Patentat e reja, si do hiqen pikët. Zyrtari i Ministrisë së Brendshme: Policët me tableta si kamerierë

Feb 26, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Patentat e 600 mijë përdoruesve të automjeteve në Shqipëri nuk do të ndryshojnë nga futja e sistemit të ri me pikë.

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese

Zyrtarët e Ministrisë së Transporteve dhe të Ministrisë së Brendshme sqaruan se qytetarët nuk do të ngarkohen me asnjë kosto shtesë për të blerë kartonë të rinj për patentat, pasi në përdorim do të mbeten ata që janë aktualisht.

Miratimi në muajin mars të vendimit të qeverisë për të vendosur sistemin e pikëve do të shoqërohet me hapjen e një faqe online, në të cilën çdo qytetar do të ketë shumatoren e pikëve të patentës së tij. Çdo qytetar do të pajisjet me 20 pikë dhe për çdo shkelje që do të bëjë, do të ndëshkohet me gjobë dhe me zbritje të pikëve.

Maksim Tashi, ekspert në Ministrinë e Transporteve, theksoi dje gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se pikët nga patenta e qytetarëve do të hiqen vetëm në rastet kur do të ketë pezullim të lejes së drejtimit.

“Asnjë heqje pikësh nuk bëhet për masat që nuk kanë shoqërim me pezullim. Që do të thotë asnjë drejtues mjeti që deri më sot nuk ka pasur pezullim, as nuk do i hiqen pikë dhe as nuk do t’i bëhet ndonjë veprim tjetër. Nga 54 nene që kanë normat e sjelljet, 16 më të rëndat janë me heqje pikësh. Çdo drejtues mjeti që ka patentë, nuk do i ndryshojë as patenta, asgjë. Regjistri do publikohet në internet dhe do shtohet edhe një kolonë, që do të ketë 20 pikë për të gjithë drejtuesit që kanë leje drejtimi. Dhe në funksion të shkeljeve do bëhet dhe zbritja e pikëve. Do njoftohet drejtuesi i mjetit nga Policia dhe Drejtoria e transportit për çdo heqje pikash”, tha dje Maskim Tashi, duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve.

Eksperti ka sqaruar më tej se në rastet kur një qytetar i hiqet leja e drejtimit dhe i zerohen pikët e patentës, atëherë ai do t’i nënshtrohet ritestimit.

“Çdo rimarrje leje drejtimi nuk do bëhet nëpër shkolla, se rëndohet qytetari. Bëhet masa e katërt ekonomike nga xhepi i tij. Kurse nuk do ketë, secili do shkojë të japë provimin për normat e sjelljes, sepse vetëm për ato është penalizuar. Ata do bëjnë ritestim dhe tarifa do jetë vetëm 5 mijë lekë të vjetër që i merr DPSHTR-ja”, ka sqaruar eksperti.

RISITË
Me vendosjen e sistemit të ri të pikëve për patentat, Ministria e Brendshme do të pajisë policët me tableta, të cilët do të raportojnë në kohë reale gjobat dhe zbritjet e pikëve.

Qamil Sadikaj, përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, tha se: “Ne po punojmë shumë si Polici për t’i pasur policët me tableta si puna e këtyre kamerierëve dhe besoj që shumë shpejt do jetë eficiente. Polici nuk plotëson gjoba me dorë, i ka të gjitha në sistem, plotëson vetëm nenin e shkeljes dhe i jep të dhënat e mjetit dhe përdoruesit i dalin në sistem”.

Krahasimi me kamerierët është ironizuar nga deputeti i PD-së, Helidon Bushati: “Zotëria i Policisë së Shtetit futi nocionin e policit rrugor rilindas në formë kamerieri, që është gjë shumë e bukur. Shpresojmë që me këtë të ecet përpara dhe të luftohet krimi”.

PYETJE-PËRGJIGJET E DEPUTETËVE PËR PATENTAT
Bujar Derveni: Aplikimi i sistemit të pikëve do të bëhet te patentat ekzistuese të 600 mijë qytetarëve, apo do të duhen patenta të reja?
Nikolin Bërzhiku (Ministria e Transporteve): Kartoni i patentës nuk do të ndryshojë asgjë si format. Do jetë po ai që kanë qytetarët aktualisht.
Eduard Shalsi: Pra, patentat do të mbeten këto që janë?
Nikolin Bërzhiku (Ministria e Transporteve): Patentat do të mbeten këto që janë, ndërsa pikët janë virtuale. Do të njoftohen rast pas rasti sipas shkeljeve. Kundrejt individit nuk ndryshon asgjë, nuk ka asnjë detyrim shtesë financiar.
Eduard Shalsi: Si do të bëhet komunikimi i masës administrative për drejtuesit e automjeteve? Nga komenti i konstatimit të shkeljes, ju thatë që ka një agjent verifikues, pra personi që të kap në flagrancë. Po kur përdoren mjetet e teknologjisë së informacionit, radarët apo kamerat, çfarë duhet të bëjë një qytetar nga momenti kur mëson që ka shkelur Kodin?
Qamil Sadikaj (Ministria e Brendshme): Shkeljet janë dy llojesh, kur ka konstatime direkte dhe konstatimi i shkeljes në mungesë. Po ashtu është dhe konstatimi me pajisje teknologjike. Kodi dhe vendimi i Qeverisë ka përcaktuar rastet kur vendoset sanksioni, apo kur mund të vendoset shkelja në mungesë. Në rastet e konstatimit në mungesë që janë ndalimi i qëndrimit të mjeteve ose siç i thonë parkimi. Kodi ka të sanksionuar mënyrën e njoftimit, që bëhet në adresën që ka leja e qarkullimit apo leja e drejtimit. Në rastet e gjobave në mungesë njoftohet në adresën e lejes së qarkullimit. Sapo jepet targa, polici komunikon me sallën dhe i jepet atij që është pronari i automjetit dhe cila është adresa e tij, ku është regjistruar mjeti. Ne po punojmë shumë si polici për t’i pasur policët direkt me tableta si puna e këtyre kamerierëve dhe besoj që shumë shpejt do jetë eficiente. Polici nuk plotëson gjoba me dorë, i ka të gjitha në sistem, plotëson vetëm nenin e shkeljes dhe i jep të dhënat e mjetit dhe përdoruesit i dalin në sistem.
Helidon Bushati: Zotëria i Policisë së Shtetit futi nocionin e policit rrugor rilindas në formë kamerieri, që është gjë shumë e bukur. Shpresojmë që me këtë të ecet përpara dhe të luftohet krimi. Ajo që doja të theksoja, është forma e rikualifikimit, pse të mos jetë falas, siç është në Amerikë apo vendet e Europës?
Eduard Bejko: Doza e alkoolit që ju keni, a mund ta di pak a shumë? Sa duhet të konsumojë personi që të arrijë sasinë 0.5%? Është shumë e rëndësishme, sepse dikush, qoftë në një ngush- ëllim, mund të vejë. Edhe pse bie era alkool, nuk do të thotë që ai është i dehur. Sepse i bie që të tërë njerëzit të jenë të distancuar nëpër sebepe apo kudo që të shkojnë. Njerëzit duhet ta dinë me një shishe birrë apo dy arrihet kjo dozë, sepse mund të thonë që me dy dopio nuk quhet. Sa duhet të jetë sasia që unë mos ta kaloj cakun?
Qamil Sadikaj (Ministria e Brendshme): Në Kod janë dy nivele, përdorues alkooli dhe të dehur. Deri në 0.5 gramë për mililitër është përdorues alkooli. Nuk ka heqje pikësh dhe nuk ka tërheqje të lejes së drejtimit. Ka vetëm sanksion me gjobë. Në qoftë se rezulton nga 0.5 e lart, atëherë quhet i dehur. Në këto raste kemi të bëjmë me kundërvajtje penale, është bërë ndryshimi në Kod dhe nuk hartohet procesverbal. Shoqërohet sipas procedurave në komisariat.
Eduard Bejko: Për të arritur deri te 0.5, sa është niveli i lejuar?
Qamil Sadikaj (Ministria e Brendshme): Varet se çfarë pi. Varet nga gjendja që ke, se po flasim jashtë fushës sonë. Kjo përqindje deri në 0.5 varet nga organizmi i njeriut.
Eduard Shalsi:Zoti Bejko, mund të bësh një tabelë përmbyllëse sa është një teke raki, një shishe birrë ta dinë njerëzit deri sa mund të shkojnë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura