Patriotizëm i mangët?

Jun 26, 2016 | 12:42
SHPËRNDAJE

EdmondTupjaEDMOND TUPJA

Mbaroi faza e parë, ajo e ndeshjeve në grupe, e Kampionatit Europian të Futbollit, dje nisi faza e tij e dytë, të tetat, ku ekipi ynë kombëtar mund të kishte qenë i pranishëm, por mjerisht nuk ndodhi kështu. Sidoqoftë, ai tregoi se diti të luftonte si i barabartë me ekipet që pati përballë dhe i ngriti peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Siç ndodh rëndom në botë gjatë zhvillimit të kampionateve të sporteve të ndryshme, por sidomos të atij më popullor, pra, të futbollit, edhe tifozeria shqiptare la përshtypje shumë të mira në opinionin sportiv ndërkombëtar. Me të drejtë komentatorët tanë sportivë i theksuan këto cilësi të lavdërueshme të futbollit shqiptar, duke shfaqur haptas edhe patriotizmin e tyre, por pa rënë në pozita subjektiviste dhe, në këtë drejtim gjithashtu, ata janë për t’u përgëzuar.

Mirëpo, tek ndoqa disa nga ndeshjet e komentuara prej atyre, vura re, fatkeqësisht, se ata vazhdojnë të ngulmojnë në shtrembërimin, madje edhe në dhunimin e gjuhës shqipe, ndërkohë që, siç dihet, gjuha është një ndër tiparet më të rëndësishme të konceptit “komb”, ajo është lënda e parë e patjetërsueshme që lidh pazgjidhshmërisht individët e bashkuar në gjirin e një kombi, e një populli e të një shoqërie me një hapësirë gjeografike, një të kaluar, një kulturë e një mendësi të përbashkët që kanë ditur t’u bëjnë ballë stuhive e padrejtësive të Historisë.

Nuk mund të jesh plotësisht patriot, pra, nuk mund të shpalosësh plotësisht flamurin e patriotizmit, e atdhedashurisë, duke dhunuar njëkohësisht gjuhën tënde amtare, pra gjuhën e nënës, po e përsëris: gjuhën e nënës! Mjerisht, edhe gjatë këtij kampionati, te komentatorët tanë u vunë re, te dikush më shumë e te dikush më pak, dhunime të frikshme të gjuhës shqipe.

Kështu, në rrafshin leksikor, komentatorët tanë përdorin përherë e më tepër huazime të panevojshme nga gjuhë të tjera si “prezent” në vend të “i pranishëm”; “perfekt” në vend të “i përsosur, i përkryer”; “event” në vend të “ngjarje e rëndë- sishme”; “dedikim” në vend të “përkushtim”; “goditje potente” në vend të “goditje e fuqishme” (po në vend të “goditje e dobët”, përse nuk thonë “goditje impotente”?); “limit” në vend të “kufi, cak”; “sinjifikative” në vend të “kuptimplote, domethënëse”; “pika më vulnerabël” në vend të “pika më e dobët”; “superioritet” në vend të “epërsi”; “rikuperon topin” në vend të “rimerr topin”; “indikacion” në vend të “tregues” dhe plot fjalë e togfjalësh të tjerë, renditja e gjatë e të cilëve mund ta mërziste edhe lexuesin tim më besnik e më të duruar.

Nga ana tjetër, bie në sy, te komentatorët tanë, përsëritja e disa fjalëve me kuptim të njëjtë, çka në gjuhësi quhet pleonazëm, si, për shembull, “sulmues ofensiv” në vend të “sulmues”; “avancon përpara” në vend të “avancon”, “përparon” ose “ecën përpara”; “fillon numërimi count down mbrapsht” në vend të “fillon numërimi mbrapsht, së prapi” etj., etj.

Vërehen gjithashtu disa mënyra të shprehuri në shqipe krejt të pakuptimta, për të mos thënë absurde, të cilat bien ndesh me natyrshmërinë e gjuhës shqipe, si për shembull, “specialist mendor” në vend të “psikolog”, “skuadër që bën shumë intensitet” në vend të “skuadër që zhvillon një lojë shumë intensive”; “ne kemi prodhuar lojë” në vend “ne kemi bërë një lojë të mirë, cilësore”, “lojtar që ka shpërthyer” (a thua se është bombë) në vend të “lojtar që po e tregon veten, që po nxjerr në pah gjithë aftësitë e tij, që po shkëlqen”; “lojtar që është rritur në Spanjë” (a thua se ka lindur e është rritur atje) në vend të “lojtar që është formuar apo përgatitur në Spanjë”; “arbitri vijon lojën” në vend të “arbitri e lë lojën të vazhdojë, nuk e ndërpret lojën” etj., etj.

Gjithsesi, dhunimi më i rëndë, një skandal i vërtetë, është moslakimi i emrave të lojtarëve të huaj, çka bie në kundërshtim me njërën prej metastrukturave më themelore të shqipes, siç është lakimi i detyrueshëm i emrave, i mbiemrave dhe i përemrave.

Kështu komentatorët tanë, pa asnjë përjashtim, thonë, për shembull, “pritje e Bufon” (portier italian) në vend të “pritje e Bufonit”, “gol i Griezman” (lojtar francez) në vend të “gol i Griezmanit”, ndërsa e vërteta është që gjithmonë kemi shkruar e thënë “dramat e Shekspirit”, “veprat e Hygoit”, “simfonitë e Vagnerit” apo “këngët e Bitëllsave” dhe kurrsesi “dramat e Shekspir”, “veprat e Hygo”, “simfonitë e Vagner” dhe “këngët e Bitëlls”! Moslakimi i emrave të përveçëm të huaj mund të shpjerë, nga njëra anë, edhe në moslakimin e emrave të përveçëm shqiptarë, siç ndodhi gjatë Botërorit të fundit kur një zonjë, e cila drejtonte një debat sportiv në një kanal televiziv të njohur, tha “…me pjesëmarrjen e Luan Morina” në vend të “…me pjesëmarrjen e Luan Morinës”, por, nga ana tjetër, ky moslakim mund të ketë pasoja të dëmshme lidhur me vetë identitetin e gjuhës shqipe: nëse në gjuhën tonë nuk do t’i lakojmë më emrat e përveçëm të huaj, duke ndjekur kështu shembullin e rusëve, atëherë, ka fort të ngjarë që, mbas disa shekujsh, ndonjë gjuhëtar i huaj mund të mbështesë tezën, sipas së cilës gjuha shqipe ka huazuar jo vetëm fjalë, por edhe struktura themelore nga sllavishtja, kështu që nuk është e pamundur që ajo të ketë edhe prejardhje sllave!

Sigurisht që komentatorët tanë e duan atdheun, por me dhunimet e lartpërmendura të gjuhës shqipe, gjuhës së tyre amtare, ata rrezikojnë që patriotizmi i tyre të vlerësohet si i mangët, çka për vetë figurën e tyre nuk është aspak dinjitoze.

Për ta shmangur këtë vlerësim negativ, i ftoj ata të shkojnë në arkivat e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të dëgjojnë e të shikojnë me çfarë ndjenje të lartë përgjegjësie, me çfarë respekti për gjuhën shqipe, me çfarë elegance i komentonin ndeshjet paraardhësit e tyre të mirënjohur si Andon Mazreku, Ismet Bellova, Skifter Këlliçi, Vladimir Grillo, Frederik Fico e disa të tjerë.

Së fundi, në kuadrin e vërejtjeve të mësipërme, jam i detyruar t’i propozoj ose, më saktë, t’i kërkoj Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit që të krijojë, nëpërmjet departamenteve të Gazetarisë në fakultetet e Gjuhë-Letërsisë të universiteteve tona, një komision të përhershëm për të testuar nivelin e gjuhës shqipe te komentatorët sportivë, tashmë të pajisur me diploma universitare dhe me master, sa herë që do të zhvillohen kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare, qoftë edhe pa pjesëmarrjen e Shqipërisë, ndeshjet e të cilëve do të komentohen për publikun shqiptar jo vetëm në radiotelevizionin publik shqiptar, por edhe në radiotelevizionet private.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura