Patentat/ Dy kategoritë e shoferëve që futen në provim nga dhjetori! Për drejtuesit me të paktën tri shkelje dhe pikë të hequra…

Nov 19, 2021 | 11:24
SHPËRNDAJE

trafik ne tirane dhjetor festa10Lajmi për ritestimin e atyre që duan të rinovojnë lejen e drejtimit ka ngjallur pakënaqësi në radhët e shoferëve, veçanërisht të atyre që e kanë marrë patentën pa meritë.

trafik ne tirane dhjetor festa6

Ndërkohë që ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor po hartojnë librin mbi të cilin do të zhvillohet intervista me gojë, kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, ka dhënë detaje mbi këtë risi që pritet të implementohet nga muaji i ardhshëm.

Sipas tij, jo të gjitha patentat që rinovohen do të kalojnë në testim, por vetëm dy kategori.

Më konkretisht, bëhet fjalë për shkelësit e rëndë të rregullave të qarkullimit dhe ata që kanë pikë të hequra.

“Asnjë ndryshim nuk do të ketë nga dhjetori dhe nuk do të ndodhë asnjë gjë që të rrisë angarinë apo të vonojë apo të pengojë apo të stresojë këtë kategori drejtuesish mjetesh. Pra, ata që nuk kanë masa të niveleve që janë shkelje të rënda dhe të përsëritura dhe të niveleve që janë me humbje pikësh, ata të jenë krejt të qetë. Do të vazhdojnë rinovimin me procedurën e deritanishme. Mbi 3 shkelje të përsëritura, të rënda. Të rënda quhen ato shkelje që janë me nivel heqjeje pikësh.

Për shembull, alkooli, semafori, manovrat e shpejtësisë së rrezikshme, përdorimi i celularit, ecja pa rrip, pra shkelje që janë të një natyre më të rrezikshme dhe që cenojnë rëndë sigurinë e tyre, të pasagjerëve të tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, nënvizon Gonxhe.

Nuk do të jetë një person që do të filtrojë shoferët, por një sistem automatik, i cili aktivizohet në momentin që një shofer problematik vjen për të rimarrë lejen e drejtimit.

Kur këto janë të përsëritura, ne do të kemi një sistem, i cili do të gjenerojë në mënyrë automatike një pyetësor, që do të jetë në tavolinën e sportelistit, i cili do të marrë praktikën e aplikimit për rinovimin dhe që do t’i drejtohet personit, duke i thënë që, meqenëse ju jeni në listën e alertit, të një risku, për shkak të përsëritjes së shkeljeve të rënda në qarkullimin rrugor, ju lutemi të na përgjigjeni për këto pyetje”, saktëson kreu i DPSHTRR, duke shtuar se do të jetë një testim me 20 pyetje në total, sipas tij, të lehta për t’u kuptuar, për të krijuar një ide mbi nocionet më bazike të sjelljes dhe rregullave të qarkullimit rrugor.

Duke folur për sigurinë rrugore, Gonxhe vuri në dukje se vetëm për 18 muaj, nga janari 2020 deri në korrik 2021 janë 12633 drejtues mjetesh të penalizuar për shkelje të rënda dhe 439 prej tyre e kanë humbur të drejtën e përdorimit të lejes së drejtimit, pasi kanë humbur pikët.

Vitin e ardhshëm, njofton Gonxhe, njohuritë për Kodin Rrugor do të bëhen pjesë e kurrikulave shkollore, me qëllim për të injektuar sa më herët te të rinjtë edukatën rrugore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura