bënë përpjekje të mëdha për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, deri në prag të Kongresit të Berlinit (1878), ajo fatkeqësisht mbeti një çështje e brendshme midis shqiptarëve dhe shtetit osman. Pas eliminimit të Bushatlliut të fundit (1831) shqiptarët pushuan së qeni elementi etnik sundues në rajon. Në vitet në vijim ata do të parashtronin si kërkesë të tyre maksimaliste shkëputjen nga Perandoria Osmane, kurse si kërkesë minimaliste kthimin në vetëqeverisjen lokale.

Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, shënon veprimin e parë politik ku manifestohet publikisht nevoja e bashkimit politik të të gjithë shqiptarëve për të realizuar shkëputjen nga shteti osman dhe për ngritjen e një shteti të të gjithë shqiptarëve. Në program u shpreh qartë domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve. Në këtë kryengritje, për herë të parë u shfaq kërkesa për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome. Mosarritja e krijimit të një bërthame shtetërore shqiptare ndodhi për dy arsye kryesore: 1. shtetarët osmanë situatën në tokat shqiptare e gjykonin nga pozitat e një perandorie botërore, që mendonin se nuk do të binte kurrë, dhe 2. pozicioni gjeostrategjik i tokave shqiptare ishte jetik për vetë ekzistencën e kësaj perandorie në Ballkan. Qysh pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës (1822), shteti osman në tokat e tij do të dërgonte nëpunës turq, që nuk dinin gjuhën e nuk njihnin traditat e vendit. Stambolli, më tepër përpiqej që në tokat shqiptare të mbante gjallë sundimin e tij, sesa ta mirëqeveriste atë; madje, ai duke mos bërë investime kapitale, këtë hapësirë e la pas dore si provincë relativisht të largët nga kryeqendra. Për të ishte e rëndësishme që, përmes reformave ricentralizuese t’u jepte fund kërkesave të shqiptarëve për shkëputje. Të braktisur nga vëmendja e shtetit osman, viset shqiptare filluan të lëngonin. Në fillim të gjysmës së dytë të shek. XIX i ka fillesat procesi i rrënimit dhe i varfërimit ekonomik të shqiptarëve.

LËVIZJET NACIONALISTE BALLKANIKE DHE TOKAT SHQIPTARE

Me pavarësinë e saj Greqia, dhe me autonominë e saj Serbia, krijuan epërsi krahasuar me popujt e tjerë të Ballkanit, qofshin këta të krishterë (bullgarë), qofshin myslimanë (shqiptarë, boshnjakë). Këto zhvillime u dhanë një impuls të fuqishëm veprimeve të organizuara të bandave greke në rajonin e Epirit, çka ishte edhe frika e parisë shqiptare. Dokumentacioni historik i kohës dëshmon se tri ishin rrugët që grekët përdorën për të avancuar drejt veriut të banuar nga shqiptarët:

Së pari, hapja e një numri të konsiderueshëm shkollash në rajonin e Epirit ku arsimi zhvillohej në gjuhën greke, duke ngjallur superioritetin helen ndaj kulturës shqiptare.

Së dyti, përmes përpunimit fetar të ortodoksëve shqiptarë, duke vendosur shenjën e barazimit mes shqiptarit ortodoks dhe ortodoksit grek. Së treti, dërgimi i mjekëve në zonat e banuara nga shqiptarë, të cilët përkundrejt “kujdesit shëndetësor, përkujdeseshin” të rekrutonin sa më shumë vendas që t’i përdornin në momentet e duhura. Dokumentacioni osman dëshmon se, qysh në fillim të viteve 1830, bandat serbe filluan të zbresin në Kosovë. Ata ndoqën rrugën e eliminimit fizik masiv të shqiptarëve ose spastrimin etnik me anë të shpërnguljes së dhunshme.

Qysh në vitet ’20 të shek. XIX, diversiteti DOSSIER Î fetar në terren, përkatësisht ortodoks/serb e mysliman/shqiptar, nën pretekstin e shpërnguljes së popullsisë myslimane/turke, u përdor për të spastruar etnikisht territore deri atëherë të banuara nga shqiptarë, por që gjendeshin jashtë kufijve të Serbisë autonome. Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, e cila shpërtheu kundër masave që parashikonte Tanzimati, duhet vlerësuar si përpjekja e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, elita vendase hoqi dorë nga përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane.

Mahmut bej Vlora, i biri i Ismail bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemalit, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-4, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, që u hodh në ofensivë jashtë kufijve të shtetit të pavarur duke përfituar nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë. Në këto kushte, për herë të parë, shqiptarët u ndjenë të kërcënuar nga fqinjët dhe elita shqiptare u shty drejt zgjedhjeve të detyruara për aleancë politike dhe ushtarake, mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve. Kishte ardhur koha për të përcaktuar se cili ishte rreziku më i vogël që do të kërcënonte ekzistencën e tërë- sisë së tokave shqiptare. Për shqiptarët filloi koha e kërcënimit të trojeve të tyre etnike nga fqinjët.

Bashkëpunimi i tyre me shtetin osman, sidomos në gjysmën e dytë të shek. XIX, më tepër se dëshirë ishte domosdoshmëri në kushtet kur rreziqet për humbje territoresh në favor të fqinjëve, të sponsorizuara nga Fuqitë e Mëdha, ishte eminent. Në përpunimin e opinionit europian, i cili duhej të përgatitej për hapat e mëtejshëm politikë që do të merreshin kundër Perandorisë Osmane, një rol shumë të madh kanë luajtur udhëtarët, misionarët e diplomatët perëndimorë. Në shkrimet e tyre shqiptarët, tashmë të konvertuar masivisht në Islam, përshkruhen si tjetri/others, jo të njëjtë me ta, por jo të njëjtë edhe me shqiptarët e kohës së Skënderbeut. Këtu i kanë fillesat paragjykimet e europianëve ndaj shqiptarëve, kryesisht për shqiptarët myslimanë.

Rasti më tipik është ai i Pouqueville-it, konsullit francez pranë Ali Pashës, i cili marrëdhëniet e tendosura të shtetit që përfaqësonte, Francës, dhe të tijat personale me Ali Pashën, i transmetoi në librat e tij. Falë këtyre botimeve në opinionin europian përmes figurës së Ali Pashës u ravijëzua profili i pashait mysliman, despot oriental. Përveç Pouqueville-it, për keqësimin e imazhit të shqiptarëve në sytë e opinionit europian “u kujdesën” edhe fqinjët. Qeveria greke punoi fort që, përmes shtypit europian, të sabotonte takimet e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Pashë Vrionit në kancelaritë europiane, në pranverën e vitit 1879.

DRITAN EGRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura