Pasuria e Frrokut, letërporosi në SHBA e Greqi. Dyshime për pronësinë e një lokali në Kretë

Sep 5, 2015 | 11:04
SHPËRNDAJE

­ Prokuroria e Përgjithshme, e cila prej disa muajsh po heton deputetin kristiandemokrat Mark Frroku, për akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, ka dyshime të forta se kristiandemokrati zotëron pasuri të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqisë.

Deputeti-i-PKD-Mark-FrrokuNë kuadër të hetimit, organi qendror i akuzës ka dërguar letërporosi në drejtim të këtyre dy shteteve, për të marrë informacion lidhur me pasuritë e mundshme që zotëron Mark Frroku atje apo personat e lidhur me të. Në fakt, lidhur me pasuritë që dyshohet se ka në Greqi, konkretisht një hotel dhe një restorant në ishullin e Kretës, prokurorët kanë rënë në dijeni nga dosja belge.

Ndër të tjera, në dosjen penale ndaj Mark Frrokut, ku ai dyshohet për akuzën e vrasjes me paramendim ndaj Aleksandër Kurtit, në 1999 në Belgjikë, thuhet ndër të tjera, se deputeti zotëron prona në ishullin e Kretës. Në dosje konkretisht thuhet se Frroku (njihet dhe me emra të tjera) e ka hapur lokalin bashkë me një shtetase greke.

Kjo e fundit është pyetur disa vite më parë, konkretisht në vitin 2001, kur hetimet për vrasjen e Kurtit po kryheshin intensivisht dhe mes të dyshuarve ishte dhe Mark Frroku, por gruaja greke ka mohuar kategorikisht të kishte njohje me një person të tillë. Por, pas arrestimit të deputetit kristiandemokrat në Shqipëri, mbi bazën e urdhër­arrestit belg, dyshimet se ai zotëron prona në shtetin grek janë shtuar, nisur dhe nga denoncimi i bërë nga ILDKP-­ja.

Rezulton se Frroku zotëron pasuri të shumta, të cilat nuk arrin t’i justifikojë, çka ngre dyshime se i ka vënë nga aktiviteti i paligjshëm. Në vazhdën e dyshimeve, sipas prokurorëve, Frroku zotëron një shtëpi me një vlerë të konsiderueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë, hetuesit janë tejet të rezervuar, ndonëse materialet e grumbulluara në drejtim të vërtetimit të akuzës së pastrimit të parave janë tejet voluminoze dhe po analizohen.

Dyshimet për vrasje Mark Frroku ndodhet në qelitë e paraburgimit prej muajsh, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Kurtit në një stacion treni në Bruksel 16 vite më parë. Frroku, i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 2013­ës, nën siglën e Partisë Kristiandemokrate, nuk e pranoi asnjëherë akuzën, ndonëse shpesh mediat belge shkruanin për vrasjen e Kurtit, çështje që u bë edhe më e nxehtë për shtypin, kur Frroku u ngjit në Kuvendin e Shqipërisë.

Aktualisht për vrasjen e të riut, Mark Frroku po hetohet në Shqipëri nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa në Belgjikë pritet që më datë 19 tetor 2015, të nisë procesi penal ndaj tij. Deputeti kërkon me çdo kusht të marrë pjesë në proces dhe të dëgjohet para gjykatës belge lidhur me akuzat, por ende nuk është vendosur për fatin e tij. 
Marre nga Gazeta Shqiptare 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura