Patentat e Tahirit në makinën e biznesmenit, ironizon Patozi: Nuk është çështje fati, por fature

Nov 3, 2017 | 21:34
SHPËRNDAJE

Ngjarja e fundit ku u arrestua një biznesmen të cilit ju gjetën një shumë prej 800 mijë euro dhe patentat e Saimir Tahirit ka shkaktuar një debat të madh në politike. I fundit që ka reaguar është ish- deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi. Në një shkrim të gjatë në Facebook, Patozi shkruan se Rama të mbajë me shëndet pushtetin, por shteti i tij është i inkriminuar.

Patozi

“Ndoshta dy patentat e skafit që u gjetën në kroskotin e makinës së një “kundravajtësi” bashkë me një thes me 863 mijë euro, mund të mos i sjellin pasoja juridike ish-ministrit emblematik të mandatit të parë të socialistëve” shkruan Patozi.

Postimi i plotë:

 

NUK ËSHTË ÇËSHTJE FATI, POR ÇËSHTJE FATURE

Tani nuk ka asnjë vlerë gjendja penale e Saimir Tahirit, çështja e të cilit shkaktoi aq shumë debat javët e fundit në Shqipëri. As për sot, dhe, as për nesër.

Kryetimonieri le ta mbajë me shëndet dhe le t’i gëzohet po të dojë “fitores” së vet të bujshme, kur ia hoqi nga duart në çastin e fundit prokurorëve yllin tashmë të shuar të qeverisë Rama 1.

Ndoshta dy patentat e skafit që u gjetën në kroskotin e makinës së një “kundravajtësi” bashkë me një thes me 863 mijë euro, mund të mos i sjellin pasoja juridike ish-ministrit emblematik të mandatit të parë të socialistëve.

Por kjo nuk është aspak rrethanë lehtësuese për Edi Ramën. Përkundrazi, kjo është prova më e qartë se pushteti i tij nuk është vetëm i inkriminuar, por edhe tmerrësisht banal.

Figura e dytë e qeverisë së Edi Ramës në mandatin e parë është tashmë një personazh grotesk, që jo vetëm i ka shitur makinën trafikantëve, në përgjimet e të cilëve rezulton të trajtohet gati si një anëtar i thjeshtë i bandës. Sepse pikërisht kur timonieri po përpiqej, nganjëherë jo pa sukses, me çdo mjet që të shpërqëndronte vëmendjen prej tij, vjen skandali i fundit. I cili i vë vulën çdo dileme dhe i heq dyshimet edhe më skeptikut, se kemi të bëjmë me një pushtet të krimbur dhe të kalbur nga krimi.

Dhe pyetja është nëse është vërtetë kaq fatzi ky Saimir Tahiri, saqë e çoi dreqi atë tipin me 863 mijë euro në makinë që të binte në pritën e policisë së Elbasanit? Apo që ky soj zyrtarësh është kaq i përfshirë në aktivitete okulte, sa edhe kontrollet më rutinë mund t’i nxjerrin zbuluar? Faktet mbështesin versionin e dytë, ndaj edhe kushdo sot në këtë vend ka të drejtë të mendojë se po ta gërvishësh edhe pak, këtyre mund t’u gjesh edhe patenta avionësh të vegjël apo batiskafësh, që përdoren jo vetëm nga kartelet kolumbiane për transport droge.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura