Patenta, leja e qarkullimit dhe targat e automjeteve do të merren te privati

Apr 20, 2016 | 7:15
SHPËRNDAJE

Pas licencimit nga Qendra Kombëtare e Licencimit, agjencitë të autorizuara në emër të qytetarëve të interesuar do të kryejnë veprimet për nxjerrjen e lejes të qarkullimit të makinës, targës së automjetit, nxjerrjen e patentës për herë të parë, rinovimit të saj për rastet kur ka përfunduar afati i vlefshmërisë, si dhe kur patenta deklarohet e humbur.

MakinaRruga e funksionimit për herë të parë të agjencive private u hap me hyrjen në fuqi të udhëzimit të miratuar nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, në mbështetje të ligjit nr. 9573, miratuar në 2006, “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”.

SHËRBIMET

Udhëzimi i ministrisë përcakton vetëm kriteret e licencimit që duhet të plotësojë një subjekt që aplikon për hapjen e këtij aktiviteti. Maksim Tashi, specialist i Drejtorisë së Transportit Rrugor në Ministrinë e Transporteve, shpjegoi për gazetën se për çfarë do të shërbejnë agjencitë dhe si do të funksionojnë ato.

Tashi tha se agjencitë u vijnë në ndihmë kërkesave në rritje të trajtimit të dokumentacionit për qarkullin e makinave, por kryerja e shërbimeve nëpërmjet tyre nuk është detyruese.

“Agjencitë, pas plotësimit të kritereve të licencimit, të përcaktuara në Udhëzimin e Ministrisë së Transporteve, do të trajtojnë praktikat e qarkullimit të mjeteve rrugore në emër të qytetarëve të interesuar. Bëhet fjalë për marrjen e lejes së qarkullimit, targës së automjetit, patentës për herë të parë, apo për rastet e rinovimit të saj pas përfundimit të afateve të vlefshmërisë, si dhe kur deklarohet e humbur.

Funksionimi i agjencive sjell shumë avantazhe për qytetarët, ku, pikë së pari, është koha, pasi dokumentet e qarkullimit të mjetit qytetarët mund t’i tërheqin në agjenci, duke mos u paraqitur vetë në Drejtoritë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor”, shpjegoi ai.

Qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas shërbimit që kërkojnë tek agjencitë dhe më pas dokumentet u dorëzohen Drejtorive rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor nga drejtuesit e agjencive.

Krahas tarifave për marrjen e dokumenteve të qarkullimit të automjeteve, qytetarët do të paguajnë edhe tarifa për shërbimin që do të kryhet nga agjencitë. Tashi shpjegoi se tarifat e shërbimit do të jenë të liberalizuara, pra, nuk do të përcaktohen nga qeveria, por do të orientohen nga vetë tregu.

LICENCIMI

Kusht për licencimin do të jetë që agjencitë të kenë drejtuesin teknik të pajisur me certifikatë të dëshmisë profesionale nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Udhëzimi i Transporteve përcakton që drejtuesi teknik duhet të dorëzojë në Drejtorinë e Transportit Rrugor kërkesën për pajisje me dëshmi aftësie profesionale, ku të përcaktojë nënkategorinë e kualifikimit, veprimtarinë që ka kryer që nga marrja e diplomës, CV dhe kartën e identitetit.

Nga aplikuesi duhet të dorëzohen edhe kurse kualifikimi që ai ka kryer dhe dëshminë e penalitetit për mosdënim të veprave penale.

Agjencitë që të pajisen me licencë duhet të dorëzojnë edhe një kërkesë nga drejtuesi ligjor, ku të përcaktohen emri i subjektit, emri i drejtuesit ligjor dhe i përgjegjësit teknik. Si dhe kontrata midis drejtuesit ligjor dhe përgjegjësit teknik, e hartuar përpara noterit, me afat mbi 1 vit.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura