Pasuria e zyrtarëve/ ILDKPI dështon me sistemin elektronik, deputetët ankohen se s’mund të aksesojnë në faqen online! Afati shtyhet me 7 muaj

Mar 29, 2022 | 9:40
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dështon në misionin e tij për të marrë informacion në kohë për pasuritë e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë publikë.

kuvendi

Gazeta “Panorama.al” ka siguruar përmes burimeve një udhëzim ku ILDKPKI shtyn me 7 muaj afatin e depozitimit të formularëve të deklarimit të pasurive nga deputetët dhe mbi 5 mijë zyrtarë të tjerë të lartë që janë subjekt.

Deklarimi i pasurive, sipas afatit normal, do duhet të depozitohej në institucionin e ILDKPKI-së më 31 mars, por pas udhëzimit të ri, ligjvënësit, por edhe drejtorët e rëndësishëm të administratës shtetërore, do të kenë më shumë kohë për të treguar pasuritë e tyre dhe burimin e të ardhurave me të cilat ka krijuar pasuritë.

“Subjektet deklaruese duhet të plotësojnë deklaratat e interesave private përkatëse, sipas mënyrës dhe afateve të mëposhtme; subjektet të cilët mbartin detyrimin ligjor të bëjnë deklarimin periodik vjetor të interesave privatë dhe konfliktit të interesave, për vitin 2021, duhet të plotësojnë deklaratën e interesave privatë periodikë vjetorë, në formën elektronike për subjektet në funksion, për pasuritë e akumuluara ndër vite dhe detyrimet financiare me gjendje në 31.12.2021, si dhe burimin e krijimit të tyre.

Deklarata e interesave privatë periodikë vjetorë, në formë elektronike, për subjektet në funksion, duhet plotësuar dhe dorëzuar brenda datës 31 tetor 2022, si vijon: në formë elektronike, duke kryer plotësimin dhe aprovimin e versionit përfundimtar të deklaratës në sistemin AECIDS, të vënë në dispozicion nga ILDKPKI; dhe në formë shkresore, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, deklarata e plotësuar në formë elektronike duhet printuar dhe nënshkruar në çdo fletë të saj sipas rubrikave përkatëse dhe dorëzohet e mbyllur në zarf pranë autoritetit përgjegjës të institucionit publik”, shkruhet në udhëzimin e ILDKPKI-së.

ANKESA E KUVENDIT

Në prill të vitit 2020, qeveria nxori një vendim të Këshillit të Ministrave (shih VKM nr. 330, date 22.04.2020) ku parashikonte ngritjen e bazës së të dhënave online të deklaratave të pasurisë. Bazuar në këtë VKM, ILDKPKI nxori udhëzimin nr. 927, datë 1.11.2021 për plotësimin e deklaratave të pasurisë në formë elektronike.

Pra, këtë herë mbi 5 mijë subjekte (deputetë dhe drejtorë të ndryshëm) do duhet të plotësojnë për herë të parë në mënyrë elektronike formularin ku do të deklarojnë pasuritë e tyre dhe burimin e të ardhurave prej nga i kanë përfituar pasuritë.

Por kjo nuk ishte risia e vetme për ligjvënësit dhe postet e rëndësishme të administratës publike. Për herë të parë, këtë vit ata duhet që të deklarojnë të gjitha pasuritë e tyre edhe duke i justifikuar. Ndërkohë që më parë deklarohej vetëm pasuria që ishte shtuar për vitin përkatës.

Për ta pasur më të thjeshtë deklarimin e pasurive në institucionin e Kuvendit, janë bërë edhe disa trajnime për deputetët dhe subjektet e tjera të deklarimit të pasurisë. Por ndërsa ligjvënësit dhe pjesa tjetër e personave që janë subjekt i ligjit ishin gati që të bënin deklarimet, sistemi i ILDKPKI-së hasi probleme.

Gazeta “Panorama” mëson se deputetët janë ankuar në kuvend se e kanë të pamundur që të futen në sistemin online për të plotësuar formularin. Pasi numri i ankesave u bë i konsiderueshëm, Kuvendi vendosi që t’i drejtohej me një ankesë ILDKPIsë. Më datë 9 mars, Kryesia e Kuvendit mësohet se ka dorëzuar një letër pranë ILDKPKI-së, ku e informon me vështirësitë që ka sistemi online dhe që mund të shkaktojë pamundësimin e deklarimit në kohë nga ana e ligjvënësve të pasurive të tyre.

Dy ditë pas kësaj ankese, ILDKPI ka pranuar problematikën që ka hasur sistemi i tyre dhe ka udhëzuar zgjatjen me 7 muaj të afatit për depozitimin e formularëve të deklarimit të pasurisë. Çdo deputet do duhet ta plotësojë online dhe më pas duhet ta printojë e ta firmosë në çdo faqe dokumentin dhe pastaj, me zarf të mbyllur, e depoziton pranë ILDKPKI-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura